KEK
Fillimi / Botimet / Enkelejda Masseboeuf: NJË “LINDJE” E VËSHTIRË
Enkelejda Masseboeuf: NJË “LINDJE” E VËSHTIRË

Enkelejda Masseboeuf: NJË “LINDJE” E VËSHTIRË

(Në pritje të daljes nga shtypi të librit tim të gjashtë poetik “Botën ta prek”)

E kam provuar vetë vërtetësinë e asaj thënies aq shpesh të përdorur ndër rrethe krijuesish, se ardhja e një libri të ri i ngjan lindjes së një fëmije. Por, ashtu siç ndodh ndonjëherë që lindja e një fëmije të vijë mes vështirësish, po ashtu ndodhka edhe me librat. Edhe ata, në rrethana të caktuara, paskan “lindje” të vështirë për të ardhur në jetë.

Thuhet se, zakonisht, librat me poezi shkruhen në kohë të qeta e me frymëzim të begatë, se vetë poezia buron natyrshëm për shkak të ndjenjës së bukur të dashurisë e të mallit, por ndonjëherë edhe për shkak dramash të mëdha. Gjithsesi, unë për vete nuk iu kam besuar shume teorive apo klisheve për aktin e krijimit. Më shumë besoj se poezia lind thjesht si nevojë për ta shprehur artistikisht atë që ndien brenda vetes dhe që sjell gëzim të natyrshëm për çdo autore/autor. Madje dua të them se poezitë e këtij libri (pjesa më e madhe e tyre), ashtu frazë pas fraze e varg pas vargu, erdhën dhe u formësuan në rrethanat e një kohe të pazakontë. Madje në një periudhë ankthi të përgjithshëm ekzistencial, si kjo e tanishmja, ku kryefjalë është bërë pandemia. Kështu, pjesa më e madhe e vargjeve mbajnë “vulën” e ankthit vetjak e kolektiv të shkaktuar nga Covid-19, përmbledhin përjetime, vëzhgime, arsyetime e ndjesi gjithfarëshe, që janë përthyer e kanë marrë trajtë poetike në shpirtin dhe vetëdijen time krijuese.

Meqë në fillim të këtyre radhëve bëra një paralelizëm të këtij libri me lindjen e fëmijës, dua të them gjithashtu se, për shkak të “lindjes së vështirë” dhe kohës kur u jetësua, këtë e dua edhe më shumë se 5 librat e mëparshëm. Sepse më duket më “i pjekur”, më racional, me më shumë thellësi ndjenje e mendimi.

E jo vetëm kaq, por edhe redaktimi, përgatitja për botim e gjithçka tjetër e këtij libri është në duart e një profesionisti, zotit Sejdin Cekani, si dhe stafit të redaksisë së Shtëpisë Botuese “Polis”, që meritojnë respekt e mirënjohje për punën cilësore në fushën e botimeve.

Po e pres me shumë gëzim dhe emocion daljen e tij nga shtypi. Pse jo, edhe me ankth. Por më shumë emocion ndiej kur mendoj se si do ta presin ata që do të kenë dëshirën dhe durimin për ta lexuar. A do të jetë i këndshëm udhëtimi i tyre në faqet e librit tim të gjashtë? Cilat prej poezive do t’iu mbeten në mendje? Sepse poetja/poeti s’ka kuptim pa lexuesin. Ndryshe, poezia ka jetë të shkurtër ose nuk jeton fare.

Qofshin me fat poezitë e mia dhe të të gjithë atyre që kanë bërë gati librat e radhës!

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: “Guri i Betimit”, një roman për botën shqiptare në momentet vendimtare

Janë të rralla romanet që lexohen me një frymë dhe që pas çdo faqe të ...