Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e akuzuar atë për përpjekje për të përqendruar të gjithë pushtetin politik në vend. Hoxhaj tha se Kurti nuk ka treguar interes për të siguruar stabilitet politik dhe për të zgjidhur çështjen e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, qasja e liderit të Lëvizja Vetëvendosje tregon synimin për të marrë kontroll të plotë mbi institucionet e shtetit. Hoxhaj kujtoi edhe zgjedhjet e vitit të kaluar, duke thënë se Kurti fillimisht kishte kërkuar më shumë mbështetje nga qytetarët, pavarësisht se kishte numër të konsiderueshëm deputetësh. “Nëse dikush i ka pasur 48 deputetë dhe u ka thënë qytetarëve ‘Ju rritë ndera’, nuk më duhen, më duhen 57 deputetë, dhe i mori 57, ndërsa tani përsëri po thotë se nuk i mjaftojnë”, deklaroi ai. Sipas Hoxhajt, kjo situatë nuk flet vetëm për kapje të shtetit, por për atë që ai e quajti “superkapje” të institucioneve nga pushteti aktual.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
