Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se marrëveshja e asociacionit e nënshkruar nga Kosova duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare për njohje të ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Hoxhaj ka thënë se me angazhimin e shtuar të amerikanëve në proces, Kosova duhet të bëjë hapa konkretë drejt marrëveshjes finale me Serbinë. Deputeti i PDK-së është shprehur se ambasadori Hovenier ditë më parë kur ka folur për asociacionin ka përjashtuar nivelin e tretë të pushtetit. “E kam ndjekë me vëmendje dhe lexuar disa herë intervistën e Ambasadorit Hovenier, në të cilën foli më shumë për përgjegjësitë dhe kompetencat të cilat janë në Pakon e Ahtisarit dhe kështu duke përjashtuar një nivel të tretë të pushtetit dhe frikën nga një mundësi e krijimit të një Republike Serbe si në Bosnje dhe Hercegovinë. Meqë kam qenë vet pjesë e negociatave në Vjenë dhe i di diskutimet e atjeshme, e kuptoj shumë mirë qartësinë e qëndrimit amerikan. Hoxhaj ka thënë se edhe sot e mbështet marrëveshjen e vitit 2015 për asociacionin dhe se asociacionin duhet të jetë pjesë e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
