Brickos

Në Gjykatën Speciale, në Hagë, në lëndën penale kundër Salih Mustafës, u paraqit eprori i UÇK-së gjatë luftës, Fatmir Humolli

Fatmir Humolli: Asnjë ushtri në botë nuk ka bërë luftë të pastër, ashtu si ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës

Eprori i UÇK-së gjatë luftës, Fatmir Humolli, në cilësinë e dëshmitarit ka thënë se asnjë ushtri në botë nuk ka bërë luftë të pastër, ashtu si ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës .

Këtë deklaratë, ai e ka dhënë në gjykimin e së martës, në rastin ku Salih Mustafa po akuzohet për krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të sesionit të dytë të kësaj seance, dëshmitarit Humolli i është paraqitur harta e rajonit të Prishtinës, ku para pauzës së drekës, i njëjti ka treguar se si janë nisur me Salih Mustafën nga Prishtina për të shkuar në Barilevë.

Atij iu kërkua që në hartë të rrethojë Prishtinën, si dhe fshatin Barilevë e atë Llapashticë.

“Shkuat në Barilevë dhe pastaj vazhduat drejt Llapashticës, por Salih Mustafa nuk vazhdoi me ju apo jo”, ka pyetur prokurori dhe këtë e konfirmoi dëshmitari.

Tutje, dëshmitari Humolli tha se nuk e di se ku ka shkuar Salih Mustafa më pas, por e di se është ndalur në lagjen e Llumnicëve për të pushuar.

Ai tha se nuk është i sigurt sa kanë qëndruar në Barilevë dhe se beson se nuk kanë qëndruar shumë gjatë.

“Kur jemi ndarë, jemi nda, ai është ndalë aty dhe unë kam vazhduar më tutje. Nuk kam përgjigje për sa kemi qëndruar bashkë në lagjen e Llumnicëve, por sigurisht derisa kemi bërë zgjidhje prej njësitit të Llumnicëve për të vazhduar për në rrugën për Llapashticë”, theksoi Humolli.

Kurse, tha se duhet të ketë qenë pasdite momenti kur janë ndarë, por se ora e saktë nuk i kujtohet.

Ai është pyetur se a ka njohuri nëse Salih Mustafa gjatë vitit 1999 ka udhëtuar në atë kohë me makinë.

“Është kanë vështirë me kalu me makinë pasi është dashtë me kalu nga forcat serbe, detyrimisht është dashur në këmbë, nuk ka pas nevojë me rreziku me veturë, kur ke mudur në këmbë”, ka thënë dëshmitari.

Ndërkaq, tha se makinë ka përdorur edhe ai edhe Mustafa, por pas fillimit të bombardimit të NATO-s ngjarjet janë zhvilluar nga një pozicion më i ndryshëm, pasi lëvizjet e forcave serbe kanë qenë të paparashikueshme dhe nuk kanë pasur mundësi të lëviznin me makina si para bombardimit të NATO-s.

Tutje, tha se NATO ka bombarduar edhe kamionë të UÇK-së, pasi nuk kanë pas dijeni se cilët janë të forcave serbe e cilat të UÇK-së.

“Nuk ka pas mundësi me lëviz me makina, vetëm në periferi ndokund ku ka qenë larg pozicionit të luftimit”, tha tutje Humolli.

Sa i përket pozicionit të tij si komandant i administratës civile në zonën operative të Llapit, atij iu lexua një deklaratë në lidhje me kohën kur ka pas këtë pozicion.

“Pyetja e prokurorit, po kjo pozita e dytë e komandantit për administratën civile dhe ju thatë që në vjeshtën e atij vitit të 1998, pas tetorit. Sot thatë dikur nga dhjetori i 1998. Ndërkaq, ZPS-së i keni thënë në vjeshtë nga muaji i tetorit”, ka thënë prokurori.

Për këtë, Humolli tha se në Kosovë në dhjetor fillon stina e dimrit, kurse në tetor është vjeshtë dhe nuk mund të thotë saktë datën.

Prokurori Cezary Mihailzcuk tha se dëshiron të fokusohet në muajt e parë të aktivitetit të tij në këtë pozicion.

“Ky zhvillim i administratës civile a nuk kërkonte shumë udhëtime nga ana juaj që të vizitonit vende të ndryshme, fshatra, qytete e krahina”, pyeti ai.

Dëshmitari Humolli u përgjigj se ka qenë nevojë me lëvizë, por për shkak të krijimit të kushteve, ofensivave të vazhdueshme, kanë bërë pëpjekje të jetë më pak.

“Kemi pas mundësi me u orientu përmes administratës që e ka pas mbrojtja civile dhe gjithçka ka shku në kombinim me administratën civile që e ka pas prej shtabit të përgjithshëm dhe mbrojtjen civile në zonën operative të Llapit. Por, në fillim në këtë periudhë ende nuk ka pas rregullore se si do të zhvillohet prej shtabit të përgjithshëm. Ne jemi kanë duke pritë me rregullu rregulloren se si do të zhvillohet”, tha ky dëshmitar.

Ai shtoi se po prisnin projekt-rregulloren e shtabit të përgjithshëm për të vazhduar më tutje me plane konkrete.

Dëshmitari Humolli deklaroi se është takuar me persona, e se ka qenë edhe Mexhid Syla që është zgjedh kryetar i Prishtinës dhe se ka qenë edhe kryetari i komunës së Fushë Kosovës, kurse shtoi se bisedat kanë qenë se si do të zhvillohet më tutje.

I pyetur se a është angazhuar për zhvillimin e ndonjë nga brigadave në zonën e Llapit më 1999, ai tha se kanë qenë në gjendje lufte dhe kudo që ka pas betejë dhe ka qenë duke qëndruar është bërë pjesë e atij aktiviteti.

“Ishte më precize pyetja ime, ju a keni qenë i angazhuar në organizimin e krijimit të njërës nga brigadat në zonën operative të Llapit”, ka pyetur prokurori Cezary Mihailzcuk.

Ai konfirmoi këtë dhe tha se ka qenë pjesë organizative e secilës brigadë dhe se asnjë brigadë nuk është bërë edhe pa kontributin e tyre.

Sipas tij, në vitin 1999 është krijuar brigada 153, kurse më pas kanë qenë edhe dy brigada 151 dhe 152, kurse tha se guerilja ka vepruar prej periudhës së ilegales dhe ka vazhduar.

“Kanë qenë këto formacione që kanë vepruar në zonën operative të Llapit”, tha ai.

Lidhur me brigadën 153, ai u pyet se cila ka qenë përfshirja e tij në krijimin e saj.

“Përfshirja ime ka qenë për arsye se Adem Shehu ka qenë epror i Republikës së Shqipërisë që i ka stërvitur lëvizjet e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës dhe kam propozuar që të zgjidhet komandant i brigadës 153”, tha Humolli.

Kurse, tha se nuk është i sigurt nëse ka qenë prezent aty në momentin që është legalizuar si brigadë.

Tutje, prokurori i lexoi edhe një pjesë të deklaratës që i kishte dhënë ZPS-së, ku i njëjti kishte thënë se data e hyrjes në Prishtinë mund të kenë qenë ose 31 mars ose 1 prill, por se nuk është i sigurt.

“Vetëm më kujtohet që i kam tregu që për data nuk kam siguri të plotë, por jam i bindur se ka qenë fundi i marsit dhe fillimi i prillit”, ka deklaruar Humolli.

Sipas tij, është i sigurt se më 1 prill ka kaluar kolona e parë nga Prishtinë në Maqedoni dhe se nuk ka pas mundësi të shkojë 1 km e mos me pas ushtar të guerilës në kolonë me popullatë.

Prokurori Mihailzcuk e ka pyetur se nga e di që kolona e njerëzve ka kaluar më 1 prill e jo 30 mars, 29 apo 31 mars.

“Na ka informuar vëllai i Salih Mustafës që ka kalu me kolonë”, tha Humolli, duke shuar se  janë informuar edhe nga ushtarët që kanë pas për detyrë të jenë në pozicione të ndryshme në popullatë.

Tutje, tha se për atë janë liruar dhe kanë ecur për Llapashticë.

Ai sërish u pyet se nga e di që ishte data, ai tha se më 1 prill kanë ecur për Llapashticë, kurse ata për Maqedoni.

“Pyetja ime ishte si ju kujtohet se kjo ishte data”, ka insistuar sërish prokurori.

“Derisa më kujtohet që në prill jam shku në Llapashticë, nuk ka pas mundësi me qenë datë tjetër”, tha Humolli.

Prokurori e pyeti se me çfarë pike kohore orientohet që të jetë kjo data precize dhe nga është i sigurt.

“Më 1 prill, edhe avokatit i kam thënë më 1 prill, sigurisht jam bazu në ngjarjen që kemi marrë informacione dhe atëherë ju nuk keni pyet se si na ka ardhë informacioni”, tha Humolli.

Tutje, u lexua edhe një pjesë e deklaratës së Humollit dhënë mbrojtjes për kohën kur po shkonte nga Prishtina me Salih Mustafën.

Aty kishte thënë ndër të tjera se ai e Salih Mustafa kanë shkuar në Llapashticë, andaj u pyet se pse sot ka thënë tjetër gjë dhe ku qëndron e vërteta.

“Që jemi nisë bashkë edhe avokatit i kam thënë, e vërteta është që jemi nisë bashkë, kemi pas plan me shku bashkë deri atje dhe aty kena marrë vendim për shkak që i kemi pa ngjarjet njëjtë në Prishtinë që unë me i raportu shtabit të zonës, kurse Salihu është ndalë për me u kthy në Sharban e se si ka shku nuk e di”, ka thënë dëshmitari, duke shtuar se kjo ka qenë ngjarja e vërtetë.

Ai u pyet nëse pajtohet se ka mospërputhje me atë çka i ka thënë mbrojtjes e me atë që po e thotë në gjykatore.

“Në thelb nuk ka mospërputhje, por ka përputhje në qasjen që po bën. Kam lexu deklaratën që iu kam dhënë juve dhe avokatit, ma ka dhënë gjykata, por deklarata që kam lexuar nga avokati shihet qartë se dikush që e ka njohur gjuhën shqipe e ka marrë direkt nga unë, kurse deklaratën që e kam lexuar nga prokurori shihet se është marrë e përkthyer nga anglishtja, ku pastaj është përkthyer në shqip dhe shpesh vjen mospërputhje”, tha Humolli.

Tutje, i njëjti ka thënë  se është e saktë ajo që po e thotë.

“Prokurori më ka pyet shumë më vonë dhe në këtë kohë kam pas mundësi me mendu ma esull te pyetjet e juve për këtë shkak ju kam dhënë juve më të detajizuar se avokati. Kjo shpërputhje për shkak të dinamikës që është zhvilluar nuk duhet me u pa diçka e jashtëzakonshme. Ne nuk kemi guxu me mbajt ditar, po të kishim pas ua kishim dhënë juve dhe e kishit pa saktë”, ka thënë ai.

Prokurori Cezary Mihailzcuk  tha se i duket se memoria e tij ka ndryshuar në këto dëshmi dhe i janë dhënë versione të ndryshme mbrojtjes e sot kanë diskutuar version tjetër që i është thënë ZPS-së.

“Sot na jepni një version që ndryshon edhe nga deklarata që i keni dhënë ZPS-së edhe mbrojtjes, a jeni dakord se kujtesa juaj ka ndryshuar sa i takon datave, pra fundi marsit siç thoni ju”, pyeti prokurori.

Me këtë nuk u pajtua Humolli, ai tha se e ka precizuar se është fundi marsit dhe fillimi prillit dhe se për data nuk dëshiron të diskutoj pasi është e kotë të diskutoj për data.

Atij i është kërkuar të thotë datat e sakta kur ka takuar Mustafën në janar 1999, kurse dëshmitari tha se nuk mund të përcaktojë datë të saktë, por se takimet kanë qenë javore.

“Datat atë kohë, ditët për neve, kanë qenë pjesa dërrmuese të njëjta, nuk ka pas vikende, janë kanë krejt ditë lufte”, ka thënë ai.

Tutje, ai tha se takimet me Salih Mustafën e me eprorët i kanë pasur kudo që kanë lëvizë e se ngado që ka lëvizuar ka takuar eprorët e brigadave e njësiteve.

Prokurori e pyeti nëse gjatë luftës më 1998 dhe 1999 kanë pasur strategji nacionale si të përgatiteshin vet nëse do i kapnin forcat serbe.

“Ka pas pak gjasa me na kapë forcat serbe, por në rast se flitet për ndonjë variant të mundshëm me na arrestu, të përgatitur jemi kanë mos me folë me ta. Ashtu siç të kam deklaruar edhe ty nëse veç pak ish pa varianti i presionit nuk kisha folë as me ty hiç”, tha Humolli.

Prokurori pasi i lexoi një pjesë të deklaratës, e pyeti se a e konfirmon se kishin një strategji të përgatiteshin t’i harrojnë ngjarjet.

“Më ka ndodh të lëviz vetëm me letërnjoftim dhe ka pas raste policia me na arrestu, por derisa kena lëviz e kemi qenë të armatosur policia s’ka pas gjasa me na arrestu”, tha ai, duke bërë të ditur se ka përdor letërnjoftimin fals, e se kanë pasur mundësi ta identifikojnë mes fytyrës, por jo letërnjoftimit.

Ai tha se Mustafën e ka takuar në Sharban pasi ofensiva serbe ka qenë për ta përzënë popullatën nga pjesa e Gollakut.

“Është koha kur e kam takuar kur janë larguar të plagosurit nga Zllashi për prapavijë të armikut në Koliq”, tha Humolli.

Dëshmitari tha se një ditë apo një ditë e gjysmë para se të përfundojë ofensiva serbe në Zllash e ka takuar Mustafën, kur kanë transportuar personat e plagosur dhe ata pa armë nga Zllashi në Koliq.

Sipas tij, nuk ka pasur mundësi të shkojnë 10 ditë pa u takuar me Mustafën.

Tutje, dëshmitari tha se ka qenë e pamundshme të mos takohet me Mustafën pasi kanë pas lëvizje të ngjashme.

Humolli deklaroi se anëtarët e familjes së tij janë  larguar një ditë para se zhvillohej ofensiva në Zllash dhe kanë shkuar në Prishtinë.

Ndërsa, kur u pyet se ku ka qëndruar familja e tij në Zllash, ai tha se në shtëpitë që kanë qenë mbi shkollën e Zllashit, ku ka pas me dhjetëra familje sikurse familja e tij.

Kurse, ai bëri të ditur se të plagosurit i kanë larguar para se të përfundojë ofensiva serbe dhe se luftimet kanë qenë shumë ditë përpara dhe të plagosurit janë plagosur edhe më herët se sa kur është marrë Zllashi nga forcat serbe.

Sipas tij, në kohë të luftës nuk ka pas lluks që të ketë mundësi dikush të zë një shtëpi të tërë e se shumë familje janë vendosur brenda një shtëpie, ku meshkujt kanë qëndruar jashtë, kurse fëmijët e gratë brenda.

“Shoqja e fëmijët tuaj po qëndronin në një dhomë të caktuar të asaj shpije”, pyeti prokurori, e dëshmitari tha se sigurisht që fëmija e gruaja kanë qëndruar brenda.

Tutje, tha se zhvillimet kanë qenë shumë dinamike, ka bërë vizita te familja, por sa ka qëndruar me ta nuk i kujtohet./BetimipërDrejtësi

Kontrolloni gjithashtu

Rrjeti i Grave të Kosovës

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)[1] shpreh shqetësimin për publikimin e fundit të Kornizës së Shpenzimeve Afatmesme…

Mungesa e Konsultimeve Publike për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) I nderuar Kryeministër i Republikës …