kek
MIT
Airport Adem Jashari
mbpzhr 2018
valamobile
Fillimi / Dëshmorët / Enver Rasim Bajrami (30.9.1976 – 21.4.2000)
Enver Rasim Bajrami (30.9.1976 – 21.4.2000)

Enver Rasim Bajrami (30.9.1976 – 21.4.2000)

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja ishin shkëputur nga Kosova në kohën kur Kosova u definua si krahinë autonome në kuadrin e Jugosllavisë titiste. Me qëllim që ta ndryshonte strukturën etnike të kësaj krahine në favor të popullsisë serbe, Serbia ia bashkoi Kosovës disa komuna me popullsi serbe, siç ishin Leposaviqi e Zveçani, ndërsa ia shkëputi territoret e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë që përbëjne trevën e Kosovës Lindore. Gjatë periudhës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shqiptarët nga kjo trevë iu bashkuan dhe e ndihmuan këtë luftë çlirimtare. Pas dëbimit të forcave serbe nga Kosova më 1999, serbët filluan dëbimin masiv të shqiptarëve nga këto troje etnike të Shqipërisë. Me qëllim të moslejimit të shpopullimit të shqiptarëve nga trojet e tyre u themelua Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegje, Bujanoc dhe në pranverë të vitit 2000 mijëra luftëtarë të lirisë morën armët për të mbrojtur popullsinë shqiptare nga sulmet dhe egërsia e forcave serbe. Në rezistencën njëvjeçare të pjesëtarëve të UÇPMB-së, ranë dhjetëra dëshmorë dhe u martirizuan shumë banorë të kësaj ane. Shumë prej të mbijetuarve erdhën në Kosovë, për t’u kthyer pas demobilizimit të UÇPMB-së në verë të vitit 2001.
Dëshmori Enver Bajrami u lind në fshatin Breznicë të komunës së Bujanovcit, më 30 gusht të vitit 1976, në një familje me tradita të njohura të atdhedashurisë dhe të luftës kundër pushtuesve të ndryshëm. Babai, Rasimi dhe nëna, Imrija, në kushte të rënda ekonomike e rritën dhe u përkujdesën për djalin e tyre të dëshirit.
Enveri mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Breznicë, ndërsa shkollën e mesme e kreu në fsatin Rogaçicë të Komunës së Dardanës (ish-Kamenicë).
Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, Enveri nuk pati mundësi t’i vazhdojë studimet. Ai, u angazhua në punë të ndryshme me qëllim që ta ndihmojë familjen.
Në kohën kur në Drenicë e Dukagjin kishte filluar lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Enveri e përcolli me vëmendje situatën dhe kohë pas kohe kontaktoi me luftëtarët çlirimtarë, të cilët ilegalisht vepronin edhe në zonën e Karadakut.
Me rastin e konsolidimit të radhëve të UÇK-së në Karadak, Eenveri inkuadrohet në Brigadën 172 “Isa Kastrati” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Së bashku me bashkëluftëtarin Sherif Januzi dhe me trima të tjerë çlirimtarë, ai mori pjesë në shumë luftime të zhvilluara në Zonën Operative të Karadakut. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Enveri nuk i dorëzoi armët ashtu sikur edhe shumë luftëtarë të tjerë të trevës së Kosovës Lindore, të cilët u organizuan me qëllim të çlirimit të viseve të kësaj treve nga okupatori kriminal serb.
Enveri ishte ndër të parët organizatorë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, së bashku me luftëtarët Ridvan Qazimi, Shefket Musliu, Agim Zejnullahu, Tahir Bilalli e shumë të tjerë.
Gjatë periudhës së veprimit të UÇPMB-së, Enver Bajrami nga drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm ishte emëruar komandant i Batalionit të Zonës Operative të Breznicës, i cili zhvilloi aksione të shumta kundër bandave kriminale serbe, në tërë rrezen e veprimit të zonës të cilën e mbanin nën kontroll bashkëluftëtarët e tij.
Në mëngjesin e 21 prillit të vitit 2000, komandanti Enver Bajrami, së bashku me bashkëluftëtarin Sherif Januzi dhe me dhjetëra luftëtarë të tjerë, ndërmori një sulm të ashpër kundër forcave policore dhe ushtarake serbe në fshatin Gjergjec. Në këtë betejë, plumbat e armikut qëlluan për vdekje luftëtarin e paepur të Kosovës Lindore, Enver Bajrami.
Enveri ka lënë pas djalin, Bertanin, i cili po rritet ashtu sikur edhe mijëra bij e bija të dëshmorëve të lirisë kudo në Kosovë, në Kosovën Lindore dhe në viset e Iliridës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Avdylgafurr Merxhan Luma (12.4.1961 - 22.5.1999)

Avdylgafurr Merxhan Luma (12.4.1961 – 22.5.1999)

Në agun e 12 prillit të vitit 1961, derisa bora e Sharrit ende dyluftonte me ...