Ermir Dizdari: Dirigjentët, nxorën në dritë botën shpirtërore të muzikantëve

Ermir Dizdari: Dirigjentët, nxorën në dritë botën shpirtërore të muzikantëve

(Dirigjenti, “Mjeshtri i Madh”, Ermir Dizdari, tregon historinë e dirigjentëve të Bandave, Fanfarave, TKOP, Filarmonisë, Ansamblit.   Intervistoi për Albanian Free Press: Albert Z. ZHOLI)

Për dirigjentët flitet shumë, por pak dihet për ta. Kur shkon në Opera apo njihesh me korin e disa institucioneve muzikore, befasohesh se si një dirigjent drejton në mënyrë perfekte 80 apo 100 instrumentistë. Lëvizjet e prera të dirigjentëve, energjia e tyre të befason. Por si dhe kur lindi ky profesion në Shqipëri? Kush ishin dirigjentët e parë? Ku zhvillohej veprimtaria e tyre në fillimet e Fanfarave? A janë dirigjentët tanë të niveleve botërore?  Si i kanë drejtuar ata institucionet kryesore dhe formacionet e mëdha muzikore? Të gjitha këto detaje na i tregon në këtë intervistë për “Albanian Frë Press, dirigjenti dhe “Mjeshtri i Madh”, Ermir Dizdari… “Për kohën e vet, për qytetet ku kanë qenë të gjithë këta dirigjentë, ata kanë arritur të nxjerrin në dritë nëpërmjet instrumentit, botën e madhe shpirtërore të të gjithë  muzikantëve në një orkestër”, pohon ai…

 

Si ka filluar veprimtaria e organizuesve dhe e dirigjentëve të muzikës shqiptare dhe cilat ishin etapat e zhvillimit të tyre?

Është shumë e rëndësishme të shkruhet për organizatorët apo për veprimtarët e muzikës shqiptare qysh në fillimet e tyre, qofshin këta të ansambleve muzikore vokale, qofshin ata orkestrale. Është një kontingjent njerëzish të cilët kanë pasur një rëndësi të veçantë në këtë drejtim, pasi kanë pasur cilësi organizative të lindura. Kishin cilësi që të afronin apo të mbanin afër muzikantët në grup, qoftë vokale, qoftë orkestrantësh, ose që t’u imponoheshin atyre për të kënduar, apo për të luajtur instrumentet në mënyrë kolektive. Tek ne, zanafilla e udhëheqësve, drejtuesve, dirigjentëve, ose e organizatorëve të aktiviteteve të ndryshme muzikore ka filluar në fund të shekullit XVIII, pra në kohën e Rilindjes. Në atë kohë, muzikantët filluan të ecnin në gjurmët e rilindësve që kërkonin të frymëzonin shqiptarët për ndërtimin  e shtetit shqiptar, për një ndërgjegjësim kombëtar, për të fituar  dhe ndërtuar shtetin e tyre sikundër dhe vendet e tjera ballkanike. Një grup shkrimtarësh dhe poetësh rilindës sikundër Çajupi, De Rada, Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Veqilarxhi apo piktorët Kol Indromeno, Spiro Xaxa, ishin nismëtarët. Po kështu, përkrah këtyre, dolën edhe shumë muzikantë me të njëjtat pikëpamje. Këta ishin edhe kompozitorë që shkruanin, krijonin muzikë, me motive popullore, këngë patriotike, por edhe në përshtatjen e literaturës së huaj shumë të pëlqyeshme për kohën siç ishin kompozitorët perëndimorë  Shubert, Bethoven, Moxart, Verdi. Dhe është një kontingjent udhëheqësish artistik në radhë të parë të bandave, pasi në atë periudhë ishin të përhapura më shumë fanfarat që udhëhiqnin jetën muzikore të qyteteve në vendbanime  të ndryshme, me këngë patriotike, këngë popullore, por dhe me literaturë të huaj. Ndër këta ishte Palo Kurti, Fana Ndoja, Martin Gjoka, Luigj Prela dhe të tjerë. Kjo frymë, këta lloj organizatorësh dhe drejtuesish muzikorë filluan të rriten në numër dhe të zgjerohen pas fitores së Pavarësisë. Pra, deri këtu gjithë përpjekja e tyre, këngët, demonstrimet e bandave përhapnin idetë e ndërgjegjësimit kombëtar si në letërsi, pikturë. Por në këtë kohë kemi dhe hapjen për herë të parë të shkollave shqipe, të gazetave, revistave që e shihnin dritën e botimit për herë të parë. Po kështu, mori jetë teatri me një akt, si edhe skeçet.

 

Kur dhe si fillon faza e dytë?

 Pas vitit 1912, këtu fillon periudha e dytë. Tashmë ishin formuar disa banda apo fanfara nëpër qytete që i organizonin dhe i mbanin gjallë organizatat patriotike kulturore në të gjithë gjeografinë e vendit. Ishte periudha që pati një zhvillim dhe organizmin shumë të madh të këtyre shoqërive. Kështu mund të përmendim shoqëritë patriotike në Shkodër, në Korçë, Elbasan, Durrës, por edhe në bregdet. Ajo që ishte në pararojë të këtyre shoqatave ishte Shoqata Kulturore Patriotike “Lira”, “Rinia Korçare”“Shtëpia e Artit”, ku drejtonte dhe organizonte njëri nga krijuesit dhe dirigjentët më të mirë të asaj kohe, Paskal Alibali. Po kështu, kemi në Gjirokastër bandën muzikore me organizator dhe dirigjent Koço Vangjelin. Kemi në Elbasan organizator dhe dirigjent të Shoqatës “Afërdita”, Ahmet Gashi, por nga ana tjetër kemi dhe Shkollën Normale që është hapur në vitin 1909, një ansambël vokal instrumental nga nxënësit që mbaronin atë shkollë (djem dhe vajza), të cilët mësonin për mandolina dhe violinë. Pra, këto të dyja ishin instrumentet që  mësoheshin më shumë në atë kohë në shkollë. Ky ansambël i shkollës udhëhiqej nga Sofokli Papristo, një violinist që kishte mbaruar në Itali.  Në Durrës ishte Luigj File dhe Sulejman Gjevori. Në Sarandë e Himarë dhe në gjithë zonën e bregdetit, ishte Neço Muka. Ai ngriti një Ansambël tek konvikti ‘Çamëria’ në Sarandë një grup koral me pjesë të ndryshme, i cili me këtë grup bëri në Paris dhe disa disqe me këngë himariote dhe polifonike. Kjo periudhë zgjat deri në vitin 1944 mund të themi.  Pra, periudha kur aktivitetin muzikor e kishin shoqatat patriotike dhe ata mund t’i cilësojmë si organizatorët, udhëheqësit, dirigjentët e këtyre bandave ose fanfarave muzikore. Ata edhe përshtatnin në formacione të ndryshme pjesët patriotike, këngë për trimat,  por edhe pjesë nga kompozitorët e shquar perëndimorë si Shubert, Bethoven, Moxart, Verdi.

 

Për të ardhur në periudhën e tretë…

 Pas viteve 1944-1945, tashmë vjen një periudhë tjetër. Zhvillimet artistike në vend pas Luftës së Dytë Botërore dhe intensifikimi gjithnjë e më shumë i jetës artistike, bënë që në harkun kohor 1944-1956 të merrnin jetë disa nga institucionet më të rëndësishme artistike në vend, si Liceu Artistik “Jordan Misja”, Teatri Popullor, Kori i Përgjithshëm i Shtetit, Kori i Ushtrisë Popullore. Shumë shpejt, pranë Korit të Përgjithshëm të Shtetit u mblodhën dhe formacione të tjera artistike, si Orkestra Simfonike, artistët lirikë, etj. Për zhvillimin e artit koreografik u krijua trupa profesioniste e baletit. Të gjithë këta kolektiva formuan Filarmoninë e Shtetit, e cila pati një aktivitet të pasur artistik. Aktiviteti gjithnjë e në rritje, përfshiu pranë Filarmonisë edhe trupën e baletit.

 

Pra, tani filluan të ngrihen të ndërtohen institucionet artistike kulturore?

 Them institucionet, sepse veprimtaria e një dirigjenti, e një udhëheqësi, e një drejtuesi e një organizatori të një trupe  artistike muzikale vokale apo instrumentale, lidhet me atë se kush do t’i organizojë. Pra, kishte ikur koha e shoqatave patriotike e kishte ardhur koha e institucioneve. Kështu u hap Liceu artistik në vitin 1946. U formua Filarmonia e Shtetit. Teatri i Operas 1953, Konservatori Shtetëror në vitin 1962. Në këto kushte e mori shteti drejtimin e aktiviteteve muzikore. Kështu që për drejtuesit, organizatorët, dirigjentët apo kompozitorët hapet një rrugë e madhe shumë më profesionale. Kështu, në këtë kohë ngrihet Kori i shtetit me drejtues Kostandin Trakon në vitin 1950, që ishte dhe kompozitor.  Kemi Korin e Ushtrisë  me Gaqo Avrazin (drejtor i gjithë Ansamblit të Ushtrisë)  dhe Koço Uçin dirigjent. Në të njëjtën kohë, këta ishin dhe kompozitorë pasi edhe kanë krijuar, edhe kanë orkestruar, edhe kanë drejtuar dhe udhëhequr këtë  institucion formacion. Më vonë, vjen një etapë tjetër  pas ngritjes së këtyre institucioneve shumë të rëndësishme.  Dalin nga shkollat ruse, ato çeke dhe nga shumë shkolla të tjera të Lindjes, shumë dirigjentë, kompozitorë. Dalin një plejadë e shkëlqyer si Mustafa Krantja, Rifat Teqja, Simon  Gjoni, Vangjel Nova (edhe kompozitor i TKOB), Fiqiri Kraja në Opera dhe e para dirigjente femër Rozmari Jorganxhi e korit të Operas. Pastaj kemi Milto Vako, dirigjent i korit të Opears  dhe Ansamblit të Shtetit të Këngëve dhe Valleve. Ky ishte një brez që i dha shumë shtysë muzikës shqiptare, një brez i përgatitur dhe me vizion pasi kishte shkolla të ndryshme me shumë eksperiencë. Ishte një hap  cilësor shumë i rëndësishëm, shumë profesional i të gjitha trupave të Orkestrës  së Operës, korit të Operas, korit të Ushtrisë, muzikës së lehtë në përgjithësi, por mund të them me bindje një hap galopant i të gjithë jetës muzikore të vendit. Paralel me këto institucione, një zhvillim të madh pati dhe jeta kulturore artistike në qytet kryesore të vendit. Kryesisht pati një zhvillim muzika në ato qytete ku kishin lënë gjurmë shoqatat apo shoqëritë kulturore patriotike. Në këto vite, në Shkodër kemi Preng Jakovën që ishte dirigjent i bandës së Shkodrës, por edhe kompozitor që ka lënë pas shumë vepra të krijuara.  Ai ishte njëkohësisht dirigjent i Bandës së Shkodrë, dirigjent i Korit dhe Orkestrës Simfonike. Kompozitorët e mëvonshëm si Çesk Zadeja,  Tonin Harapi dhe shumë të tjerë të këtij kontingjenti ishin të gjithë nxënës të Preng Jakovës. Ai ishte Kapel Maestri, nëqoftëse do ta quajmë sipas gjuhës muzikore. Ky emërtim ka ardhur qysh në kohën e Bahut. P.sh. Bahu ishte kompozitor, por ai njëkohësisht ishte Kapel Maestër i qytetit të tij, udhëhiqte jetën artistike të qytetit. Në Korçë, kemi Kristo Konën  që ka shkruar dhe Operan “Lulja e Kujtimit”. Ai ishte Kapel Maestër i qytetit, udhëheqës, organizator, dirigjent i gjithë aktiviteteve muzikore në Korçë. Në Vlorë ishte Themistokli Mone. Në Elbasan ishte Baki Kongoli dhe Mitat Stringa, të cilët kanë krijuar dhe kanë përshtatur, kanë shkruar për koret. Në Durrës ishte Pjetër Dungu dhe Enver Mara, të cilët kanë shkruar, njihen si kompozitorë, por edhe si dirigjentë. Ata kanë pas udhëhequr gjithë jetën artistike në Durrës. Siç ishin ata më sipër në Tiranë, këta ishin në rrethe apo qytete kryesore të Shqipërisë.

 

Po kur u hap Konservatori i Tiranës, si vazhdoi puna?

 Pasi u hap Konservatori i Tiranës, 1962, rreth vitit 1970 e më sipër na del një brez tjetër dirigjentësh dhe drejtuesish apo organizatorësh të aktiviteteve, si në Shkodër Jetmir Barbullushi dhe Aleksandër Qyteza, në Elbasan Blerim Narazani  dhe Sulejman Baltëza. Këta të dy kanë mbaruar për dirigjentë e kanë drejtuar si dirigjent, por dhe kanë drejtuar gjithë jetën muzikore të Elbasanit. Kështu, kemi Rikard Jorganxhi dhe Ilir Erzeni në Korçë, të cilët pas Kristo Konës morën drejtimin e gjithë jetës muzikore në qytet, si të korit e të Bandës “Lira”. Po pas disa vitesh, kemi dhe një brez tjetër  si Nexhmedin Doko, Andon Qirko, Agim Krajka dhe Xhemal Laçi, i korit të Ushtrisë.

 

Mund të na flisni më gjerë për punën specifike të Agim Krajkës?

 Agim Krajkën e njohin si kompozitor, por ai qe dirigjent i Asamblit të Këngëve dhe të Valleve prej shumë vitesh, që kur mbaroi Konservatorin për kompozicion. Pas shkollës, u caktua në Ansamblin e Shtetit e për një kohë të gjatë ishte edhe një fizarmonist i shkëlqyer. Agim Krajka ka kompozuar shumë këngë të muzikës së lehtë dhe ka marrë shumë çmime të para. Mbetet një instrumentist virtuoz në fizarmonikë. Ishte dhe një dirigjent me shumë rëndësi. Ashtu si Panajot Kanaçi, i dha një rëndësi të madhe trupës së valles në Ansamblin e Shtetit në krijimet e tij të koreo-grafisë popullore, nga ana tjetër po me kaq rëndësi ai ishte edhe në formacionin e orkestrës. Ndërtoi një strukturë në Formacionin e Orkestrës që s’ishte deri në atë kohë, aranzhimet, përshtatjet e valleve e këngëve që shoqëronin solistët, por të karaktereve të ndryshme, apo për korin. Ai me klasin dhe talentin e tij i dha një intonacion, një formatim që edhe sot ta dëgjosh ka një fytyrë tjetër orkestra. Të luash në Ansambël ka vështirësi, pasi duhej t’i vije në emërues të përbashkët të gjithë orkestrantët me temperamente, tipe, karaktere, mendësi të ndryshme. Pra, nuk mund të bashkosh dy njerëz në një mendje, hajde të bashkosh në tingull një orkestër me 80 veta. Kjo është pika kryesore dhe njëkohësisht pika më delikate që ka dirigjenti.

 

Çfarë do të thotë të jesh dirigjent?

Dirigjenti duhet të imponohet, duhet të jetë shumë autoritar, ndaj ka cilësinë e imponimit, pasi duhet të tregojë se si duhet të luhet në instrument, por edhe në kolektive. Është ndryshe loja individuale, ndryshe loja kolektive. Nëse secili në orkestër do bëjë lojë individuale, atëherë do të dalë një muzikë e çakorduar. Dirigjenti kontrollon, shikon, vëzhgon, orienton dhe organizon me vëmendje absolute. Ka një rol të madh, pasi nëse ai nuk imponohet, zbehet puna e orkestrës. Qoftë në Ansamblin Orkestral, qoftë në atë vokal, rëndësia e dirigjenti është e padiskutueshme. Dirigjenti unifikon tingëllimin që jep zërin e përbashkët të tingullit harmonik. Për kohën e vet, për qytetet ku kanë qenë të gjithë këta dirigjentë, ata kanë arritur të nxjerrin në dritë nëpërmjet instrumentit, botën e madhe shpirtërore të të gjithë  muzikantëve në një orkestër.

 

Si u krijua Teatri i Operas e Baletit?

Në prill të vitit 1953, Filarmonia e Shtetit bashkohet me Teatrin Popullor dhe disa muaj më vonë vendosin në skenë Operën “Rusalka” të Dargomyzhsky-it (1953). Suksesi i këtij realizimi ishte vendimtar dhe zyrtarizoi përpjekjet për themelimin e Teatrit Lirik të Operas dhe Baletit, të cilat u realizuan më 7 shtator të vitit 1956, kur Këshilli i Ministrave me vendim nr. 376, (dt. 7/IX/1956) vendosi t’i japë jetë Teatrit Lirik të Operas dhe Baletit, si një institucion më vete i rëndësisë kombëtare. Streha e parë e këtij teatri ishte godina e Teatrit Popullor. Më 1958, Teatri Lirik i Operas dhe Baletit u zhvendos në godinën që sot quhet Universiteti i Arteve, deri sa më 1966, përfundimisht, u vendos në qendër të kryeqytetit, aty ku ndodhet edhe sot, në Pallatin e Kulturës. Teatri Lirik i Operas dhe Baletit, i quajtur sot Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor përbën institucionin më të rëndësishëm në vend që promovon dhe ruan vlerat unike të artit operistik, baletit dhe muzikës folklorike e tradicionale shqiptare. Në historinë e tij, ashtu sikurse dhe i gjithë vendi, TKOB njohu censurën e diktaturës komuniste, ku veprat e mëdha të repertorit operistik botëror u luajtën fare pak duke i lënë vendin krijimtarisë kombëtare, e cila u rrit ndjeshëm. Pas rënies së sistemit totalitar (1992), megjithëse i kishte shpëtuar diktaturës komuniste, TKOBAP do të kalonte krizën e radhës me mungesën e artistëve të cilët po largoheshin nga vendi për një jetë më të mirë. Në vitet 1992-2010, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, pavarësisht tranzicionit ekonomik në të cilin u gjend i gjithë vendi, rigjeti rrugën e tij duke vënë në skenë vepra të repertorit botëror dhe atij kombëtar.

 

OPERA

Opera është pjesë e traditës së muzikës klasike të Perëndimit. Ajo ka filluar në Itali në fund të shekullit të 16-të (me veprën e humbur te Jacopo Peris’e Dafne, të prodhuar në Firence më 1598) dhe shpejt u përhapën nëpër pjesën tjetër të Evropës: Schütz në Gjermani, Lully në Francë dhe Purcell në Angli, ku të gjitha ndihmuan për të arritur traditat nacionale të tyre të shekullit XVII. Në shekullin XVIII, opera italiane vazhdoi të dominojë shumicën e Evropës (përveç Francës), duke joshur kompozitorë të huaj si Hendel. Opera-seria ishte një nga format me prestigjioze të operave italiane, derisa Gluk kundërshtoi artificialitetin e saj me operat “reforma” te tij në vitin 1760. Në vitet 2000, figura më e njohur e fundit të shekullit XVIII në opera është Mozart, i cili filloi me opera-seria, por është më e njohur opera komike italiane, sidomos Martesa e Figaros (Le Nozze Di Figaro), Don Gjovani, dhe Così fan tutte, si dhe Flauta Magjike (Die Zauberflöte), si një pikë referimi në traditën gjermane.

 

Orkestra simfonike

Ajo është orkestër e përbërë prej 80-100 instrumentistëve, të ndarë në katër seksione kryesore: harkorët, frymorët e drunjtë, frymorët e tunxhit dhe perkusionet. Repertori i këtij formacioni orkestral është i larmishëm dhe përpos ekzekutimit të veprave të formacionit më të vogël se ai standard ekzekutohen edhe vepra për formacion edhe më të madh si për solistë e orkestër (koncerte) dhe vepra vokalo-instrumentale, me ç’rast këtij formacioni i bashkëngjiten edhe kori dhe solistët vokal (kantata, oratoriumi etj.). U formua në vitin 1950 së bashku me Filarmoninë e Shtetit. Në të bënin pjesë orkestrantë të përgatitur fillimisht në gjimnazet dhe shkollat e mesme të përgjithshme. Orkestra Frymore e Ushtrisë dhe më pas në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Aktiviteti i saj artistik ka filluar me koncertet dhe shfaqjet që jepte Filarmonia e Shtetit dhe në vitin 1953 ajo u bë pjesë e Teatrit të Operas dhe Baletit. Gjatë viteve të mëvonshme, ky kolektiv artistik u pasurua me instrumentistë të përgatitur fillimisht në konservatorët e vendeve lindore, si Pragë, Laipcig, Sofje, e më pas nga Konservatori Shtetëror i Tiranës. Orkestra Simfonike e TKOBAP ka dhënë e jep një kontribut të çmuar në interpretimin e krijimtarisë skenike të kompozitorëve tanë dhe atyre botërorë. Dirigjenti i parë i saj ka qenë mjeshtri Mustafa Krantja, dhe më pas Rifat Teqja, Simon Gjoni, Ermir Krantja, Fiqiri Kraja, Bujar Llapaj, Edmond Doko, si dirigjentë të brendshëm të institucionit. Kjo orkestra ka interpretuar në koncerte dhe shfaqje skenike edhe me dirigjentë, instrumentistë, këngëtarë dhe balerinë të ftuar, nga vendi dhe të huaj, duke marrë edhe vlerësime mjaft pozitive nga personalitete të fushës. Nga kjo orkestër kanë dalë solistë dhe orkestrantë të talentuar, si dhe ansamble të muzikës së dhomës. Në fondin e çmuar të incizimeve muzikore që disponon fonoteka e Radio Televizionit Shqiptar si dhe mediat private audiovizive, një vend të rëndësishëm zënë pjesët e incizuara dhe filmuara nga orkestra simfonike dhe artistët e TKOBAP. Krahas repertorit të kompozitorëve tanë, si: Zadeja, Zoraqi, Daija, Harapi, Ibrahimi, Dizdari, Peçi, Laro, etj., kjo orkestër ka interpretuar me shumë sukses vepra simfonike të kompozitorëve të mëdhenj botëror si: Mozart, Haydn, Bethoven, Brahms, Dvorak, Hajden, Ëagner, Çajkovski, Orff, Strauss, etj., krahas repertorit operistik, koreografik shqiptar e botëror.

Kontrolloni gjithashtu

Flet, Vitore Stefa Leka: Ku i çojnë këta ministra milionat që vjedhin?!

Flet, Vitore Stefa Leka: Ku i çojnë këta ministra milionat që vjedhin?!

-Në Shqipëri po rregullohen rrugët, qytetet, por drejtësia, shëndetësia, arsimi, janë për faqe të zezë. …