Ernest Luma: "Ju flet Kosova e Lirë" ishte tingulli, që na rrëqethi të gjithëve

Ernest Luma: “Ju flet Kosova e Lirë” ishte tingulli, që na rrëqethi të gjithëve

NGA MEMORJA E LUFTËS…
(Gërgoc-Dushkajë, 4 janar 1999)
Snajperistë të armikut, të vendosur në Sukë të Cërmjanit, e thyenin kohë pas kohe heshtjen atë pasdite janari 1999, në drejtim të konakut të familjes së nderuar Nimani, në Gërgoc të Dushkajës. “Çerqizi” i UÇK-së në atë zonë, Samiu, i “neutralizonte” krismat armike me këngën dhe humorin e tij, që nuk mungonte as në ato momente, ndërkohë që në një tranzistor dore, bashkë me komandant “Tigrin” – Fadil Nimanin dhe me shumë ushtarë të tjerë të lirisë, e pritnim edicionin e parë të lajmeve në Radion “Kosova e Lirë”, në orën 16:00. Pikërisht sot dy dekada më parë. “Ju flet Kosova e Lirë”, tingelloi përshëndetja, që na rrëqethi të gjithëve. E, pas saj, një batare automatiku nga Komandant “Tigri” dhe togu i tij i ushtarëve, në rresht.
Atë natë, në Gërgoc, festuam, derisa jashtë shtrihej ngadalë terri, mbi borën e bardhë dhe lisat e borëzuar të Dushkajës tipike në dimër. Qetësinë e jashtme e thyenin vetëm lehje sporadike qenësh dhe snajperët e armikut. Por, festën s’e zbehnin ato, as humorin e “Çerqizit”, e as gëzimin në sytë e “Tigrit” dhe të secilit prej nesh.
“Ju flet Kosova e Lirë”. Për herë të parë u ndjeva triumfues dhe shumë më i fuqishëm ballë atyre që e kishin pushtuar përkohësisht Sukën e Cërmjanit.
P.s. Sot, u mbushën 22 vjet të Agjencisë së Lajmeve Kosovapress dhe të Radios “Kosova e Lirë”, të themeluara më 4 Janar 1999, me vendim të SHP të UÇK-së.
Urime të gjithëve e, veçanërisht, atyre që ishin bartës të themelimit, ngritjes dhe zhvillimit të kërtyre dy prej institucioneve të para të lirisë sonë!

Kontrolloni gjithashtu

Ali Hertica

Mr. Ali Hertica: Pse politikanët gënjejnë njerëzit dhe cilat janë arsyet

Të gjithë gënjejnë; ky është një fakt i provuar mirë i psikologjisë njerëzore. Një pyetje …