leoni

Kryetari Thaçi: Vrasësit që kanë kryer krime, kurrë nuk do të mund të kthehen në Kosovë

Eufemizmi i Hashim Thaçit: Jo ndarje të Kosovës por “korrigjim” të kufijve me Serbinë

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe pse mohoi kategorikisht se nuk  do të ketë ndarje të Kosovës, e pranoi se do të ketë korrigjim të kufijve shtetërorë dhe kjo nuk i duket se është e njëjta. Ai deklaron se do të kemi korrigjim të kufijve, sikurse që kemi pasur  me të gjitha shtetet e rajonit, (kuptohet përveç Shqipërisë, sepse këtë nuk e lejon BE-ja), kemi arritur marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi edhe me Maqedoninë. Me rastin e njohjes reciproke të dy vendeve do të kemi kufij shtetërorë me Serbinë, meqë  kemi rreth 400 km. vijë kufitare me tç tha Thaçi, ndërsa shprehu bindjen se edhe NATO-ja do ta ndihmojë Kosovën në këtë aspekt. Ai tha se çështja e ndarjes së Kosovës nuk është biseduar asnjëherë dhe këtë e quajti gënjeshtër.

Retorika dhe frazeologjia lakonike e Thaçit, nuk prodhon asgjë të re, sepse ndarja e territoreve, shkëmbimi i territoreve, korrigjimi i territoreve në kufijtë mes dy shteteve, në esencë nënkuptojnë të njëjtën, pavarësisht retorikës dhe  përpjekjeve për të kamufluar diskursin aktual të shprehjeve në mediet tona. Thaçi më në fund po detyrohet ta pranojë se nuk kurrfarë vijash të kuqe me Serbinë, se do të diskutohet për të gjitha çështjen dhe Serbia edhe kësaj radhe do të fitojë në korrigjimin e kufijve, ashtu sikur ka fituar Mali i Zi dhe Maqedonia.

Thaçi tash për tash na siguron se  nuk do të ketë ndarje të Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë, meqë këtë e ka kërkuar sa e sa herë Beogradi zyrtar, sidomos ministri i jashtëm Daçiq, i cili qysh moti ka hedhur idenë që ndarja të bëhet përmes vijës hekurudhore Mitrovicë-Hani i Elezit, ide e kamotshme e babait të tij politik, satanait Milosheviq dhe kjo nënkupton që pjesa verilindore e Kosovës t’ i jepet Serbisë dhe pjesa tjetër Shqipërisë.

Këtë natyrisht se Thaçi nuk do ta pranonte, edhe po ta pranonte Ilir Meta apo Salih Berisha dhe kjo sipas tij nuk është pak. Por meqë Thaçi na siguron se nuk do të ketë ndarje të tillë, natyrisht se tani përgatitet të na tregojë se ndërrime në kufi edhe do të ketë, madje korrigjime të dhembshme, të cilat me siguri se nuk do të jenë të dhembshme për Beogradin, por si gjithnjë do të jenë të dhembshme për Kosovën, apo nuk do të jetë fare të dhembshme më në fund nëse për një kohë kamuflohet dhe rregullohet sipas modelit të demarkacionit me Malin e Zi.

Serbia, në këtë korrigjim-ndarje,  do të marrë disa komuna të veriut, nuk do të diskutojë fare për tri komunat e Kosovës Lindore, e cila edhe ashtu po mbetet “Preshevska Dolina”, sepse ashtu po e emërtojnë edhe vetë politikanët e asaj treve të Shqipërisë, madje edhe politikanët tanë përgjithësisht. Nuk e di se a do ta quajë  edhe një herë tjetër “Kosovë Lindore”, kryeministri Haradinaj, pas reagimit të ashpër të Gjuriqit dhe të ministrave e zëvendës-ministrave të tij të Listës Serpska.

Natyrisht se edhe në këtë rast nuk është e njëjtë, Lugina e Preshevës me tri komunat e Kosovës Lindore dhe komuna të tjera të dikurshme të Kosovës Verilindore, të cilat serbët e përkrahur nga rusët dhe të gjitha shtetet e Evropës, na i morën para 140 viteve.

Andaj, nuk flitet më për ndarje apo shkëmbin të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, por kryetari Thaçi paralajmëron se do të ketë vetëm korrigjim të kufijve, sa për fillim, ashtu sikur ndodhi me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ai, me nervozizëm të theksuar thërret opozitën ta përkrahë dialogun që e ka zhvilluar me Serbinë në Bruksel, që prej  verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendim i cili kishte tronditur Serbinë dhe kishte ngjallur ‘keqardhje” për humbjen  edhe të adutit të fundit të saj në segmentin e së drejtës ndërkombëtare. Asokohe, Thaçi,  po me këtë retorikën e sotme na pat thënë se do të ketë vetëm bisedime teknike, për cikërrime teknike, për kadastra e ngastra dhe assesi për bisedime politike, sepse  për bisedime të tilla kishte vija të kuqe. Pastaj me cinizmin e tij karakteristik po ashtu pati thënë se  Asociacioni do të jetë vetëm një OJQ, se Serbia do ta pranojë së shpejti Pavarësinë e Kosovës dhe të tilla “avaze” të cilave besoj se nuk iu ka besuar kurrë, sepse Thaçi mund të jetë gjithçka por torollak, naiv e  budalla nuk është. Kjo çka ka përgatitur tani kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, do të jetë një surprizë, gjithsesi e dhembshme, madje edhe për vetë Thaçin,  por a do të jetë e pranueshme për çlirimtarët e Kosovës, për mijëra familje  të dëshmorëve e martirëve, për ata 18 mijë veteranët e vërtetë, kjo do të shihet së shpejti. Të shpresojmë se këtë nuk do ta pranojë as opozita, edhe pse në luftën e saj për pushtet është ndarë e përçarë nga brenda e nga jashtë

Qëndrimet kontroverse të Thaçit i ka përkrahur edhe Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati. Në një intervistë me Damon Wilson, zëvendëspresident ekzekutiv i Këshillit Atlantik (Forum për çështjet ndërkombëtare), ka thënë se shkëmbimi territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të shkonte kundër frymës së të gjitha përpjekjeve të bëra në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit, por sipas tij ka ardhur koha që të bëhen lëshime të dhimbshme. Bushati ka thënë se duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të mos hapet kutia e Pandorës për raste të tjera në rajon, por sipas tij, ka ardhur koha për Serbinë dhe Kosovën që të bëjnë lëshime të dhimbshme dhe me shpresë të arrijnë një marrëveshje reciprokisht të dobishme, e cila gjithashtu mund të jetë ligjërisht e detyrueshme. Ky Bushati që kur është fjala për patriotizëm, krekoset  për origjinën e tij nga bushatllinjtë, por në marrëveshjen e arritur me Greqinë, së bashku me kryeministrin Rama, kanë bërë lëshime pak më shumë se të dhembshme, madje kanë bërë edhe lëshime të turpshme, të cilat fyejnë identitetin kombëtar të çamëve, prejardhjen shqiptare të arvanitasve dhe janë zotuar se çamët e arvanitasit të hiqen madje edhe nga tekstet e Historisë së Shqipërisë.

“Ajka” e sotme e politikës shqiptare në Tiranë, Prishtinë e në Shkup, nuk përfaqëson interesin unik shqiptar në Ballkan, por përfaqëson nënshtrimin, në një segment edhe  “historik”, servilizmin ndaj gjithë të huajve pa dallim, nënshtrimin vetëm për të qëndruar në pushtet, për t’ u begatuar e për t’ u pasuruar në kurriz të tokave të Atdheut, ashtu sikur kanë bërë edhe shumë politikanë të tillë shqiptarë në kohët e kaluara.

Ky injorim i interesit të përgjithshëm shqiptar në Ballkan nga BE-ja, dhe ky nënshtrim i plotë nga krerët shqiptarë  në Tiranë, Prishtinë e në Shkup, doemos se do të rikthejë në skenë atdhetarinë e vërtetë shqiptare, ajo atdhetari që del nga mesazhet e idesë së natyrshme të çlirimit e bashkimit kombëtar dhe që një ditë do të shpërthejë, ashtu sikur kanë shpërthyer gjithnjë luftërat e drejta çlirimtare, të cilat nuk ka pasur,  as ka forcë në botë,  që t i thyejë e t’ i nënshtrojë, sepse ideali për liri e bashkim është mesazh historik është i pathyeshëm dhe i patjetërsueshëm.

 Askush nuk ka pasur as ka të drejtë të bëjë lëshime të “dhembshme” të kurriz të tokave tona, të lara me gjakun e dëshmorëve gjatë shekujve. Lëshimet e tilla në të kaluarën janë bërë shpeshherë, por ato kanë ngelur në vulën e tradhtisë kombëtare. Po kështu këta që po nënshkruajnë shitjen e interesit kombëtar, Greqisë e Serbisë, duhet t’iu përkujtojmë se atdhetarët e njëmendtë shqiptarë nuk e kanë nënshkruar shkatërrimin e Atdheut  në Konferencën e Londrës së vitit 1913 ( mbase edhe nuk kanë qenë fare të ftuar, sepse për ne asokohe ka nënshkruar Evropa), nuk kanë nënshkruar Kongresin e Versajës në vitin 1918, por kanë protestuar nëpër të gjitha kancelaritë e Evropës e më gjerë ( Fishta, Noli, Gurakuqi, Hasan Prishtina, etj.)  nuk kanë qenë fare të pranishëm  në Jaltë, në vitin 1945 dhe për fatin e tyre kanë nënshkruar Franklin D. Roosevelt (Shtetet e Bashkuara të Amerikës), Winston Churchill (Mbretëria e Bashkuar) dhe Josif Stalin (BRSS).

Nuk duhet harruar faktin se Enver Hoxha nuk e kishte nënshkruar aktin final të Marrëveshjes së Helsinkit, në vitin 1975  për pa ndryshueshmërinë e kufijve në Evropë, pavarësisht se nuk e ndalonte dot.

Ku është sot kjo marrëveshje?

Janë prishur kufijtë mes dy Gjermanive, janë ndarë nga Rusia dhjetëra shtete janë shpallur shtetet e reja në Ballkan dhe kufijtë kanë lëvizur dhe do të lëvizin gjithnjë, por nënshkrimi në dëm të kombit e atdheut ka një mallkim të pashlyeshëm në memorien e kombit, mallkim që është përcjellë nga koha në kohë, qysh nga Epoka e Skënderbeut e deri në ditët tona.

1.8.2018

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Sajid Iravani, ka thënë se Izraeli e di mirë, cila do te jetë hakmarrja e dytë, e njëmendtë

Ambasadori iranian, në OKB,  Amir Sajid Iravani, gjatë takimit urgjent në Këshillin e Sigurimit, të …