Në mbledhjen e së mërkurës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, diskutoi për numrin e vëzhguesve që organizatat kanë dërguar për akreditim, si dhe për veprimtaritë e tyre, ku u ngritën dyshime mbi qëndrueshmërinë dhe përvojën e disa prej tyre. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, shprehu shqetësimin për fenomenin e organizatave të ashtuquajtura joqeveritare, të cilat krijohen në minutat e fundit vetëm për t’u akredituar si vëzhgues zgjedhor, pa pasur përvojë të mëhershme apo aktivitet real. “Në çdo proces zgjedhor shfaqen organizata që ekzistojnë vetëm në letër, pa aktivitete të mëhershme dhe shpesh edhe me zyra fiktive,” shkroi Cakolli në një postim në Facebook. Ai theksoi se këto struktura nuk janë rastësi, por pjesë e një skeme për të keqpërdorur vëzhgimin zgjedhor për interesa politike. Sipas tij, standardet ndërkombëtare janë të qarta: vëzhgimi qytetar duhet të bëhet nga organizata të pavarura, me kapacitet real dhe metodologji të mirëfilltë. Cakolli i bëri thirrje KQZ-së që të tregojë më shumë kujdes në procesin e akreditimit dhe të sigurohet që përfaqësimi i shoqërisë civile në vëzhgimin zgjedhor të jetë i vërtetë dhe i besueshëm, jo i simuluar nga aktorë politikë apo parapolitikë.
