Ushtruesja e detyrës së Shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, po përfundon angazhimin e saj në Kosovë pas më shumë se tre vitesh. Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila ka vlerësuar se gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës kanë hyrë në një kapitull të ri. Në mesazhin e saj të fundit, Palatova u ka bërë thirrje institucioneve dhe aktorëve politikë në Kosovë që të vazhdojnë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian në mënyrë konstruktive dhe të fokusuar në zgjidhjen e problemeve. Ajo ka theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët dhe të bashkëpunimit institucional në procesin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së. “Apeli i saj i fundit drejtuar autoriteteve dhe aktorëve politikë të Kosovës është që të angazhohen me BE-në në një mënyrë konstruktive, bashkëpunuese dhe zgjidhëse të problemeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së. Palatova ka shërbyer për më shumë se tre vjet në Kosovë, ndërsa largimi i saj vjen në një periudhë kur marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian vazhdojnë të jenë të fokusuara në procesin e integrimit evropian dhe në përmbushjen e reformave të nevojshme. Zyra e BE-së ka përcjellë mesazhin se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë i pranishëm dhe ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
