Familjarët e 23 të zhdukurve bëjnë homazhe në Kalludër

Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, familjarë të personave të zhdukur dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë bërë homazhe në Kalludër të Zubin Potokut. Vizita është zhvilluar në lokacionin ku është zbuluar një varrezë masive, në shenjë nderimi për viktimat dhe solidariteti me familjet që prej më shumë se dy dekadash janë në kërkim të së vërtetës për fatin e të afërmve të tyre. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe familjarët e 23 personave të zhdukur, eshtrat mortore të të cilëve janë zbuluar në varrezat masive në territorin e Zubin Potokut. Për familjet e të zhdukurve, kjo ditë mbetet një moment i rëndësishëm për të rikujtuar tragjedinë e tyre dhe për të kërkuar zbardhjen e plotë të fatit të personave që vazhdojnë të figurojnë si të zhdukur. Homazhet në Kalludër u zhvilluan si një thirrje për të mos u harruar viktimat dhe për të vazhduar përpjekjet për zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur me forcë. Pamjet nga vendi janë realizuar nga gazetari i Klan Kosovës, Besnik Tahiri.

Kontrolloni gjithashtu

Fiknete Mazrekaj: Kur heshtja bëhet bashkëfajësi, nuk mund të hesht përballë atyre që keqpërdorin vlerat e luftës

Fiknete Mazrekaj, motër e dy dëshmorëve të atdheut, ka reaguar ashpër përmes një postimi në …