leoni

Fadil Nura kërkon shkarkimin e dy përfaqësuesve të PDK-së në KQZ

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka kërkuar nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, që të shkarkojë dy përfaqësuesit e kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshanin dhe Ilir Gashin. Nura ka deklaruar se të dy zyrtarët kanë dështuar në përmbushjen e përgjegjësive të tyre, duke mos mbrojtur qëndrimet dhe dinjitetin e PDK-së në mbledhjet e KQZ-së. “Në vend që të kontribuojnë në mbrojtjen e qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të reagojnë ndaj fyerjeve e sulmeve të përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, këta anëtarë kanë dështuar të mbrojnë dinjitetin dhe qëndrimet politike të partisë. Sjellje të tilla dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e PDK-së në një institucion të rëndësishëm si KQZ-ja”, ka shkruar Nura. Ai i ka bërë thirrje kryetarit Krasniqi që të ndërmarrë masa të menjëhershme për t’i liruar nga detyra Elshanin dhe Gashin, duke i zëvendësuar me përfaqësues “me integritet të lartë profesional e politik”. Kërkesa e Nurës vjen pas raportimeve për parregullsi në procesin zgjedhor në Mitrovicë, ku disa fletëvotime të kandidatit Faton Peci u gjetën në kutitë e një shkolle me numër të ndryshëm serik. Kompania CETIS ka sqaruar se gabimi është shkaktuar nga një defekt teknik në njërën prej kokave të printerit që shtypte numrat e vendvotimeve.

Kontrolloni gjithashtu

Gjyqtarja e Hagës konfirmon kufizimet ndaj vizitave të Hashim Thaçit

Në rishikimin tremujor të masave ndaj Hashim Thaçit në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, gjyqtarja …