Fadil REXHA: Humori serbosllav banal i Lecit  Xhekit  Stupcave 

Fadil REXHA: Humori serbosllav banal i Lecit, Xhekit, Stupcave 

Humori, satira, në shkrime apo aktrim, janë gjini artistike që thumbojnë, luftojnë, zhdukin dukuri negative të shoqërisë, relaksojnë shikuesit nga ngarkesat e problemeve shoqërore. Humori e satira pëlqehen në shoqëri, shikohen, transmetohen, diskutohen dhe, nëse janë të mirëfillta, kanë jetë të gjatë.  Por, humori dhe satira a mund të jenë të pështirosura? A mund të ngjallin neveri? A mund të ngjallin revoltë? Këte ta shkakton humori banal!

 

Kishim Lecin në vitet e 80-ta! 

Kush ish Leci? Humor i vërtetë do të ishin personazhe nga jeta politike e asaj klase të pushtetmbajtësve serbo-jugosllav. Njerëz naiv, servil ndaj pushtuesit, arrogant, megaloman para bashkëkombasve, të izoluar nga masa, në tendencë për ta fshehur injorancën e tyre, të injoruar nga masa nga veprimet e tyre tradhtare, do të ishin figura të mirëfillta humori dhe satire! Por, kjo kategori, lihej  anash nga artistët me humorin  e tyre banal dhe figurë për humor u gjet një njeri me probleme mendore, një fatkeq, me emrin Lec, një bujk, një blegtor! Banalitet i aktorëve dhe stafit të Radio Televizionit të Prishtinës! Një bujk a blegtor duhet të çmohet, sepse i sjellin të mira shoqërisë, e ushqejnë shoqërinë! Humori dhe satira thumbojnë dukuritë negative të shoqërisë, jo veprimtaritë prodhuese, jo njerëzit fatkeq!

 

Çka ka shpija

Seriali vendor, i transmetuar nga Televizioni i Kosovës, ku nuk paraqet vlera, por sulmon vlerat sublime! Imitimi i çlirimtarit përmes Naser Rafunës, që na paraqitet si frikacak, arrogant. matrapaz, trafikues i qenieve njerëzore, me moral të ç’thurur, me degjenerim, menaxhues i pasurive të fëlliqta, pushtetar i korruptuar, me familje të degjeneruar! Si u gjetë nga Naser Rafuna kjo figurë e çlirimtarit, që në vend se të paraqitet në përmasat kolosale që i ka, ajo banalizohet?! A qëndron një skenarist në hije, që është vetë i korruptuar, tradhtarë, lakmitarë, i degjeneruar, mbeturinë e pushtetit jugosllav, që përmes humorit banal përbalt vlerat kombëtare! Unë e njoh një të tillë, ,,penë e artë” siç e sheh veten! Nuk ju mjaftoi vetëm personalizimi i figurës së çlirimtarit, por seriali i fundit paraqiti edhe uniformën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të banalizuar! Krahas figurës së çlirimtarit, banalizohet edhe Policia e Kosovës, si naive e korruptuar, e manipuluar, e paditur (ashtu siç nuk është), por edhe institucionet tjera shtetbërëse të Kosovës (ashtu siç nuk janë)! 

Kemi ,,Stupcat”

 Një humor i PTC(Radio Televizioni i Serbisë) para lufte, transmetonte humor me ,,Belli Kapat” (Plis Bardhët) ku paraqiteshin naiv, të paditur, budalla, lehtë të mashtruar, e cilësi tjera të paqëndrueshme! RTS me ,,Belli Kapat” sulmonte vlerat tona të mirëfillta kombëtare! Pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, humorin banal të RTS me ,,Belli Kapat” e vazhdojnë ,,Stupcat” me Plis Bardhin Vedat Bajrami si naiv, frikacak, qurran, budalla, me tendencën e tij që të hyjë në trendët bashkëkohore (diskotekë, telefoni të avancuar, etj), në qeverisje familjare naive, etj. Kjo është e neveritshme! Plisi i Bardhë është vlerë kombëtare, mençuri, krenari, moral. Simbol identiteti mijëvjeçar, e jo figurë e humorit banal! Ata që e mbajtën Plisin e Bardhë, krijuan familje të shëndoshë me shumë anëtarë, familje të moralshme dhe të qëndrueshme! Ishin të autoritetshëm, sepse zgjidhnin probleme ndërmjet familjeve të ndryshme, burra që kryesonin kuvende, ishin në ballë të rezistencave popullore kundër pushtuesve! Kujtojmë me respekt Plis Bardhët: Isa Boletinin, Dedë Gjo Lulin, Sylejman Vokshin, Sefë Kosharen, Oso Kukën, Azem e Shotë Galicën, Shaban Polluzhën, Nebih e Tahir Mehën, Dervish Shaqën, Shaban Jasharin, Adem Jasharin, Adem Demaçin, e plotë atdhetarë të mëdhenjtë!

 

Humor banal i Stupcave ishte një aktrim ku ,,gjatë luftës së shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vriten luftëtarët në mes vete, për interesa të ulëta!” Njerëz të caktuar naiv, që ishin larg vijave të frontin, larg Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, larg heroizmit, njerëz butak, thonë: ,,kështu janë vrarë dëshmorët!” E vërteta ishte tjetër, e këtë e dinë ata të vijës së frontit, kur, me vetëdije të lartë e përkushtim, njëri për tjetrin rrezikonte jetën! Çlirimtarët kishin strategji. largpamësi, mençuri, përkushtim, kishin interesa madhore: LIRINË dhe jo naivitete banale! Ishin ekstremist në idealin kombëtar, në përkushtim atdhetar, familjar e shoqëror, shpirtin e butë në ekstrem, por ishin shqiponjë në luftë, ekstremist në qëndrueshmëri para xhelatëve pa i tradhtuar idealin dhe shokët! Shembujt janë të panumërt! Edhe më e rëndë është ky aktrim ,,i vrasjes së bashkëluftëtarëve për interesa të ulëta”, për Familjet e Dëshmorëve, ata të cilët më të dashurit ja falën Atdheut, ata të cilët kanë plagë shpirtërore të pashërueshme!  Heroizmi i Dëshmorëve, dhanë më të shtrenjtën – jetën për Lirinë që e gëzojmë sot, nga të cilët përfituan atdhetarë e tradhtarë dhe sot matrapazë të ndryshëm mashtrojnë masën me humore banale! Turp! Turp për ata që i krijojnë dhe ata që i transmetojnë!

 

Së fundmi: Humor banal me çlirimtarët në burgje. Në burgje kishim dhe kemi njerëz vizionar që ju prijnë epokave: Sylejman Vokshin – Komandantin  e Forcave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – Kryengritje për mbrojtjen e tërësisë së Shqipërisë, Adem Demaçin, Fazli Graiçevcin, Metush Krasniqin, Ukshin Hotin, Halil Alidemajn, Xhemajli Berishën, e qindramijëra të tjerë, Prijësit largpamës dhe strategët e mëdhenjë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Rexhep Bislimin, Azem Sylën, Ramush Haradinajn, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e dhjetëra të tjerë. Lufta e tyre titanike, liria që e gëzojmë, postet tona në institucione. Dhe ne në vend që t’i nderojmë nëpër akademi, bëjmë humor banal. 

Aktori Plis Bardhë,  luftëtari i UÇK-së dhe i burgosuri në Hagë, Vedat Bajrami paraqet në fakt vetveten si njeri naiv, i manipuluar nga të tjerët, me interesa të ulëta, shkurt e shqip pa asnjë vlerë kombëtare e njerëzore!

E gjithë kjo, për mua, është e çartë se i takon luftës speciale të mbeturinave jugosllave, si veprimtari shumëdimensionale me akuza në gjyqe, burgosje të çlirimtarëve, akuza mediatike dhe humor banal kundër vlerave kombëtare! Para se të merrej me të shenjtit çlirimtar, a do të ishte më e shëndoshë në aspektin kombëtar, edukativ dhe moralizues,  me humor e satirë, të trajtohet figura e politikanit servil ndaj padronëve sllavë, qyqar nga lindja e deri në vdekje, e mbledhjes dhe zhdukjes së fondeve! Humoret banale ju sjellin interesa të ulëta individëve e mediave, por dëmtojnë çështjen e shenjtë kombëtare! E për këtë, duhet të turpëroheni ju, aktorë që i banalizoni dhe ju, media që i emitoni! 

Simbolet kombëtare dhe heroizmi i çlirimtarëve, liria, familja janë vlera që duhet të promovohen dhe avancohen dhe jo të përbalten!

Kontrolloni gjithashtu

Fitim Selimi

Fitim Selimi: DIKUSH DUHET DHËNË PËRGJEGJËSI

Pas mburrjeve të vazhdueshme të qeveritareve për shtrirje të sovranitetit në veriun e vendit dhe …