Faik Miftari

Faik Miftari: Kosova laike me lekturë shkollore të fesë katolike

Shkas për të shkruar këtë shkrim u bë vajza ime, nxënëse e shkollës së mesme të ulët, të klasës së tetë, të cilës për këtë muaj arsimtari i gjuhës shqipe ia kishte caktuar lektyrën me titull “Këngët e Sibilave” të autorit, priftit katolik Pjetër Bogdani. Me të parë librin më bëri përshtypje kopertina e saj, me foton e cila prezantonte ikonën kishtare të besimtarëve katolik në tog në pritje të profetit të tyre Jezu Krishtit. Pasi e lexova lekturën, u interesova në shkollë te arsimtari i gjuhës shqipe dhe te një arsimtare tjetër , se a e kanë këtë lekturë të paraparë në programin shkollor, apo ishte vet dëshira e arsimtarit të gjuhës shqipe që e ka përzgjedh këtë lektyrë për nxënësit e tij. Por, të dytë e konfirmuan se lektura në fjalë, ishte paraparë sipas plan programit shkollor për nxënësit e klasës të tetë të shkollës fillore.

Me qëllim të informimit të gjerë të opinionit publik  në vazhdim do të paraqes  disa shënime nga përmbajtja e lektyrës . Qysh nga kopertina shihet se kjo lektyrë është e përcaktuar si letërsi mësimore për nxënësit e shkollës fillore, të autorit Pjetër Bogdani, me titull”Këngët e Sibilave”, dhe me foto të ikonës kishtare në mes me profetin Jezu Krishtin.

Në parathënien e librit, redaktori Arbër A. Rexhaj, jep një përmbledhje të domethënies së lektyrës në të cilin përveç tjerash thekson:”Sibila Kumea, sibila Libika, sibila Delfika, sibila Persika, sibila Eritrea, sibila Samia, sibila Kumana, sibila Elespontika, sibila Frigjia, sibila Tiburtina, të gjitha këto artikulojnë jetën dhe veprën e Jezu Krishtit. Prandaj secila poezi përmbledh një tematikë të vetme religjioze me motive nga jeta e Jezu Krishtit. Përgjithësisht poezitë e Pjetër Bogdanit në këtë përmbledhje sjellin plot imagjinatë tek fëmijët, njohje për figurën e Jezu Krishtit”.

Pas parathënies pason një prezantim të përmbledhjes së poezive në të cilin ceket se cilat janë sibilat dhe çfarë detyre apo veprimtarie bëjnë, të cilat nuk ishin të gjitha nga i njëjti vend dhe nga koha e njëjtë. “Sibilat qenë vashëza fort të ndershme e fort të mira; nuk ishin të të njëjtit vend, as të njëjtës kohë, jetuan sipas ligjeve të natyrës dhe njihnin një Hyj, e disa prej tyre i njihnin fshehtësitë e të mëshiruarit dhe gjërat tjera që i përkisnin Jezu Krishtit”. Prezantimi i përmbledhjes së poezive përfundon me theksimin dhe emërtimin e sibilave, ku në mes tjerash shkruan:”Këtë emër të sibilave ua kanë vënë atyre etërit e shenjtë, sepse sibila do të thotë njësoj si këshillimi i Hyjit, porse këshillimi i Jezu Krishtit, shërbyesit tonë, duke shkruar ardhjen e tij në botë për të shpëtuar njëmend botën”.

Më tutje pasojnë një nga një, gjithsejtë 10 këngë apo poezi, për secilin nga 10 vashëza të quajtura Sibila. Në vjershën e parë me titull”Jeta dhe profecitë e Sibilës Kumea” ceket për prejardhjen e sibilës Kumea e cila ishte me prejardhje nga Kuma e Italisë. Në këtë poezi për sibilën Kumea zgjodha një pjesë të saj në të cilin ceket:”Pashë një kishë të madhe , ku rri Sibila në një vend të lartë të asaj kishe, duke i predikuar popullit, i cili dëgjonet dijen e saj me parashikime”.

Në këngën e dytë me titull”Sibila Libika” përshkruhen mrekullitë që i ka poseduar Krishti, duke i shëruar të  verbëritë , të shurdhëritë , memecët dhe të çalët. Sibila Libika ishte me prejardhje nga Libia. Në mes tjerash në këngën e saj shkruan:”Vajza Mri, e bukura ma fortë se Zanë, Djalin Jesu kërthi e mbaj ngryk ndorë, Për emir ani Jevrejtë e me të Paganë, tue kujtuem, keq me kuvend për gjith’herë, zunë fill, Djalin Jesu fort me përzanë, as vend dë dihet , e pushim me mos i lanë”.

Në këngën e tretë me titull ”Sibila Delfika” thuhet se Delfika ishte me prejardhje nga Delfia, dhe e mori emrin  e saj, romakët i kanë ngritur një statujë, ndërsa ka jetuar në kohën para se të rrënohet Troja. Në mes tjerash në këtë këngë shkruan: ”Vajtonj un’ e mjera një të madhe e të gjamë, se Krishnë mbë kryq e rrahun e keq shemtuem,shëplaka, grushta, helm e ufull i dhan;”.

Në këngën e katërt me titull”Sibila Persika” ceket se Persika ishte me prejardhje nga Persia(Irani), ndërsa emrin e vërtet e ka pas Sambeta, por njihej me emrin e prejardhjes së saj. Në mes tjerash në këtë këngë shkruan:”Kuj do me shelbuem pa rrenë e sherregji, Ndë parrisit vend të gjanjë, si do vetë, Tue trasun’kryet asaj bishe, mirë t’u bamë e shpesh t’u vote n’kishë”.

Në këngën e pestë me titull” Sibila Eritrea” ceket se Eritrea ishte nga qyteti i Jonisë, profecitë e të cilës shumë kush i ka konsideruar marrëzi, të cilin do ta mbajnë në mend për profecitë e saj të larme e rrenacake. Në mes tjerash në këtë këngë të saj shkruan:”Fortë e Sinëzot e shenjtërish harruam, Ishull Muh’, e Surla, jet, e Kalvini,Luterë e mallkon, se bani hile, e ju që fetë latë, e pa kujtuem”.

Në këngën e gjashtë me titull:”Sibila Samia” ceket se Samila ishte me prejardhje nga fshati Samos të detit Egje në Thraki, e cila profetizoi për popullin hebraik që nuk  pranoi dhe njohu Jezu Krishtin si profet të Zotit. Në mes tjerash në këngën e saj shkruan:”Sion se Pashtriku mal Prisrend ma i nalti, falem: se nteje ligja ka me dalë, kur apostujt Krisht’ambel’i përmjalti”.

Në këngën e shtatë me titull:”Sibila Kumana” ceket se Kumana ishte me prejardhje nga Kuma në Azi të Vogël, e cila profetizoi Jezus Krishtin, shërbyesi i ardhshëm i botës që do të lindë nga një nënë e virgjër, shën Mërisë. Në mes tjerash në këtë këngë të saj shkruan:”Isaia si thotë pa çelë derë, del luleja djalë ranxet se Jeseut, posi lili bar, e ndë perdëvërë; ndo si zymbyli ndë prill vetë del dheut, Hyji vetë na permetoj shumë herë”.

Në këngën e tetë me titull:”Sibila Elespontika”, sibila Elespontika u lind në fushat e Trojës të vendit të quajtur Marmiso. Ajo në profecitë e saj ka thënë përveç tjerash:”Shent; shekullit për shelbim, qi dërgon hirrë, kush do të qielltë me pam, kështu adhëron Hyjnë”.

Në këngën e nëntë me titull:”Sibila Frigjia”, sibila Frigjia, ishte nga një qytet i quajtur Ançira  të Azisë së Vogël e cila profetizoi edhe ajo ardhjen e Mesihut shpëtimtarit, Jezus Krishtit:”Kur i lumi Krisht mbet dekanë ndë varr’i plaguam, Gur e dru plasi , e ndysh kishja u da, mbet për tri kohë dita, natejet e pushtuem”.

Në këngën e dhjetë me titull ”Sibila Tiburtina” që ishte me prejardhje nga Tivoli i Italisë, afër Romës. Profecitë e saj paralajmërojnë lindjen e Krishtit në Betlehem, në vendin e quajtur Nazaret, ku në mes tjerash cek:” Tue prituni ndevonë se vjen përsëri, me gjithë shenjtërit ndë dritë rrethuem, të mir’ e të keq drejt me gjykuem”. Në fund të lektyrës shkollore janë edhe tri foto me ikona kishtare nga libri i Pjetër Bogdanit”Çeta e profetëve”.

Mendojë që nuk do të kishte kurrgjë të keqe po të mësoheshin këto përmbledhje këngësh katolike me titull”Këngët e Sibilave” të priftit katolik Pjetër Bogdani, në orën e mësimit të Edukatës Fetare për nxënësit katolik të shkollave fillore të Kosovës, ashtu sikurse që do të ishte e mirëseardhur që të mësohen edhe poezitë apo këngët e Mevlydit në gjuhën shqipe të shkruara për lindjen e profetit tonë, Muhamed, në kuadër të lëndës së Edukatës fetare për nxënësit mysliman të shkollave fillore në Kosovë. Porse në kohën kur me të madhe trumbetohet se Kosova është laike, dhe se feja duhet të jetë larg shkollave, në praktikë veprohet me njëanshmëri, kjo vlen vetëm për fenë Islame, ndërsa për fenë krishtere-katolike ekzistojnë kute të veçanta.

Në përmbyllje te këtij shkrimi lirisht mund te konkludojë se në një Kosovë me shumicë absolute myslimane prej 95%, edhe pse me Kushtetutë Kosova është e përkufizuar si shtet laik, neni 8:”Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”, në shkollat tona fillore nëpërmes plan programeve zyrtare arsimore shkollore propagandohet mësimi krishterë-katolik gjë që në një vend sikurse është Kosova në të cilën në saje të shumicës myslimane mbizotëron toleranca fetare, ndërsa me këto veprime “me” apo “pa” vetëdije të zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, rrezikojnë këtë tolerancë  fetare dhe si të tilla mund të sjellin reagime të paparashikueshme me pasoja shumë të dëmshme, si  dhe mund të shërbejnë si shkas ekstremistëve potencial që të shfrytëzojnë këtë rast për kauzën e tyre negative. Pra, për këtë arsye të gjithë neve duhet të angazhohemi dhe të punojmë që këtë tolerancën fetare që e kemi, për të cilin e gjithë bota na ka zili, të mirëmbajmë, të kultivojmë dhe të kemi shumë kujdes që kjo të mos jetë  vetëm e njëanshme por e gjithanshme, dhe të vlejë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa marrë parasysh përkatësitë e tyre fetare.

18.11.2016

Kontrolloni gjithashtu

Shefqet Dibrani: MONOGRAFI ARTISTIKE NË 20-VJETORIN E ANSAMBLIT "DRITA"

Shefqet Dibrani: MONOGRAFI ARTISTIKE NË 20-VJETORIN E ANSAMBLIT “DRITA”

(Haradin Gashi, “Dy dekada, Ansambli i këngëve dhe valleve “DRITA”, monografi, botues vetë Ansambli DRITA, …