Brickos

“Fati i luleve”, një vepër monumentale për jetën dhe veprën e Jusuf Gërvallës, shkruar nga bashkëveprimtari, Kadri Rexha

Është e mirënjohur legjenda biblike mbi fatin e Josifit, birit të Jakobit, të cilin vëllezërit ziliqarë e kishin shitur si skllav, meqë ata konsideronin se babai e donte më shumë nga të tjerët. Jusufi i historisë shqiptare ka diçka të përbashkët me emnakun e tij të kujtesës biblike. Jusufi ynë kishte marrë rrugën e mërgimit i ndjekur nga “faraonët” sllavë E VASALËT E TYRE SHQIPFOLËS dhe nga atje larg, në dhe të huaj, kishte vepruar me qëllim që t’ iu ndihmonte bashkatdhetarëve në rrugën e tyre të gjatë dhe të mundimshme për çlirim dhe bashkim kombëtar. Përderisa Josifi i biblës kishte kaluar kohën e mundimeve në mesin e faraonëve dhe kishte arritur të mbijetonte, Jusufit tonë ”faraonët” ia kishin këputur jetën në mes, por jo edhe porosinë, ndikimin dhe përkushtimin e tij për ta çliruar kombin nga robëria… 

Kadri Rexha, autor i librave “Kosovë, gurrë e bardhë”, “Fati i luleve”, “Pushkë lajmëtare”, si dhe i qindra artikujve të ndryshëm, tashmë, është emër i njohur i publicistikës shqiptare. Veprimtarinë e tij publicistike dhe letrare e ka nisur në fillim të viteve të 70, me botimin e shkrimeve për rilindësit, sprovave, kritikave dhe vështrimeve mbi letërsinë, traditën, folklorin, filmin, etj. 
Me këtë rast, ne do të marrim në shqyrtim vetëm veprën e tij monumentale: “Fati i luleve-Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla”, botuar në vitin 1993, një monografi e letrare, e cila shkëlqen në të gjitha segmentet, të cilat e përbëjnë një vepër të arrirë, që i përballon çdo kohe.
Përkushtimi i autorit për të shkruar një monografi për bashkëveprimtarin dhe shokun e tij të idealit, Jusuf Gërvalla vërehet në çdo fjali të kësaj vepre, jo vetëm si frymëzim, por mbi të gjitha si përgjegjësi për të ndriçuar deri në detaje veprimtarinë e gjithanshme të kolosit të lëvizjes sonë kombëtare, të cilin së bashku me vëllanë e tij Bardhoshin, dhe veprimtarin, Kadri Zeka, më 17 janar të vitit 1982 i vrau dora e regjimit okupator titist-rankoviqist. 
Duke qenë edhe vetë i përndjekur politikisht, i dënuar dhe i ndëshkuar nga regjimi okupator jugosllav, gjatë fushatës kundër rinisë studentore dhe intelektuale të viteve ’80 të cilët kërkonin liri, barazi dhe Kosovën Republikë, Kadri Rexha, pas daljes nga burgu, sikur i kishte shtruar vetes një detyrë mbi të gjitha detyrat, me qëllim për ta shkruar një vepër për shokun e tij dhe bashkëveprimtarët, të cilët në vitet 70 dhe 80 të shekullit të kaluar i dhanë një hov të ri Lëvizjes Kombëtare shqiptare në Kosovë e më gjerë, duke shtruar kërkesa programatike në drejtim të kalitjes së vetëdijes kombëtare dhe duke përparuar fuqishëm proceset që çonin drejt shkëputjes vendimtare të Kosovës nga Jugosllavia. 

Në librin “Fati i luleve” Kadri Rexha, përmes një metodologjie të përparuar shkencore ka marrë në shqyrtim dhe ka trajtuar me sukses jetën dhe veprën e Jusuf Gërvallës, familjes së tij, shokëve të idealit, bashkëveprimtarëve të shumtë, duke na sjellë mori të dhënash, fakte, argumente krejtësisht reale, duke pasqyruar me besnikëri deri edhe detaje të hollësishme nga jeta e këtij heroi të kohës sonë. 
Ka qenë e vështirë për autorin të vendos për të shkruar një vepër të tillë, meqë jo vetëm njëherë autorë të shumtë, madje edhe me përvojë, kanë marrë mundin për të ndriçuar jetën e kolosëve, por nuk ia kanë arritur, sepse të shkruhet një libër për një personalitet, që ka lënë gjurmë të thella në historinë e lëvizjeve çlirimtare, gjithmonë ka qenë dhe mbetet një punë e vështirë. Duke sqaruar motivet për ta shkruar këtë vepër, autori në “prolog” të librit ka shkruar: “Dëshira për shkruar për Jusuf Gërvallën nuk më ka lindur rastësisht, më parë se të jetë përgjigje e kërkesës së shokëve dhe miqve të mi, si edhe e shumë shqiptarëve që i takova nëpër qelitë e errëta të burgjeve, më tepër se të jetë ndjenjë e fortë e detyrës, për të shkruar për figurat e shquara të historisë dhe kulturës sonë kombëtare….. janë kujtimet e mia borxhe dhe amanet, që i bart si barrë në qenien time vite me radhë”. 
Kadri Rexha ka pasur edhe mbështetjen e bashkëmendimtarëve të Jusufit, për ta ndriçuar biografinë e tij. I gjendur përballë këtij “presioni” të dobishëm, duke konsideruar me të drejtë se ka qenë dhe ka mbetur kurdoherë besnik i idealeve për çlirim dhe bashkim kombëtar, ai i rreket punës me seriozitetin e duhur, dhe për një kohë të gjatë ka grumbulluar të gjitha ato materiale të domosdoshme për të shkruar këtë monografi, pa pretenduar se ka arritur t’i thotë të gjitha. 

Duke qenë se në kohën kur kishte filluar ta shkruante monografinë, Kadriu tashmë ishte emër i njohur, jo vetëm për qarqet tona letrare e publicistike, por një emër shumë i nderuar edhe në radhët e Lëvizjes sonë Kombëtare, ai kishte projektuar idenë për shkrimin e monografisë dhe pas disa viteve, i përballur me të gjitha vështirësitë, me të cilat ndeshet çdo autor i ndërgjegjshëm dhe serioz, kishte arritur që në vitin 1993 ta nxjerrë në dritë këtë monografi, ndër më të realizuarat e letërsisë sonë të këtij zhanri. 

Libri “Fati i luleve” përbëhet nga 39 kapituj, të cilët me mjeshtëri janë sistemuar në tërësinë e veprës. Duke ndjekur një metodologji të përparuar të mbarështimit të lëndës, duke marrë në konsideratë të gjitha elementet përbërëse, të cilat inkorporohen në tërësinë e lëndës, autori i këtij libri ka vjelë ashtu sikur vjelë bleta nektarin, herë afër e herë larg, herë në fusha e herë në male, herë nëpër shtigje të rrezikshme e në kurthe të ngrehura… Ai ka arritur ta përshkruajë me besnikëri e përgjegjësi jetën dhe veprën e Jusuf Gërvallës, fillimisht nga prejardhja, familja, pastaj nga fëmijëria, djalëria, burrëria e deri në ditën kur arma vrastare e pushtuesit e kishte martirizuar, në Untengrupenbach të Gjermanisë, më 17 janar të vitit 1982, së bashku me vëllanë Bardhoshin dhe shokun e idealeve, Kadri Zeka. 
Duke i qëndruar kurdoherë besnik faktografisë, por edhe duke i dhënë cytje meditacionit artistik, duke i stolisur të gjitha këto me një gjuhë të pastër e shumë të pasur me figuracion të shquar artistik, Kadri Rexha në librin “Fati i luleve” i ka shkrirë në një tërësi të gjitha elementet shkrimore, letrare, publicistike e shkencore, për të na dhënë kështu një libër të plotë, për mendimin tim, librin që akordon me majat ku kishte arritur veprimtaria dhe aktiviteti patriotik i Jusuf Gërvallës. Ky vlerësim imi është i faktuar në lëndën, që sjellë vepra prej faqes së parë e deri te ajo e fundit. 
Lexuesi i vëmendshëm dhe ai që ka pasur rastin ta njohë për së afërmi, Jusuf Gërvallën, në këtë vepër zbulojnë të dhëna shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me jetën dhe veprën e këtij heroi të kombit tonë. 
Duke analizuar të dhënat nga origjina e heroit, nga familja, shkollimi, mërgimi në Slloveni, kthimi sërish në Kosovë, puna, angazhimi atdhetar, veprimtaria legale dhe ilegale në dobi të kombit e atdheut, aspirata për liri dhe bashkim kombëtar, ikja për të mos rënë në kthetrat e UDB-së e deri te martirizimi…, jeta dhe vepra e Jusuf Gërvallës është ndriçuar në kohë dhe hapësirë, në sinkroni dhe diakroni, me një vizion të qartë dhe shumë relevant, në mbështetje të fakteve të shumta dhe të pamohueshme. Si e tillë, e përpunuar në të gjitha segmentet, kjo vepër radhitet ndër veprat më të arrira të këtij zhanri të letërsisë sonë bashkëkohore. 

Mendoj se autori i këtij libri ka arritur të përmbarojë monumentin e tij shkrimor, në radhë të parë duke u mbështetur në përkushtimin e vet atdhetar, pastaj edhe fatit, që ishte bashkëkohës dhe bashkëveprimtar me Jusuf Gërvallën si dhe pajisjes me një kulturë të gjerë njohëse, shumë dimensionale, të cilën e disponon ky studiues meritor i letrave tona. 
Në sintezat që autori ka nxjerrë pas punës së tij të gjatë në hartimin e këtij libri, ka vërejtur me vëmendje se “ Jeta dhe vepra e Jusuf Gërvallës nuk janë dy fenomene që kundërshtohen… por ato shkojnë e shkrihen në një fokus duke e dhënë kështu sintezën e njeriut me gjithë urtësinë, njerëzinë, bukurinë dhe madhështinë e tij… ai besonte se njeriu në jetën e tij është farkëtues i fatit të vet…” Veprat si kjo na bindin në vërtetësinë e këtij konstatimi. 
Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …