Fatmir Graiçevci: Jo protesta për pushtet por për dinjitet dhe shtet sovran

 Ka kohë që  gazetarë, analistë dhe politikanë të papërgjegjshëm, qoftë të pozitës qoftë të opozitës, nga pakujdesia apo me qëllim, dhunën në protesta po e trajtojnë një anshëm, pa vrarë mendjen për pasojat që mund të ketë vendi, shoqëria dhe shteti i brishtë i Kosovës nga kjo anësi. Nëse bazohesh në disa medie, sikur është RTK-ja që vetëquhet medium publik por që është medium qeveritar, krijohet përshtypja se protestat janë bërë nga një masë kriminelësh të cilët qëllim të vetëm kanë shkatërrimin e shtetit të Kosovës dhe policinë e saj. Gjatë gjithë kohës në këtë medium postohen lajme dhe video të sulmeve të protestuesve ndaj Policisë së Kosovës, sulme ndaj pronës publike dhe private, pa vrarë asnjëherë mendjen se ky është raportim i njëanshëm dhe që mund të krijoj raporte armiqësore në mes të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe familjarëve të tyre në njërën anë dhe protestuesve nga ana tjetër. Nga ana tjetër, drejtuesit e protestës gjatë gjithë kohës shohin veten e tyre viktimë të policisë dhe asnjëherë nuk shohin veprimet e tyre nga distanca, asnjëherë nuk marrin në konsideratë edhe dhunën e shfrenuar të disa protestuesve ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës sikur të ishin ata pjesëtar të një regjimi pushtues të Kosovës. Këto qasje po bëjnë që protestuesit të shohin burimin e së keqes në mesin e Policisë së Kosovës ndërsa këta të fundit burimin e së keqes te protestuesit. Nëse ushqehen këto bindje të gabuara në mes të organeve të rendit dhe protestuesve ndaj njëri tjetrit, një ditë në mes tyre do të krijohej edhe armiqësi me pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj. Kujt i leverdisë ndarja e qytetarisë së Kosovës në dysh, në dy taborre armiqësore!? Duhet thënë troç dhe pa ekuivoke se kjo i leverdisë Serbisë dhe armiqve të përbetuar të kombit shqiptar, të cilët fatkeqësisht janë të shumtë. Fatkeqësisht, disa medie, gazetar, redaktor lajmesh si dhe analist e politikan të papërgjegjshëm, me apo pa vetëdije, protestat janë duke i trajtuar një anshëm, duke parë viktimën në njërën anë dhe dhunuesin në anën tjetër dhe anasjelltas.


 


 


 


    Është shqetësues fakti se në vend se  nëpër medie të trajtohet zanafilla dhe shkaku i protestave, vëmendja është përqendruar në pasojat e saj. Nuk mund te qetësohet situata duke u marrë me pasojat e demonstratës por me shkaqet e saj e shkak i saj është ministri arrogant serb, Aleksander Jabllanoviq, i cili nënat shqiptare që po protestonin kundër kthimit të kriminelëve në vendin e krimit, i quajti egërsira !!!  Tani këta biçim analistët dhe politikanët, në vend se të debatojnë pse kryeministri, Isa Mustafa nuk po bënë kryeministrin dhe ta shkarkojë këtë ministër arrogant, mos shkarkim që shkaktoi valë të protestave anekënd Kosovës, bëjnë përpjekje që të gjejnë se kush na paska ushtruar më shumë dhunë, policia ndaj protestuesve apo protestuesit ndaj policisë!? Duhet thënë troç dhe pa ekuivoke se dhunë ka pasur nga të dyja anët dhe nuk zvogëlohet ajo me shfaqjen e videove që dëshmojnë dhunën dhe me numërimin e protestuesve të lënduar dhe arrestuar apo me numërimin e policëve të lënduar por me shkarkimin e ministrit arrogant serb, Aleksandër Jabllanoviq dhe me ndërtimin e një shteti që do ta mbrojë përherë dinjitetin e të gjithë qytetarëve të tij dhe integritetin territorial të vendit që po cenohet dhe shkelet në vazhdimësi nga zyrtarët serb, qoftë të Kosovës, qoftë të Serbisë!


 


Por tani konsiderojmë se nuk është më e rëndësishme se a do të shkarkohet Jabllanoviqi por nga KUSH do të shkarkohet ai !? Duke u nisur nga lëvizjet e fundit të zyrtarëve ndërkombëtar në Kosovë dhe deklarata e qeveritarëve të Serbisë, konsiderojmë se realisht, shkarki i tij do të bëhet nga zyrtar të lartë të Qeverisë së Serbisë ndërsa do të duket sikur ai është shkarkuar nga Isa Mustafa! Kjo duhet të jetë shqetësuese dhe temë e debatit në të gjitha mediet sepse kjo do të dëshmoj se përmbajtësisht Kosova është me dy Qeveri dhe me dy kryeministra, ani se formalisht duket se kemi një Qeveri të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa. Pavarësisht se nga shkarkimi i Jabllanoviqit do të përfitojë Serbia, Isa Mustafa dhe zyrtarët ndërkombëtar, humbëse do të jetë vetëm një – Republika e Kosovës. Kjo duhet t’i shqetësoj të gjithë, qoftë pozitën, qoftë opozitën. Nuk është me rëndësi më se a po shkarkohet Aleksandër Jabllanoviqi por nga KUSH po shkarkohet. Nëse kënaqemi vetëm me shkarkimin e tij pa vrarë mendjen se kush e shkarkoi, atëherë, do ta kemi edhe një Qipro dhe fajtor për këtë do të jenë të gjithë pushtetarët dhe ish pushtetarët e Kosovës, pak rëndësi ka se kush më shumë e kush më pak.


 


Cilët janë ata që po vajtojnë ditë e natë se është dëmtuar buxheti i Kosovës


 


Duke provuar t’i bindin qytetarët e Kosovës se sa është dëmtuar Kosova nga këto protesta të mijëra qytetarëve që kanë ngritur zërin në mbrojtje të dinjitetit, pushtetarët gjatë gjithë kohës dërdëllisin sikur papagaj për dëmtimet prej qindra mijëra eurosh dhe harrojnë dëmtimet prej miliona eurosh që i janë bërë dhe po i bëhen Kosovës nga zhvatja e pasurive të saja nga pushtetarët. Asnjë qytetar nuk i ka arsyetuar veprimet vandale të disa adoleshentëve por kanë qenë të shumtë që gjykonin dhe dënonin me të drejt këto veprime. Është mirë që më parë se të vajtojmë me ditë të tëra dëmet e paarsyeshme që i janë bërë ndërtesës së Qeverisë, pronës publike dhe asaj private, t’i përkujtojmë akuzat që ia bënin partitë njëra tjetrës për korrupsion dhe keqpërdorim të skajshëm të pasurisë publike me dhjetëra miliona euro! Nga sa po flitet për korrupsionin për fitimin e tenderëve, mua më shtynë të mendoj se nga thyerja e xhamave do të dëmtohen qytetarët ndërsa do të përfitojnë qeveritarët e specializuar për  dhënien e tenderëve! Andaj të mos shqetësohemi nga vajtimi i tyre sepse ata tani janë duke fërkuar duart dhe kalkuluar përfitimi që do të ju sjell riparimi i dëmtimit nga vandalizmi i adoleshentëve. Por para se të vajtojnë dëmtimet prej qindra mijëra eurosh, a e kanë vrarë mendjen këta pushtetar dhe ish pushtetar se sa e dëmton buxhetin e Kosovës kabineti qeveritar me 3 zëvendës kryeministra, me 21 ministra e 50 zëvendës ministra. Zyra e një zv., ministri kushton 70 mijë euro! Po për privilegjet dhe pagat që marrin deputetët e të gjitha partive parlamentare, ani pse kane mrizuar gjatë gjithë verës nëpër riviera bregdetare luksoze!? Nëse atyre iu dhemb shpirti për dëmet që i janë shkaktuar ndërtesës së Qeverisë, a e kanë pyetur ndonjëherë veten se sa janë lënduar nënat shqiptare kur janë quajtur egërsira nga ministri arrogant, Aleksander Jabllanoviq. A e kanë pyetur ndonjëherë veten se si janë ndjerë nënat, bijtë dhe bijat e të cilave janë në themelet e shtetit të Kosovës, të cilën po e zhvasin pamëshirshëm këta pushtetar!? Ku ishte zëri i tyre protestues kur digjeshin institucionet e Kosovës nga serbët kriminel në veri!? Çfarë bëri për arrestimin e tyre ministri trimosh, Bajram Rexhepi?  Ku ishte dhe është humanizmi i pushtetarëve tonë kur përqafohen me pushtetar serb të cilët kurrë nuk kërkuan falje për atë që bëri Serbia në Kosovë, që e bëri shkrumb e hi?, ku ishte zëri i tyre dhe ku është zëri i tyre sot para se të shtrëngojnë duart miqësisht me pushtetarët e Serbisë të cilët ishin pushtetar kur shteti i tyre po vriste e masakronte foshnje e fëmijë, të rinj e të reja, pleq e plaka shqiptare, që po dhunonin mijëra vajza shqiptare, që po bënte gjenocid ndaj kombit shqiptar ndërsa pasurisë së tij ia kishte vënë flakën? Pse nuk bëjnë këta pushtetarët tonë humanizmin kur kanë takime me burokrat ndërkombëtar e pushtetar serb por më parë se t’ua përkujtojnë këto krime të tmerrshme vrasin mendjen se si të rregullojnë flokët, çfarë kravate të vënë që të duken sa më bukur kur të shtrëngojnë duart me ata që në një mënyrë apo tjetër vite më parë i kanë përgjakur duart me gjakun e mijëra foshnjave e fëmijëve shqiptar, mijëra të rinjve, vajzave, burrave, grave, plakave e pleqve shqiptar!? Ku është humanizmi i tyre dhe zëri i protestës!? Është një fjali e artë ku thuhet: “Nga drunjtë nuk po e sheh malin”. E për fat të keq ne kemi gazetar e analist të tillë që janë sy e vesh ndaj vandalizmit të disa adoleshentëve por janë shurdhmemec ndaj malit me krime monstruoze të Serbisë në Kosovë!!!

Kontrolloni gjithashtu

25 vjet më parë, më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri të rëndë ishin vrarë shumë shqiptarë në fshatrat e Dukagjinit

25 vjet më parë,  më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri …