Vështirë se njeriu mund të gjejë leksione më të mira morale për angazhimin ndaj procesit të Gjykatës së Hagës sesa në librat e shenjtë, Bibël e Kuran. Fetë abrahamike na kanë treguar më së miri se si duhet vepruar në raste të tilla, kur vetja jonë na duket tejet e pafuqishme, krahasuar me fuqinë dhe dinamikën e ngjarjeve.
Tregohet se, derisa turmat e egërsuara dhe prijësit e tyre djallëzorë po sajonin stivën gjigande me drunj të mëdhenj e shkarpa për ta djegur në turrë drush profetin Abraham (Ibrahim), një zogth i vogël po bënte të kundërtën. Zogthi, me sqepin e tij të vogël, po bartte ujë dhe e hidhte mbi stivën gjigande të drunjve. Ndonëse i stërlodhur, ai nuk e ndalonte këtë veprimtari, as kur stiva ishte përfshirë nga flakët dhe gjuhët e saj ngriheshin lart e më lart drejt eterit.
“Vërtet mendon se me atë sasi uji që e sjell me sqepin tënd të vogël do ta shuash këtë zjarr?”, e pyesin me cinizëm, shpoti e ironi.
“Jo, asesi”, ua kthen zogthi.
“Atëherë pse e stermundon veten?”
“Sepse nuk është me rëndësi sasia e ujit që sjell, por fakti që tregoj se në cilën anë jam unë.”
Lum kush bëri si zogthi i mirë, e mjerë kush barti drunj për stivën e madhe!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
