Fatmir Limaj: Nisma Socialdemokrate është e përkushtuar për një të ardhme më të mirë për Kosovën

Fatmir Limaj: Ish-krerët e UÇK-së, po mungojnë në çdo hap – kujtesa e tyre mbetet gjallë në lirinë e Kosovës

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur me emocione dhe reflektim për mungesën e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë, duke e cilësuar këtë periudhë si një nga më të ndjeshmet për shoqërinë kosovare. Limaj, tha se secili prej bashkëluftëtarëve të tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e lirisë. “Secili, në mënyrën e vet dhe në rolin e vet, na mungon. Janë njerëz me personalitete të ndryshme, por që plotësojnë njëri-tjetrin,” u shpreh ai. Proceset në Hagë nuk janë vetëm gjyqe ndaj individëve, por ndaj një periudhe të tërë historike që përkufizoi shtetësinë dhe identitetin politik të Kosovës. Ai thekson se kjo ndjesi e mungesës së tyre është më shumë se mall personal – është reflektim kombëtar për sakrificën dhe përvujtërinë që prodhoi lirinë. “Këto procese prekin jo vetëm ata që janë në paraburgim, por të gjithë ata që e kanë përjetuar luftën dhe e dinë çfarë simbolizon UÇK-ja për këtë vend. Është ndjenjë që shkon përtej politikës – është ndjenjë njerëzore, shoqërore e kombëtare,” deklaroi ai. Qëndrimi i Limajt reflekton një dimension më të gjerë të debatit shoqëror në Kosovë – raportin mes të kaluarës çlirimtare dhe sfidave të së tashmes politike. Në mungesë të figurave që për shumëkënd simbolizojnë themelet e shtetit, shoqëria kosovare po përballet me boshllëkun e autoritetit moral dhe me pyetjen se si do të trashëgohet fryma e UÇK-së në brezat e ardhshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Njazi Gashi: Gjendja ekonomike sociale e pensionistëve të Kosovës është e mjerë

Duke folur për gjendjen ekonomike e sociale të pensionistëve të Kosovës,  ish-kryetari i Shoqatës së …