leoni

Fatmir Sheqir Selmani (13.8.1972 – 24.3.1999)

Fatmir Sheqir Selmani (13.8.1972 – 24.3.1999)

Familja e Selmani (Tërmkolli) që jeton në Repë të Besianës është familje e shpërngulur nga Tërmka e Toplicës në kohën e shpërnguljeve të shumë familjeve shqiptare nga trojet e tyre gjatë viteve 1877-1878. Fillimisht qenë vendosur në fshatin kodrinor-malor Kokorovicë që gjendet 5-6 km. larg nga kufiri i tashëm Kosovë – Serbi e aty afër kufirit është edhe fshati Tërmkë, vendlindja e të parëve të dëshmorit të kombit Fatmir Selmani.
Në këtë familje qenë lindur dhe rritur shumë atdhetar që kurrë nuk u përkulën para armikut si axha i babait të dëshmorit Halit Tërmkolli i cili ishte luftëtar i paepur për liri.
Axha i Fatmirit, Ajet Selmani në vitin 1937, së bashku me Xhemajl Hoxhën e Pollatës ishin ushtar të krajlit serb, në Vranjë. Duke mos dashur të shërbejnë në ushtrinë serbe ata arratisen nga kazerma dhe dalin në Shqipëri. Atje qëndrojnë deri në fillimin e Luftë së Dytë Botërore kur kthehen në Kosovë. Gjatë luftës së dytë për trimëri shquhen edhe xhaxhallarët e dëshmorit si Ajet, Isuf, Mehmet e Mon Selmani që ishin të gjithë vëllezër, ndërsa babai i dëshmorit Sheqiri atëherë ishte 11 vjeç por që bashkë me kushërinjtë Halit Selmani-Tërmkolli, Muzli Sylejmani e Sylejman Rrustemi u ndihmonin luftëtarëve duke ju mbajtur lidhjet ndërmjet tyre.
Në vitin 1943 në mbrojtje të kufirit bie heroikisht Ajet Selmani, ndërsa pas luftës nga dora e zgjatur e Serbisë vritet edhe Sylejman Rrustemi. Pas luftës së dytë botëror familja Selmani gjithmonë ishte në shënjestër të okupatorit. Për mos respektim të detyrave që shteti ia thershëm ua caktonte me burg dënohen edhe Mehmet dhe Mon Selmani.
Kjo familje e ka ndihmuar shumë UÇK-së, duke u angazhuar shumë djem të kësaj familje në radhët e saj, por edhe me armatim e gjera të tjera.
Në këtë familje në Repë të Besianës më 13 08.1972 kishte një gëzim të madh ngase Sheqir Selmanit i lindën dy djem: Neziri dhe Fatmiri.
Dëshmori i kombit Fatmir Selmani shkollën fillore e kreu në Pollatë, të mesmen në Besianë. Në kohën e largimit të nxënësve shqiptar me dhunë nga shkollat e tyre nga ana e okupatorit serb, ai ishte në vitin e dytë. Mësimet i vazhdoi në shtëpi shkolla ku Fatmiri vazhdon shkollimin në fshatin Letan (ish-Letanc) të Besianës, të cilin e përfundon në vitin 1992. Më pas regjistrohet në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës të cilin nuk arrin ta përfundoi.
Si nxënës i shkollës së mesme merr pjesë në të gjitha protestat dhe manifestimet në Llap të organizuara kundër pushtuesit në vitet 90. Në vitin 1997 nga policia serbe disa herë kërkohet dhe i kërkohej një armë të cilën kurrë nuk e dorëzoi. Por pasi nuk pranoi që asnjëherë të bie në dorë të policisë kaloi jetë ilegale deri në fillim të organizimit të UÇK-së në këto anë. Kah fundi i muajit shtator 1998 në fshatin Sylevicë vendoset pika e UÇK-së në radhët e së cilës rreshtohet edhe Fatmiri ku edhe i kryen ushtrimet ushtarake. Pas një strukturimit të UÇK-së në këto anë, më 15 tetor 1998, ai kalon në togun e Repës që ishte në kuadër të Brigadës 152 “Shaban Shala”. Bashkëluftëtarë të ngushtë të tij ishin Hamdi Sejdiu, Ilaz Selimi, Milaim Qerimi,të gjithë tani dëshmor të kombit,pastaj Muhamet Latifi, Naser Hyseni e shumë të tjerë. Është pjesëmarrës i Betejës së Tashefcit ku shquhet për trimërinë e tij në një luftë të rreptë dhe shumë të ashpër në të cilën forcat pushtues e përdorën gjithë armatimin e rëndë si tanke, topa, raketahedhës, minahedhës e ku ishin të angazhuar një numër i madh i ushtrisë, policisë dhe paramilitar serb.
Më 24 mars 1999 rreth orës gjashtë të mëngjesit forcat pushtuese serbe filluan të rreshtoheshin për luftë mu në pikën kufitare në Tashefc, ndërsa jo larg tyre njësia “Ulpiana – 55” formoi vijën e frontit. Ushtarët e këtij njësiti ishin të gatshëm ta mbronin me çdo çmim tokën arbërore nga hordhitë serbo-çetnike. Edhe pse dallimi si në numër ashtu edhe në teknikë luftarake ishte shumë i madh, Fatmiri me shokët e tij nuk frikësohej ti dilte para gjithë kësaj makinerie vrastare. Rreth orës 16 atij dhe bashkëluftëtarit Hamdi Sejdiut u epet një detyrë speciale për ti dal në ndihmë komandantit të batalionit Naser Hysenit – Dokut i cili duke dashur të hyjë sa më thellë në frontin e luftës, në ato momente kishte mbetur i shkëputur nga njësiti. Kah ora 16 e 30 minuta në vendin e quajtur te “Lëndinat” ndeshen në afërsi me forcat serbe dhe pas një përleshje të ashpër bien në krye të detyrës luftarake Fatmiri dhe Hamdiu. Pasi ato ditë në këto anë të Llapit luftohej pa ndërprerë ata varrosen nga bashkëluftëtarët dhe bashkëvendësit natën në mes të 24 e 25 marsit. Pas përfundimit të luftës më 22 gusht 1999, Fatmiri rivarroset me nderime ushtarake në varrezat e familjes Selmani në Repë. Fatmiri ra heroikisht në mbrojtje të kufirit ashtu siç ka rënë edhe axha i tij Ajeti në vitin 1943 në mbrojtje të po të njëjtit kufi.
Fatmiri nuk ishte i martuar dhe pas vetes la babën Sheqirin, nënën Shehiden, tre vëllezër: Nexhmiun, Nezirin (që ishte binjak me të) dhe Bekimin, si dhe tri motra: Fetien, Hasimen dhe Mevluden.
Duke folur për dëshmorin e kombit, kushëriri i tij njëherësh edhe bashkëluftëtar, Xhemajl Selmani, ndër tjera thotë se “Fatmiri ka qenë një djalë shtatlartë, me trup sportisti, shumë i shkathët. Ai është lindur dhe rritur në një familje me traditë atdhetare por edhe shumë punëtore dhe kjo bëri që ai të ketë një edukatë të mirëfilltë. Në kohën e pjekurisë së tij, Fatmiri ishte në vitet kur Kosova dhe populli i saj përjetonin robërinë e rëndë nga barbaria serbe. Shkollimin e bëri në kushte të jashtëzakonshme, jashtë lokaleve dhe bankave shkollore. Por edhe protestat dhe demonstratat që organizoheshin kundër okupatorit në të cilat ai ishte pjesëmarrës i rregullt bënë që tek Fatmiri të krijohet një personalitet i shëndoshë”. Xhemajli më tej thotë se Fatmiri ishte vëlla i mirë, kushërir i mirë por mbi të gjitha ishte shok i pazëvendësueshëm. Ai ka qenë shumë i afërt me miqtë dhe shokët. Ishte në gjendje të japë gjithçka nga ana e tij po qe se paraqitej nevoja. Ishte shumë bujar, i sinqert, besnik dhe shumë trim që nuk dinte të trembej. Këtë e dëshmoi sa e sa herë edhe gjatë luftës çlirimtare deri në rënien e tij heroike. Në biseda serioze fliste bindshëm dhe çdo herë fjala e tij zinte vend të duhur. Punët që i fillonte asnjëherë nuk u binte prapa deri në realizimin e tyre. Ka pasur vullnet dhe guxim të fortë që në çdo situatë që gjendej të eci përpara. Por para se të filloi një veprim ka qenë shumë i matur. Ai kishte një shpirt kryengritës.
Në vendin e rënies i është ngritur një pllakë përkujtimore, ndërsa në vendin e quajtur “Lëndinat e Repës” për pesë dëshmorët e fshatit Repë, me kontributin e familjarëve dhe ndihmën në punë nga bashkëfshatarët është ngritur përmendorja.
Fatmiri e donte shumë muzikën folklorike, nga sporti e donte futbollin por mbi të gjitha donte armën që shpesh thoshte se vetëm ajo e sjell lirinë.
Pas luftës familja e dëshmorit nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, është nderuar me mirënjohje, për heroizmin dhe guximin që ka treguar në betejat e luftës çlirimtare është dekoruar nga SHP i UÇK-së, po ashtu nga SHP i UÇK-së të ZOLL-it, me mirënjohje është nderuar edhe nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, SHFD, OVL dhe SHIL të UÇK-së. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Enver Rasim Bajrami (30.9.1976 – 21.4.2000)

Enver Rasim Bajrami (30.9.1976 – 21.4.2000)

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja ishin shkëputur nga Kosova në kohën kur Kosova u definua si …