Faton B.Mehmetaj: Libër i rrallë me fakte të pakontestueshme

“Historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet atëherë, kur në të do të marrin pjesë edhe shqiptarët” Maximilian Lambertz-i

Libri i Fetnete Ramosajt, me titull: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit (Dokumente e raportime të luftës 1998-1999)”, është botuar nga “Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri”, sektori i botimeve të veçanta “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, në vitin 2019. Autorja punën në këtë libër e ka filluar në vitin 2013, dhe e ka përfunduar diku pesë muaj para se te kalon në jetën e amshueshme. Recenzentët e librit, Faton Mehmetaj dhe Mr.sc.Manushe Ramosaj, morën përsipër botimin e këtij libri, që është i rrallë dhe shumë i dobishëm për të sqaruar situatat nëpër të cilat po kalon e gjithë struktura komanduese e UÇK-së. Promovimi i këtij libri u bë më 12 shtator 2019, në ditëlindjen e saj në Deçan, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës z.Bashkim Ramosaj, në bashkëpunim edhe me shoqata e dala nga Lufta e UÇK-së. Luftëtarja e lirisë, eprorja e lartë e TMK-së, intelektualja, studiuesja e veprimtarja, Fetnete Ramosaj, ndërroi jetë e re, por e bëri një histori të tërë për Kosovën. Fetnetja edhe pse e sëmurë e mbërrini daljen nga shtypi te librit, por, promovimin nuk kishte arritur ta mbërrin, sepse me 5 prilli u bashkua me ATA që vetëm ditëlindje kanë! Në promovimin e librit që u mbajt në Sallën e Asamblesë Komunale në Deçan, në praninë e dashamirëve te librit, shokëve, miqve, bashkëluftëtarëve dhe familjarëve të Fetnetit, folën rreth librit me titull: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit (Dokumente e raportime të luftës 1998-1999)”, kryetari i Komunës së Deçanit z.Bashkim Ramosaj, Kryeministri i Kosovës, z.Ramush Haradinaj, Gjenerali i Ushtrisë shqiptare, Kudesi Lama, Deputeti dhe bashkëveprimtari i Fetnetes, Rasim Selmanaj si dhe botuesi dhe recensenti i librit Faton Mehmetaj. Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, me ketë rast i ndau çmimin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, Fetnete Ramosajt, post mortum, me motivacionin për shërbimin ndaj atdheut dhe për angazhimin e madh jetësor në luftën për çlirim dhe ruajtjen e vlerave më sublime të Kombit. Duhet cekur se gjerë më tani janë shkruar nga studiues dhe hulumtues të ndryshëm, shumë libra dhe studime mbi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por libri i Fetnete Ramosajt, me titull: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit (Dokumente e raportime të luftës 1998-1999)” është një libër i veçantë. Ky libër që në fillim ka një mesazh qe tregon se kujt ia dedikon librin autorja. Ky mesazh është një testament i fuqishëm që tregon qartë se të gjithë ata që japin kontribut për çështjen kombëtare nuk harrohen kurrë. Po ashtu libri më propozimin e autores është botuar me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës! Autorja e librit “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit (Dokumente e raportime të luftës 1998-1999)”, ka qenë zëdhënëse e UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit. E mira e gjithë këtij procesi është se ajo i ka ruajtur me kujdes këto dëshmi autentike të kohës së luftës, në të cilat paraqitet në mënyrë objektive, madje në të shumtën e herëve edhe në mënyrë të detajuar veprimtaria luftarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit. Shkrimet, informatat ditore, dëshmitë e ndryshme dhe raportimet e Fetnetes, që janë dhënë për mediat shqiptare dhe ato ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, të paraqitura në këtë libër, duke përfshirë këtu edhe të dhëna të tjera si: komunikata, intervista me bashkëluftëtarë, reportazhe, biografi të dëshmorëve, raporte e të dhëna të tjera me rëndësi i takojnë periudhës së viteve të lavdishme të luftës 1998-1999 dhe janë dëshmi të paharruara të kohës, që do të mbesin gjatë në kujtesën tonë dhe do t’u shërbejnë brezave të rinj për të njohur nga afër përpjekjet tona dhe luftën tonë të drejtë, që e zhvilluam për liri e pavarësi. Madje shumë prej këtyre ngjarjeve janë transmetuar edhe në agjencitë e lajmeve më prestigjioze të botës si në: “Zëri i Amerikës”, Agjencia britanike e lajmeve “BBC”, Agjencia gjermane e lajmeve “Dojçe Vele” (Deutsche Welle) etj. Është një vepër unikate e kësaj natyre. Dokumentet, intervistat, raportimet nga zonat e luftës, të paraqitura edhe në shtypin dhe mediat e kohës, e paraqesin madhështinë e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Opusi i veprimtarisë së Fetnete Ramosajt në fushën shkencore dhe të krijimtarisë është i madh, i çmuar dhe shumë i vlefshëm për historinë shqiptare e sidomos për plotësimin e historikut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fillimi e deri në mbarim të luftës. Në këtë libër janë paraqitur informacione për betejat dhe luftimet që ndodhnin përditë e nganjëherë zgjatnin me muaj të tërë pandërprerë. Ky libër e dokumenton fuqishëm luftën tonë për liri. Është libër dëshmi që i shërben mbamendjes sonë historike, është dëshmi e pakontestueshme e luftës sonë çlirimtare, e heroizmit të luftëtarëve të UÇK-së, shumë prej të cilëve e dhanë jetën e tyre për lirinë që e gëzojmë sot, por është edhe një dëshmi shumë e rëndësishme në shërbim të kujtesës kolektive për të mos harruar se sa gjak, mund e sakrifica, janë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Fetneti i kishte pushtuar zemrat e popullit shqiptar me raportimet e saj nga zonat e luftës. Ditën kur Fetneti i mbylli sytë për tu bashkuar më gjerdanin e heronjve që nuk vdesin kurrë, kolonel Avdyl Mushkolaj e pagëzoi atë “Zëri i UÇK-së”. Ajo më të vërtetë ishte zëri i UÇK- së, emblema e UÇK-së. Të dhënat e paraqitura në këtë libër, e përbëjnë një mozaik të udhëtimit të UÇK-së nëpër kohë. Dëshmojnë për udhën tonë të vështirë, që me sakrifica e flijime të mëdha e arritëm lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ne këtë rrugëtim arritur ta bashkojmë në luftën tonë të drejtë edhe Aleancën më të fuqishme të botës, Aleancën Veri Atlantike të NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën gjatë gjithë kohës kishim bashkëpunim të mirëfilltë luftarak. Të dhënat në këtë libër janë të rëndësisë së veçantë edhe për një fakt tjetër, Fetneti ishte caktuar nga Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe nga Komanda e NATO-së që ti japë caqet e forcave ushtarake serbe, për ti goditur pastaj ato aeroplanët e NATO-së. Nëpërmjet këtij libri me informata e raportime nga zonat e luftimeve, me komunikata, intervista, reportazhe, analiza etj., të pasqyruara edhe me faksimile dokumentesh e fotografi të shumta, dokumentohet një pjesë e rëndësishme e luftës sonë për liri. Në këtë libër tregohet e dokumentohet qartë se sa e vështirë ishte udha për të ardhur deri tek dita e Lirisë. Në vazhdën e krijimtarisë kaq voluminoze të Fetnete Ramosajt, është edhe libri, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit (Dokumente e raportime të luftës 1998-1999)”. Kjo vepër është ndër librat e rrallë që është shkruar mbi bazën e dëshmive autentike. Libri përmban dokumente e dëshmi të dorës së parë, përfshirë edhe disa intervista të përgjegjësve të luftës për Zonën Operative të Dukagjinit, nëpërmjet të cilave tregohet disiplina dhe respektimi i rregullave të luftës. Ky libër hedhë dritë mbi përcaktimet dhe zhvillimet e ngjarjeve të kohës. Është një libër i rëndësishëm i cili do t’u shërbejë edhe historianëve dhe studiuesve të ndryshëm, të cilët merren me hulumtimin dhe studimin e periudhës së luftës së lavdishme për liri që e zhvilloi populli shqiptar në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në fundshekullin XX. Fetneti ka qenë dhe ka mbetë, gjigant i mendimit progresiv, ka pasë fatin të jetë ndër prodhuesit e mëdhenj dhe të pashtershëm në fushën e krijimtarisë. Ka lënë pas një kapital të pavdekshëm ndër breza. Pos veprave të botuara, ka lënë edhe 5 vepra në dorëshkrim, të cilat do të kompletohen më kohë dhe shumë shpejt do ta shohin dritën e botimit. Është ndër njerëzit e rrallë që ka pasë fatin të lufton më pushkë e pendë, por edhe ta mbyllë suksesshëm përjudhën e veprimtarisë ilegale. Veprimtaria e saj shkencore që është edhe mjaft voluminoze, është tepër e dobishme për të gjitha proceset me të cilat po ballafaqohet Kosova më Serbinë për përcaktimin e statusit definitiv të Kosovës. Faktet e dëshmitë që gjenden aty, janë armë e fortë në duart e diplomacisë kosovare për t’iu kundërvënë Serbisë. Fetneti ka punuar në zbardhjen e krimeve që i ka bërë Serbia mbi popullin e Kosovës, ndoshta sa të gjitha institucionet shtetërore në një anë. Libri, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit (Dokumente e raportime të luftës 1998-1999)” është një perlë unikale që i kushtohet luftës dhe veprimtarisë së UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit. Në vazhdën e këtij shkrimi kam për qëllim të njoftoj lexuesin me risitë hulumtuese-shkencore të këtij teksti në të cilin denoncohen dhe demantohen fuqishëm, falsifikimit e historisë shqiptare nga qendrat pan sllave e që kohëve të fundit janë drejtuar me theks të veçantë kundër Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Duhet cekur se në mposhtjen e propagandës që bënte e po bënë Serbia dhe strukturat e saj në Kosovë kundër UÇK-së, u angazhuan njerëz të mëdhenj, njerëz me eksperiencë të madhe në fushat e mediave, diplomat të hollë madje edhe lobist ndërkombëtar, organizator të sprovuar, luftëtar të gjallë dhe shkrimtarë të shquar, por pa librat e Fetnetit, kundërvënia ndaj kësaj propagande do të ishte e zbehtë. Ajo kishte miq, shokë e bashkëluftëtar në të gjitha skajet e atdheut, të cilët iu bënë krah dhe e ndihmuan në ditë të vështira. Fetneti ka qenë njëri i parimeve të cilat nuk i ka thyer kurrë. Libri, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit, është një dëshmi e madhe, një tapi-testament për vërtetësinë dhe verifikimin e tezave shkencore që dëshmojnë për faktet historike se shqiptarët janë populli më i vjetër në Gadishullin Ilirik dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës Kosovën në bashkëpunim edhe më SHBA-të dhe NATO-n, e çliruan Kosovën nga okupimi serb, duke quar në vend amanetin e të parëve, që ishte e vetmja kërkesë e breznive që shkuan. Me këtë rast, Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli ndër ushtritë më të suksesshëm të popullit shqiptar gjatë gjithë historisë. Libri në shqyrtim është shkruar me një gjuhë të pastër e të kuptueshme për të gjithë. Gjuha e pastër e stili i rrjedhshëm shkencor i ofron lexuesit informacion të saktë e të qartë por edhe komoditet gjatë leximit. Libri, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit, ka vlera të jashtëzakonshme për historinë e re të popullit shqiptar, për UÇK-në dhe për të vërtetën historike të UÇK-së rreth të cilës ka pasë mjaftë tendenca dhe orvatje për ta shtrembëruar e devijuar. Por librat si kjo janë fakte të pakontestueshme.

 

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …