Faton Mehmetaj

Faton Mehmetaj: Demonët e rinj

Në vend të reagimit ndaj shkrimit “Takimi i Tahir Zemajt me Ramush Haradinajn dhe “lufta” me  “Togerin”, të redaksisë së gazetës “Bota Sot”, botuar më 13 shkurt 2018, ku është atakuar edhe emri im, bazuar në rrëfimet e librit “Kështu foli Tahir Zemaj”.

Është vërejtur publikisht nga prononcimet tuaja se historia e re e Kosovës nuk i pëlqen klasës tuaj, por kjo histori është një realitet i kryer. Prandaj edhe përpjekjet tuaja për ta rikthyer ndikimin e Serbisë në Kosovë janë të kota, sikurse janë të kota edhe përpjekjet tuaja për ta njollosur luftën e drejtë të UÇK-së dhe ish-strukturën udhëheqëse të saj, me shkrime të cilat i keni ricikluar me dhjetëra e dhjetëra herë në gazetën tuaj “Bota Sot”. Me fakte të fabrikuara, të publikurara në gazetën tuaj i keni bërë një padrejtësi të madhe ish-strukturave të UÇK-së, duke iu ngritur atyre akuza të fabrikuara në laboratorët e shërbimeve sekrete e të prokurorisë së Serbisë.

Gazeta e kuqe “Bota Sot”, që është një pamflet në duart e disa kuislingëve me orientim pansllav, të cilët po vërsulën tash e njëzet vite kundër ish-strukturave drejtuese të UÇK-së, në disa raste i kanë arritur qëllimet e tyre, duke i  burgosur, shantazhuar e duke ua shkatërruar karrierën dhe jetën shumë ish-drejtuesve të UÇK-së, në mesin e të cilëve jam edhe unë.

Redaksia e “Botës Sot”, bashkë me disa gazetarë të saj, të cilët në shkrimet e tyre, përgjatë dy dekadave shprehin urrejtje të parezervë kundër UÇK-së, të ndihmuar edhe nga një klasë e shoqërisë sonë, të cilët vazhdojnë të mbështeten edhe më tutje nga qarqet serbe, kanë arritur t’i burgosin mbi 400 ish-pjesëtarë të UÇK-së me fakte e dëshmi të rrejshme, të përpunuara në kancelaritë e Prokurorisë Speciale të Serbisë dhe në zyrat e BIA-s për Sektorin e Kosovës, të ndihmuara edhe nga “Bota Sot”.

Kjo shtresë e UÇK-së që e pati fatin e keq të vuajë burgjeve vendore, të gjykuar nga gjykatat e UNMIK-ut apo EULEX-it, por edhe të Hagës, me akuza të ndërtuara e të plasuara fillimisht në gazetën “Bota Sot” dhe struktura e lartëpërmendur që e mbështeti projektin e kësaj gazete, pas vuajtjeve të shumta, madje edhe mbi nga dhjetë vite, pa aktvendime të plotëfuqishme gjyqësore, më se 85 për qind e tyre u liruan të pafajshëm.

Secili prej nesh e di se drejtësia ngadhënjen në të gjitha rastet, por nganjëherë për të ardhur deri te fitorja e drejtësisë përjetohen dhimbje e vuajtje të mëdha. Nuk është e rastit se baballarët e këtyre që po bëjnë çmos tash e 20 vite për ta goditur e njollosur UÇK-në, i qitën në pritë dhe i burgosën Marije Shllakun e Gjon Serreçin, i tradhtuan Shaban Polluzhën e Mulla Idriz Gjilanin. Me fakte të fabrikuara, sikurse sot kundër UÇK-së, e konstruktuan marshimin e vdekjes drejt Tivarit, ku u ekzekutuan në format më të tmerrshme mbi 4500 rekrutë shqiptarë. Të njëjtit më pas e shpikën “Informbyronë” për t’i burgosur, shkatërruar e nënshtruar rivalët dhe kundërshtarët e tyre, njëjtë sikur po ndodhë sot me ish-strukturën udhëheqëse të UÇK-së.

Ata që i burgosën mijëra të rinj e të reja, nxënës e studentë, në vitin 1981, në emër të një “kundërrevolucioni” të shpikur, i burgosën, i dënuan dhe i izoluan afro gjysmë milioni shqiptarë, që kërkonin Republikën e Kosovës. Të njëjtit sot, vet apo bijtë e tyre u bënë dëshmitarë të rrejshëm në proceset gjyqësore kundër UÇK-së në gjykatën e Hagës. Pasi dështuan në këtë proces, treguan se janë përpunuar në zyrat e “Botës Sot” nga strukturat e brendshme të kësaj gazete. Madje, ka pasur gazetarë dhe redaktorë të kësaj gazete, që ishin të implikuar direkt në proceset e gjyqit të Hagës kundër UÇK-së.

Mendoj se gjuetia ndaj ish-strukturave të UÇK-së është tepruar dhe i ka kaluar caqet e çdo arsyeje të mundshme që mund të ketë pasur dikush ndaj njerëzve të saj.

Nuk e kam besuar se edhe në këtë kohë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës në bashkëpunim me Aleancën Veriatlantike të NATO-s e partnerët e tjerë ndërkombëtarë, i dëbuan forcat pushtuese serbe nga Kosova, urrejtja e shtresës pansllave, apo siç quheshin në atë kohë “jugoslovenski opredeljeni” është kaq e madhe. Megjithatë, veprimet e tyre kanë bërë që të kuptojmë saktësisht se prej nga vjen urrejtja juaj ndaj ish-UÇK-së, sepse ju keni humbur shumë privilegje që i keni pasur në atë kohë, jetën luksoze, fuqinë e pushtetit, pozitat e çka jo tjetër, ndonëse i kishit ndërtuar mbi fatkeqësitë e të tjerëve.

Për këtë arsye, mua dhe pjesëtarëve të tjerë të ish-UÇK-së u bëni gjyqe të improvizuara, denoncime të rrejshme, plasoni dosje të fabrikuara sipas porosive të Beogradit, linçoni  ish-strukturën e UÇK-së më ashpër se në periudhën e inkuzicionit, me theks të veçantë ata që e kanë kundërshtuar projektin tuaj, në të cilin ka mjaft pjesë programore të elaborateve antishqiptare të Çubrilloviqit, Andriqit e akademikëve të tjerë serbë. I gjithë ky mllef e kjo urrejtje ndaj UÇK-së, sigurisht aty e ka burimin, prandaj nuk habitem pse ju dhe të tjerët që fshihen pas këtyre koncepteve, edhe më tutje vazhdoni të qëndroni pas këtyre projekteve të përmasave kaq të mëdha antishqiptare.

Shkrimet tuaj të qëllimta dhe të porositura kundër UÇK-së, të ricikluara sa herë që merrni detyra të godisni UÇK-në, disa prej tyre edhe pa autorë (në emër të redaksisë) së gazetës “Bota Sot” gjatë këtyre njëzet viteve më kanë apostrofuar edhe mua dhe disa pjesëtarë të tjerë të ish-UÇK-së. Në këto shkrime përmes sulmeve, intrigave e shpifjeve të pafund, duke njollosur e përbaltosur bartësit dhe drejtuesit e ish-UÇK-së, ju keni për qëllim për ta kontestuar në një mënyrë lirinë e Kosovës, pavarësinë dhe progresin e saj. Sigurisht e dini, por nëse nuk e dini mësojeni se ne e sollëm lirinë e Kosovës me shumë mund e sakrifica, por ishim me fat që ishim luftëtarë e drejtues të UÇK-së, të një ushtrie fatlume që ia solli lirinë dhe pavarsinë këtij vendi, qe ishte ëndërr e shumë brezave, që luftuan dhe u sakrifikuan me shekuj për të.

Ti kthehemi shkrimit të fundit, në të cilin redaksia e “Botës Sot” përmend emrin tim. Në shkrimin e redaksisë së “Botës Sot”, të titulluar “Takimi i Tahir Zemajt me Ramush Haradinajn dhe “lufta” me  “Togerin”, të marrë nga rrëfimet në librin “Kështu foli Tahir Zemaj” e fillojnë me Betejen e Loxhës. Është e vërtetë se në këtë betejë kanë marrë pjesë disa ish-oficerë shqiptarë të UJ-së, të cilët kishin ardhur në Kosovë, gjegjësisht në Zonën Operative të Dukagjinit, vetëm një ditë para kësaj beteje.

Sa për njoftim të opinionit publik, më duhet të them se ish-oficerët shqiptarë të UJ-së kishin ardhur në Dukagjin, pasi që një muaj më herët, Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, u kishte bërë thirrje publike të gjithë ish-eprorëve shqiptarë, disa prej të cilëve kishin marrë pjesë edhe në luftërat në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, që të vijnë dhe t’i bashkangjiten UÇK-së në luftë. Për këtë arsye paraprakisht është adaptuar objekti i shkollës fillore të Prapaqanit, duke e shndërruar në kazermë, që ishte vend i përshtatshëm larg prej vijave të frontit dhe do të shërbente për përgatitjen e rekrutëve të rinj. Pra, kazerma në Prapaqan është përgatitur me urdhër të Komandantit të ZOD-it, Ramush Haradinaj, për çka ishin shpenzuar më se 30 mijë marka. Përgjegjës për përshtatjen dhe përgaditjen e kësaj kazerme, ishte caktuar Rrustem Tetaj, po ashtu ish-oficer i UJ-së, i cili gjendej në Kosovë dhe më herët ishte bërë pjesë e Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit.

Oficerët që iu kishin përgjigjur ftesës së Komandantit të ZOD-it, Ramush Haradinajt, sidomos ata që u ndalën në Zonën e Dukagjinit, për t’u njoftuar me Shtabin e ZOD-it, për t’u njoftuar me gjendjen në terren ku çdo ditë kishte sulme të vazhdueshme dhe për t’u marrë vesh për detyrat konkrete që mund të merrnin përsipër nga komandanti i ZOD-it, Ramush Haradinaj, u caktua një takim pune, i cili u mbajt në mbrëmjen e datës 5 korrik 1998, në shtëpinë e Dervish Metës (Tetaj) në fshatin Llukë e Poshtme.

Në këtë takim ka marrë pjesë Komandanti i ZOD-it, Ramush Haradinaj, bashkë me disa anëtarë të shtabit të kësaj zone dhe përfaqësuesit e ish-oficerëve, të cilët kishin ardhur për t’ju bashkangjitur UÇK-së.

Në këtë mbledhje janë emruar në pozita të ndryshme udhëheqëse, me vendime të shkruara, të cilat i kanë pranuar, të gjithë ish-oficerët që kishin ardhur në ZOD. Pasi ata i morën detyrat, në ditët në vijim u shpërndanë nëpër pikat ku kishin marrë përgjegjësi sipas nevojës, kuptohet brenda zonave të lira të kontrolluara nga UÇK-ja. (Vëmendje: Sa për njoftim të opinionit, mbledhjet e përbashkëta në Llukë të Poshtme, në Zhebel, Prapaqan e në vende tjera, ndërmjet Shtabit të ZOD-it dhe ish-strukturave të oficerëve janë të regjistruara si procesverbale dhe regjistrime audiovizuele (në diktafon). Për këtë kanë qenë të njoftuar paraprakisht të gjithë pjesëmarrësit e këtyre takimeve).

Fatkeqësisht tash e sa vjet lidhur me këto procese është bërë shumë zhurmë për asgjë. Është e vërtetë e pamohueshme se premtimet që ua kishte bërë Qeveria Bukoshi derisa ishin jashtë Kosovës për mbështetje me armatim modern e me mjete të tjera nuk e bëri kurrë, ndonëse deklaroheshin se do të luftojnë me armatim modern sipas praktikave që mund t’i kishte një armatë e rregullt e jo me pushkalla, siç luftonte, sipas tyre, UÇK-ja deri atëherë, por nuk ndodhi ashtu.

Siç kam shkruar edhe më herët, në një fejton të botuar për Betejën e Loxhës, gjithnjë duke iu referuar dëshmive të pjesëmarrësve në këtë betejë dhe dëshmive të tjera historike të kohës, faktohet se në këtë betejë kanë marrë pjesë njësitet e UÇK-së, të cilët edhe e kanë drejtuar këtë luftë. Po ashtu, në këtë betejë kanë marrë pjesë edhe disa oficerë që kishin ardhur në Dukagjin nga diaspora, por nuk kanë qenë udhëheqës të kësaj beteje. Atyre u është kërkuar nga komandanti Ramush Haradinaj një natë më parë në mbledhjen e Llukës së Poshtme që të ndihmojnë Loxhën, pasi që gjatë ditës së 5 korrikut, krimineli serb Vojisllav Sheshel kishte vizituar Pejën dhe në Loxhë kishte ndodhur një incident i armatosur me policinë serbe, ku kishin rënë dy dëshmorë të kombit. Prandaj, ishte i pritshëm sulmi kundër Loxhës e Raushiqit. Duhet përmendur se oficerët që i ishin bashkuar luftës në Dukagjin, na kishin gjetur këtu, madje me veprimtari të zhvilluar prej vitesh në aksione e beteja. UÇK ka qenë këtu, i ka pritur dhe i përcjellë të gjithë ata që kanë treguar gatishmëri për ta mbështetur UÇK-në në luftën për liri, duke i dhënë hapësirë secilit që ka dëshirë e mundet të japë kontributin e tij, nisur nga parimi universal se çdo njeri ka të drejtë të luftojë për lirinë e atdheut të vet.

Në parim është dashur që, ne, që kemi qenë më pak profesionistë t’i gjejmë të parët në luftë zanatlinjtë, ushtarakët e lartë, etj. por kjo nuk ndodhi kurrë. Luftën e filloi dhe e përfundoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që përbëhej nga djemtë e vajzat më të mirë, shumë prej tyre studentë e nxënës të viteve të fundit të shkollës së mesme, të cilët ishin betuar që pavarësisht sakrificave të mëdha që duhej të bënin, qoftë edhe me çmimin e jetën, të luftojnë dhe ta largojnë Serbinë pushtuese nga Kosova, që po lëngonte në robëri gati një shekull. Me fillimin e luftës frontale, atyre iu bashkuan djem e vajza idealistë nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora pa dallim për të luftuar për çlirimin e Kosovës nga barbaria serbe. Këtë e bënin sepse ishin të bindur se do ta fitojnë luftën kundër Serbisë, edhe pse një pjesë e madhe e elitës politike të kohës propagandonte se nuk bën të luftojmë kundër Serbisë, sepse për dy orë na dëbon deri në det. Prandaj, ato që i thoni për Betejën e Loxhës janë pretendime të kota dhe është mirë që historia të shkruhet mbi baza reale.

Më vonë, disa ish-oficerë që i ishin bashkuar luftës frontale në Dukagjin, u ballafaquan me realitetin dhe luftën konkrete, prandaj edhe u dalluan në disa beteja, e sidomos gjatë pranverës së vitit 1999 në frontin e Koshares.

Sa për dijeninë tuaj, sikur Beteja e Loxhës kanë qenë të gjitha betejat që janë zhvilluar në rajonin e Dukagjinit, madje ka pasur beteja që janë zhvilluar edhe nga nëntë ditë e net pandërprerë në borë e shi, ku UÇK-ja ka korrur fitore të jashtëzakonshme përballë forcave serbe. Mjafton të përmendim betejat e zhvilluara nga Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, e drejtuar nga komandanti Daut Haradinaj, pastaj të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli” e kështu me radhë.

Ju si redaksi e “Botës Sot” me përsëritjen dhe stërpërsëritjen e shpifjeve keni krijuar opinione të rrejshme me qëllime të caktuara për t’i denigruar e shkatërruar ish-strukturat udhëheqëse të UÇK-së. Jo rrallë herë i keni sugjeruar kolegët tuaj, miqtë e dashamirët, kur janë parë në shoqëri me ndonjërin që ka qenë ushtar i UÇK-së, duke u thënë “mos rrini me kriminelë”. Kjo akuzë e lansuar nga qarqet anti-UÇK, disa prej të cilëve janë të mveshur edhe me pushtet qarkullon mjaft shpesh në koluaret e qyteteve të Kosovës.

Personalisht ka njëzet vite që më linqon e anatemon redaksia e “Botës Sot”, edhe pse nuk i di arsyet e vërteta. Një gjë është e vërtetë, kurrë në jetën time që nga shkolla e mesme e gjerë në ditët e sotme, smirëzinjtë e sahanlëpirësit e shërbimeve serbe nuk kanë mundur të më ndalin në udhën time për të vepruar e luftuar për lirinë e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare që kishin mbetur nën okupimin sllav për faje të esadistëve e tradhtarëve të tjerë, që bënë pazare me gjakun e dëshmorëve e me hartën e mëmëdheut. Mundin që e kam bërë që nga viti 1979 e këndej pandërprerë, nuk e kam bërë për asnjë përfitim material apo politik, vetëm siç thotë populli: “Voftë për rize të Zotit!”.

Vërtet me punën tuaj të organizuar dhe të bashkërenduar edhe me shërbimet sekrete të Serbisë, prania e të cilëve vazhdon të jetë mjaft e madhe në Kosovë, arritët të më izoloni dhe margjinalizoni në të gjitha segmentet e shoqërisë sonë, por ua them prapë se kapacitetet tuaja janë të vogla të më ndalni t’i kontribuoj vendit tim pa hile e interesa.

Unë personalisht nuk kam pas kurrë të keqe me Tahir Zemajn. Madje, edhe kur është vetëshpallur për tri-katër ditë si komandant i Zonës së Dukagjinit, në gusht të vitit 1998, unë e kam ushtruar të njëjtën detyrë.

Pasi, që Tahir Zemaj me kompani kishte dezertuar gjatë ofensivës së shtatorit të vitit 1998, bashkë me stafin e tij, duke bërë që të largohet edhe një pjesë e konsiderueshme e ushtarëve dhe të dorëzohen në duart e policisë serbe mbi 10 mijë armë, të bartura me krahë me sakrifica të mëdha, duke i larë më gjak kufijtë ndërshqiptarë, shumëkush mendoi se këtu ishte fundi i UÇK-së, madje edhe i duartrokitën shuarjes së saj.

Ky fakt e trimëroi atë shtresë që kishte vepruar që ta shihte në këtë pozitë UÇK-në, të mundur e të shpartalluar. Ashtu menduan dhe ishin bindur, prandaj filluan edhe të shkruajnë artikuj e analiza, dhe të propagandojnë zi e terr, duke e akuzuar Komandantin e Zonës dhe Shtabin e ZOD-it për dështim, ndonëse gjatë betejave të gushtit e të shtatorit i lanë vetëm, në përballje me forcat ushatarake, policore e paramilitare serbe, ku kishte edhe njësite ruse.

Në këtë kohë, në tetor të vitit 1998, edhe pse gjendeshim në kushte jo shumë të favorshme, bashkë me Fetnete Ramosajn dhe disa oficerë tjerë të ZOD-it vendosëm të shkruajmë një artikull si kundërpërgjigje ndaj të gjitha akuzave të pabaza që kishin vërshuar kundër UÇK-së në atë periudhë. Për ta përcjellë për botim u desh t’ia diktojmë nëpërmjet telefonit satelitor Adnan Asllani, në “Zëri i Kosovës” sepse mundësi të tjera nuk kishte. Artikulli është botuar në bashkëautorësi Faton Mehmetaj e Fetnete Ramosaj, në gazetën “Zëri i Kosovës” në Zvicër dhe “Bota e Re” në Prishtinë, në tetor të vitit 1998, duke ia bërë të ditur opinionit të brendshëm e të jashtëm realitetin e kohës me fakte konkrete.

Shkrimi u vlerësua si shumë i qëlluar. Përpos botimit në këto gazeta ishte shumëzuar e shpërndarë në më shumë se 100 mijë kopje të tjera në të gjitha skajet e globit ku kishte shqiptarë.

Në këtë shkrim iu dha përgjigjja adekuate Tahir Zemajt dhe bashkëveprimtarëve të tij, për të gjitha veprimet e bëra në Zonën e Dukagjinit.

Prandaj, armiqësia e Tahir Zemajt me mua (Faton Mehmetajn) dhe Fetnete Ramosajn fillon këtu, nga ky artikull, të cilit as sot nuk do t’i hiqja as nuk do t’i shtoja asgjë.

Ne i kemi respektuar ish-ushtarakët shqiptarë që kishin ardhur për ta mbështetur UÇK-në, për të cilët lufta kishte shumë nevojë, por disa prej tyre nuk e kanë dashur UÇK-në, as vijën komanduese të UÇK-së, duke tentuar të mohojnë çdo të arritur të deriatëhershme. Disa prej tyre kanë qenë kontradiktorë e konfuzë, pa ditur as çka duan, mbase përballja me forcat serbe në kushtet me të cilat përballej UÇK ishte tepër e pabarabartë dhe dikush e kishte mësuar në shkolla e akademi që të përballej vetëm në atë nivel, që të kishin armatim modern e të sofistikuar, t’u shkonte kuzhina prapa, thjesht të luftonin në nivele të barabarta me armatën serbe.

I kam shikuar procesverbalet dhe incizimet e të gjitha mbledhjeve zyrtare që janë mbajtur në Shtabin e ZOD-it me oficerët e ardhur nga diaspora, në muajt korrik-gusht 1998, në dy prej të cilave kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, etj. Të gjitha çështjet e ngritura nga strukturat e caktuara prej disa prej këtyre oficerëve, del se gjasojnë me luftën speciale, sabotazhe të lufës dhe bojkotim të procesit sikur të ishin pjesëtarë të “kolonës së pestë”.

Edhe gjatë kësa kohe “Bota Sot” bënte luftë speciale, duke improvizuar lloj-lloj rastesh kundër UÇK-së, kinse UÇK po i pengonte oficerët të hynin në Kosovë, gjë që në asnjë rast nuk ka qenë e vërtetë, por rastet e tilla janë improvizuar për ta arsyetuar pamundësinë e kësaj shtrese për të qenë pjesë e luftës dhe e betejave të shumta që u zhvilluan për lirinë e vendit.

Duke u përpjekur ta arsyetojnë pamundësinë e tyre, kjo shtresë e shoqërisë kosovare gabuan edhe më rëndë, duke organizuar sabotimin dhe bojkotimin e luftës së UÇK-së, veprime këto që nuk arsyetohen me asgjë dhe përkojnë me trathti kombëtare. Sigurish për këtë arsye nuk e keni gjetur as përkrahjen e Qeverisë Bukoshi, pjesë e të cilës keni qenë.

Që nga koha e luftës, për ta arsyetuar pamundësinë tuaj pasi që nuk keni kontribuar për lirinë e Kosovës, apo edhe arsye të tjera që ju i dini, vazhdoni ta dezinformoni dhe ta mashtroni opinionin, duke e etiketuar dhe duke bërë dosje të rrejshme për ta shkatërruar ish-strukturën udhëheqëse të UÇK-së. Ka 20 vite që nuk i keni ndalur veprimet tuaja kundër UÇK-së. Apeloj publikisht, i lus institucionet e shtetit, sidomos ato të drejtësisë të marrin masa për ta ndaluar këtë fushatë të tmerrshme që po zhvillohet tash e 20 vite nga redaksia e “Botës Sot” ndaj meje e ndaj ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së, të cilët e bartin mbi supet e veta të vetmin “faj” sepse ia sollën lirinë këtij vendi. Për një shtresë të njerzve kjo liri nuk po çmohet, sepse liria e tyre duket se ka qenë sundimi i Millosheviqit dhe i Serbisë.

I kisha sugjeruar redaksisë së “Botës Sot” që të mos fshihet pas emrit të Tahir Zemajt, sepse nuk i bëjnë nder as nuk i kanë bërë kurrë. Është mirë që redaksia e “Botës Sot” t’i sqaron konfliktet e Tahir Zemajt me strukturat brenda LDK-së dhe përpjekjet e tij për të ardhur në pozitat më të larta në Presidencën e Ibrahim Rugovës.

Redaksia e “Botës Sot” gjatë këtyre njëzet viteve i ka përdorur disa gazetarë për të lansuar teza dhe shkrime pa kurrfarë baze kundër ish-strukturave udhëheqëse të UÇK-së dhe pasi që redaksia e “Botës Sot” dhe të tjerët që fshihen pas kësaj redaksie i kanë arritur qëllimet e veta, gazetarët janë vrarë në rrethana të paqarta dhe vrasjet e tyre nuk janë zbuluar që nga ajo kohë, por si të tilla i janë mveshur ish-UÇK-së.

Shikoni pak më thellë redaksi e kësaj gazete bolshevike kryekëput komuniste e tipit stalinist dhe është mirë të tregoni se kush fshihet pas vrasjeve të këtyre njerëzve që ju i mashtruat me para dhe në fund i viktimizuat, që të mos zbulohet e vërteta se kush në fakt fshihet pas redaksisë së “Botës Sot”. Është më mirë të merreni me ushtrinë e uniformuar me ngjyrën e flamurit të Dardanisë, që doli haptazi në varrimin e Tahir Zemajt, duke bërë thirrje për hakmarrje pa u ditë fare autorët as porositësit e vrasjes së trefishtë ndaj Tahir Zemajt, Hasan Zemajt dhe djalit të Tahirit, Enisit. Pas thirrjes për hakmarrje që u bë atë ditë, janë vrarë mbi tridhetë ish-pjesëtarë të UÇK-së, për të cilët po ashtu deri më sot nuk dihet se kush qëndron pas vrasjes së tyre, pra vrasjet e tyre nuk janë ndriçuar.

Është e udhës që të mos luani më me fatkeqësinë e njerëzve të vrarë, për të përfituar politikisht, gjejini vrasësit e pastaj drejtësia vëhet në vend. Boll ua keni lëkundur eshtrat tash e njëzet vite! Eshtrat e tyre po i lëkundni vetëm kur po keni nevojë për të arritur interesa politike. Zbulimi i vrasjeve politike të pasluftës varet nga ju, nga policia, gjyqësia e organet tjera, të cilat kanë heshtur e po heshtin para këtij terrori mediatik, që po vazhdon ta bën “Bota Sot” bashkë me disa gazetat tjera pamfletiste filiale të saj tash e 20 vite. Bashkëpunoni me gjykatën e mos u merrni me gazeta. Ju jeni ata që i dini më së miri se kush i ka kryer vrasjet politike të pasluftës dhe kush qëndron pas tyre. E dini më së miri se kush e ka vrarë Tahir Zemajn dhe për çka.

Është folur nëpër mediat tuaja vite më parë se dikush i paska shkatërruar provat rreth këtij rasti. Redaksia e “Botës Sot” e di mirë se shkatërrimi i këtyre provave nuk ndërlidhet fare me strukturën e UÇK-së.

UÇK akuzohet prej juve në mënyrë uniforme për të krijuar mjegull, dyshime, dezinformime, që e vërteta rreth këtyre vrasjeve të jetë sa më larg realitetit të atyre që i kanë porositur këto vrasje.

Sa kam qenë në Komandën e Zonës së Tretë të Mbrojtjes në Pejë (Trupat e Mbrojtjes së Kosovës), ishte vjedhur arma e rojës në Komandën e Zonës në Pejë. Duke e vërejtur me kohë mungesën e saj, Komanda e Zonës i mori masat adekuate. Pas denoncimit nga ana e TMK-së, kjo armë ishte gjetur nga KFOR-i te personat e dyshuar, dhe si e tillë ishte dorëzuar në Policinë e Kosovës si provë materiale për t’u hetuar si rast. Por, për çudi, kjo armë kishte “humbur” edhe në Policinë e Kosovës në Pejë (në dy raste). Porositësit e vjedhjes së kësaj arme nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së.

Dua ta sqaroj edhe një gjë, të cilën shpesh po e përmendi dhe po akuzoni persona të cilët nuk kanë të bëjnë me këtë rast. Gjykata e Hagës, por edhe nivelet tjera të hetuesisë që kanë bërë hetime rreth vrasjes së Sanije Balajt nga Strellci, e kanë të faktuar dhe e dinë se ajo është thirrur në bisedë informative me ftesën e Nazif Ramabajës, në atë kohë përgjegjës në kazermën e Baranit. Ftesa origjinale gjendet në shkresat e lëndës të prokurorisë në Gjykatën e Hagës, në rastin Haradinaj dhe të tjerët. Prandaj, përgjegjësinë për krimet e bëra nga Nazif Ramabaja me bashkëpunëtorët e tij, nuk mund t’ua bartim  ne të tjerët.

Sigurisht, ju kujtohet dëshmia e Zoran Stijoviqit, shefit të shërbimit sekret serb për Kosovën, dhënë në Hagë, në rastin Haradinaj dhe të tjerët, i njohur si njëri ndër shefat më të suksesshëm të analitikës për shërbimin sekret serb, ku ndër të tjera thotë: “Shërbimi ynë i ka pasur dy burime (bashkëpunëtorë) në Kazermën e UÇK-së në Prapaqan. Me këto burime lidhjet i kemi mbajtur përmes kurirëve”. Më vonë e shohim se këto dy burimet e kazermës së Prapaqanit, me të cilët Stijoviqi deklaron se ka bashkëpunuar, dolën dëshmitarë kundër UÇK-së në Hagë. (Shihni në internet në ueb-faqen e Tribunalit të Hagës transkriptin e procesverbalit të dëshmisë së Stijoviqit dhe i gjeni emrat e këtyre dy bashkëpunëtorëve të Stijoviqit).

Redaksia e “Botës Sot” përmes shkrimeve të porositura i ka linquar dhe shkatërruar pa asnjë bazë apo fakt, një pjesë të madhe të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke u bërë atyre gjyqe të improvizuara dhe duke u ngritur akuza e duke u bërë padi pranë gjykatave të ndryshme nëpërmjet kësaj gazete. Shumica e dëshmitarëve që kanë dëshmuar në Hagë me dëshmi të rrejshme dhe të improvizuara (e them me dëshmi të rrejshme sepse si të tilla janë vërtetuar në këtë gjykatë) paraprakisht janë përpunuar në zyrat e gazetës bolshevike “Bota Sot”. Mjerisht, shumica e këtyre “dëshmive”, siç kanë dëshmuar në Hagë edhe përgjegjësit e shërbimeve sekrete serbe, fillimisht janë dërguar në vijat zyrtare në Serbi e Serbia i ka dërguar në Hagë, duke i rikonstruktuar pastaj komplet gjyqet kundër UÇK-së me dëshmitarë të tipit të manipuluar e të shantazhuar nga redaksia e kësaj gazete. Si njerëz me haloefekte, të sëmurë nga patologjia anti-UÇK, shërbëtorë të dinastive të shkatërruara, qëllimisht po e trasojnë rrugën e gabuar, duke i përdorur të gjitha mjetet edhe pas njëzet vjetësh për ta luftuar dhe degraduar ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila është shpërbërë që në shtator të vitit 1999. Pse po e bëni këtë?! – Sepse keni detyra për ta bërë këtë. Sistemi juaj i gjerontokracisë vetvetiu po fundoset, po fundoset sepse fabrikuat fakte e dëshmitarë të rremë kundër liribërësve. Këtë e dëshmojnë mbi 30 gjykime të organizuara kundër pjesëtarëve të ish-UÇK-së, të cilët në fund pas vuajtjeve të gjata dolën të pafajshëm. Por ju ende nuk keni hequr dorë nga pretendimet për ta shkatërruar UÇK-në.

Do t’i kthehem sërish librit “Kështu foli Tahir Zemaj”, ku mes rreshtash përmendet edhe emri im. Siç e thashë edhe më lartë, Tahir Zemaj, në këtë libër është munduar të arsyetojë veprimet e veta. Njëkohësisht me mllefin që e shprehë ndaj meje është përpjekur të bëjë një lloj hakmarrjeje ndaj artikullit të përmendur më lartë, të botuar në tetor të vitit 1998, në bashkëautorësi me Fetnete Ramosaj, në të cilin me fakte iu kundërvumë të gjithë zërave që përpiqeshin të arsyetonin dezertimin masiv në Zonën e Dukagjinit dhe të akuzonin UÇK-në që pas ofensivës së forcave pushtuese serbe në shtator të vitit 1998, me 50-60 vetë kishin mbetur të luftonin në ZOD përkrah komandantit të Zonës, Ramush Haradinaj.

Duhet theksuar se përkundër kësaj goditjeje në masë, megjithatë Zona Operative e Dukagjinit arriti të riorganizohet, të ngritë tetë brigada ushtarake dhe njësitet tjera përcjellëse dhe të zhvillojë e të fitojë shumë beteja të përgjakshme në gjithë rajonin e Dukagjinit, deri në çlirimin e e plotë të vendit.

Në fakt për t’iu kundërpërgjigjur librit “Kështu foli Tahir  Zemaj”, ishte shkruar edhe një libër tjetër me titull: “Kështu bëri Tahir Zemaj” (ky jo me të thëna, por me të bërat e tij). Në vazhdën e kundërshtimeve për të pavërtetat e lansuara në librin e Zemajt, ishin shkruar afërsisht edhe mbi 50 mijë shkrime në forma të ndryshme, të cilat i kundërviheshin dhe i demantonin të pavërtetat e thëna në këtë libër.

Me pak fjalë, libri “Kështu bëri Tahir Zemaj”, mbetet një libër me plot dezinformata dhe të pavërteta. Normalisht, Ramush Haradinaj ka shkuar në kazermën e Prapaqanit, sepse ka qenë komandant i Zonës Operative të Dukagjinit dhe kjo kazermë ishte e kësaj Zone, ku u sistemuan edhe oficerët e ardhur për t’ju bashkuar luftës dhe si Komandant Zone kishte bërë çdo gjë që ishte e mundur që t’ua plotësonte kushtet, t’ua mundësonte komoditetin e qëndrimit dhe të veprimit, aq sa e lejonin rrethanat e luftës.

Komandanti i ZOD-it, Ramush Haradinaj, në Kazermën e Prapaqanit (për rastin që e përmendë Tahir Zemaj dhe po e ricikloni tash e sa herë ju të redaksisë, pa bërë përpjekje të bëni asnjë verifikim të rastit), para komandës së Brigadës në Prapaqan e ka sqaruar një rast që kishte ndodhur me disa oficerë, të cilët kishin bërë deklarime publike kundër UÇK-së. Ramushi në atë rast e ka urdhëruar oficerin përgjegjës që të gjithë ushtarët të dalin tek flamuri dhe është sqaruar çështja. Kur janë rreshtuar të gjithë para flamurit, komandanti i ZOD-it, Ramush Haradinaj, e ka sqaruar këtë problem shumë shkurt dhe ka shkuar.

Problemet e natyrave kundërshtuese ndaj luftës së UÇK-së në Zonën e Dukagjinit kanë ndodhur pasi që Tahir Zemaj me bashkëpunëtorët e tij kishte dalë në Tiranë e në Perëndim dhe ishin të bindur se nuk do të ketë më UÇK në Dukagjin as në Kosovë, prandaj duhej ta qonin deri në fund edhe luftën propagandistike kundër saj.

Në Zonën Operative të Dukagjinit nuk ka pasur formacione paralele në asnjë kohë. Të gjithë oficerët e ardhur ishin pajtuar dhe i kishin pranuar detyrat (me gojë e me shkrim) nga Komandanti i Zonës dhe janë shpërndarë në pikat e caktuara ku kishte nevojë. Madje, Ramush Haradinaj ka qenë shumë liberal në këtë drejtim. Në mbledhjen e Prapaçanit, i ka thënë Tahir Zemajt: “Urdhëro bëhu ti komandant i ZOD-it, sepse unë luftoj edhe si ushtar për lirinë e vendit tim dhe këtë askush nuk mund të ma ndalojë”.

Qarqet e errëta që fshihen prapa gazetës “Bota Sot”, po del se janë pjesë e “kolonës së pestë”, të cilët si gjatë luftës ashtu edhe pas përfundimit të saj nuk e ndalën veprimtarinë e tyre kundër liribërësve dhe shtetit të Kosovës me qëllim që ta paraqesin si joekzistencial, si një shtet që nuk mund të mbijetojë, që është edhe qëllimi kryesor i Serbisë.

Do t’i mbetesha borgj redaksisë së gazetës “Bota Sot”, por edhe opinionit të gjerë për rastin e Sali Shkrelit, nga fshati Kosuriq i Pejës, i konsideruar si bashkëpunëtor i Serbisë. Është e vërtetë se me të, në bazë të detyrës zyrtare, i kam pasur shtatë takime gjatë muajit qershor të vitit 1998, të gjitha në shtëpinë e tij. Gjatë këtyre takimeve me Sali Shkrelin e Kosuriqit asnjëherë nuk kam qenë vetëm. Bisedat me të janë të regjistruara dhe kanë qenë me interes të madh. Sali Shkreli na ka ofruar dëshmi për rrjetin e bashkëpunëtorëve të Serbisë nga Lugu i Baranit, dhe një dokumentacion të rëndësisë së veçantë për rrjetin e bashkëpunëtorëve të shërbimit ushtarak serb (KOS) që e kishte ndërtuar shërbimi sekret i ushtrisë jugosllave-serbe gjatë viteve të ’90-ta, kur kishte filluar shkatërrimi i Jugosllavisë, por edhe rrjetin e bashkëpunëtorëve që kanë pasur detyra të veçanta në rrethin e Pejës.

Pasi kam kryer punë zyrtarisht, i kam ndërprerë takimet me të. Duhet të theksoj se nga shtatë rastet kur unë kam shkuar te Sali Shkreli, në katër prej tyre aty e kam gjetur Metë Krasniqin e Vranocit. Dihet se Meta ka bashkëpunuar me shërbimet serbe, por ka qenë edhe punëtor i rregullt i punëtorit operativ dhe i komandantit të Kazermës së UÇK-së në Baran, Nazif Ramabaja. Metën e kam njohur nëpërmjet kushëririt të tij Dinë Krasniqi, i cili ka qenë pjesëtar i Shtabit të ZOD-it për Lugun e Baranit, kur Meta ishte përcjellës i tij. Metën e kishte dërguar tek unë tri-katër herë punëtori operativ i kazermës së Baranit, këtë ma ka thënë Meta edhe në prani të të tjerëve. Madje, në një shënim zyrtar të punëtorit operativ të kazermës së Baranit të datës 26.8.1998, punëtori operativ i kësaj kazerme shkon aq larg me shpifje sa që e njofton komandantin e vet zyrtarisht kinse për përgaditjen e atentatit ndaj Tahir Zemajt nga ana e Sali Shkrelit, i cili sipas tij qenka urdhëruar nga Faton Mehmetaj. Ky raport zyrtar edhe ata që e kanë përpiluar edhe ju të tjerët e dini se është i fabrikuar për gjyqe e makineri propaganduese, sepse në realitet nuk ndodhë kështu në asnjë rast.

Pasi kam mbaruar punë me Sali Shkrelin, atë e ka marrë në dorë punëtori operativ dhe komandanti i kazermës së Baranit dhe sipas tyre e kanë përpunuar për dy muaj me radhë. Nuk është aspak e vërtetë se punëtori operativ i kësaj kazerme ka zbuluar diçka. Këtë ua ka thënë vetë Salihu, duke e përdorur si fakt dhe alibi për t’u përafruar me ta. Faktikisht, nëse vërtetë Sali Shkreli paska pasë detyrë nga unë të bëjë atentat ndaj Tahir Zemajt pse dështoi? Pse nuk e paska pas kryer? Pse paska pas dështuar? Si ka mundur që të refuzojë urdhërin e tillë?! Këto pyetje dhe një varg pyetjesh të tjera është dashur t’ia parashtrojë punëtori operativ. Raportet e tilla janë raporte naive, nuk janë të argumentuara, janë të pabazuara, janë emotive dhe shumë tendencioze.

Ju zotërinj po të ishit aq të kujdesshëm nuk do ta linit komplet dokumentacionin arkivor në Kazermën e Prapaqanit, të biente në duart e forcave serbe, në shtator të vitit 1998. Në atë dokumentacion vërehen shkelje të mëdha, e kësaj radhe sigurisht se do të përballeni me to. Disa prej juve keni qenë dëshmitarë në Hagë dhe në gjyqet tjera nën presionet e shërbimit sekret serb. Edhe gjatë luftës keni mbajtur lidhje me punëtorët operativë të shërbimeve serbe, ushtarake e civile. Ju keni dëshmuar rrejshëm nën presion të punëtorëve operativë të shërbimit sekret serb, prandaj keni bërë shkelje ligjore, duke tentuar që me qëllim t’i shkatërroni ish-strukturat e UÇK-së. Keni manipuluar me dëshmitarët që vet i keni përgatitur për të dalë në gjyqe të ndryshme kundër UÇK-së. Është vërtetuar publikisht se dëshmitarët e shumë proceseve kundër UÇK janë propozuar nga ju dhe më pas janë dresuar-trajnuar në Serbi për të qenë dëshmitarë.

Me këtë dua të them se një nga format e terrorit që i ka përdorur Serbia kundër shqiptarëve është edhe lufta speciale të cilën e kanë zhvilluar nëpërmjet bashkëpunëtorëve dhe aleatëve të saj në Kosovë. Kjo luftë kundër UÇK-së, pos tjerash, është duke u zhvilluar në vazhdimësi tash e 20 vite nga redaksia e “Botës Sot” dhe e stafit tjetër që është i nivelit më të lartë, të cilët fshihen pas kësaj gazete.

Nëpërmjet luftës speciale, ideologët serbë, tentuan të ngjallin vëllavrasjen, i zvogëluan sukseset e Kosovës, krijuan pasiguri në Kosovë, e zvogëluan kredibilitetin ndërkombëtar, krijuan kriza institucionale e defekte të tjera, me pasoja zingjirore në zhvillimin e Kosovës.

Duhet përmendur se shërbimet sekrete serbe pas tërheqjes së trupave të serbe nga Kosova, lanë pas vetes “njësitë e fjetura”, si njësi të posaçme për ta destabilizuar vendin, për ta luftuar dhe sabotuar punën e UÇK-së dhe të strukturës udhëheqëse si në institucione, si në jetën e përditshme. Këtij koncepti që e ndoqën njësitë e posaçme të Serbisë në Kosovë, iu bashkua edhe një klasë që e sulmon dhe e lufton UÇK-në me të gjitha mjetet që nga viti 1998 e gjerë më sot.

Këmbëngulja juaj për ta shkatërruar dhe degraduar me çdo kusht strukturën e ish-UÇK-së dhe vlerat e saj, janë pjesë e planprogrameve serbomëdha të akademisë serbe që po zbatohet nëpërmjet juve e strukturave tjera shoqërore, të afërta me ju. Kjo që jeni duke e bërë, është padrejtësi kombëtare, por edhe njerëzore. Mos harroni se brezat do ta gjykojnë ashpër veprimin dhe sjelljen tuaj anti-UÇK. Nëpërmjet lansimeve dhe propagandës që e keni bërë kundër UÇK-së tash e 20 vite, deri diku ia keni arritur qëllimit që ta burgosni strukturën drejtuese të ish-UÇK-së, ta njollosni me shpifje, fakte të rreme e fabrikime mediatike. Një pjesë të saj keni arritur ta mënjanoni edhe nga skena politike dhe ta izoloni deri në shkatërrim. Por, nuk do të mundeni ta njollosni gjakun e dëshmorëve dhe kontributin e UÇK-së që dhanë deri në kapitullimin e Serbisë dhe dëbimin e forcave serbe nga Kosova, që rezultoi me lirinë e shumëpritur ndër breza.

E di se ju nuk pajtoheni me lirinë që e solli UÇK-ja në bashkëveprim me strukturat euroatlantike ndërkombëtare, SHBA-të dhe NATO-n, sepse kauza juaj, në bazë të veprimeve të deritanishme, del të jetë tendenca për rikthimin e ndikimit të Serbisë në Kosovë, pa të cilin strukturat e njohura të shoqërisë sonë, të rreshtuara si “jugoslovenski opredeljeni” duket se nuk mund të jetojnë, prandaj edhe janë çdo ditë në Serbi për të marrë instruksione anti-UÇK e për të vazhduar me thirrjet e vazhdueshme për luftë qytetare, vëllavrasje e gjyqe publike. Nuk është çudi pse e bëni këtë sepse ju keni shkatërruar çdo gjë shqiptare.  Ju jeni mercenarë të sherbimeve serbe që fshiheni pas “Botës Sot”. Gjatë luftës së UÇK-së e nënshkruat aktin për autonomi territoriale, dorëzuat publikisht armët e UÇK-së dhe formuat të ashtuquajturën “Polici Lokale” e cila vrau dhe terrorizoi popullin e vet bashkë me forcat serbe dhe paramilitare.

Ju si redaksi e “Botës Sot” e dini se asnjë shkrim të vetëm nuk e ka shkruar me dorën e tij Bardhyl Ajeti për gazetën tuaj. Ai i ka nënshkruar shkrimet tuaja për para dhe ju jeni ata që e keni marrë në qafë, sigurisht i dini edhe vrasësit sepse jeni porositësit e vetëm të kësaj vrasjeje dhe të disa të tjerave si kjo. Nomenklatura juaj në bashkpunim me strukturat sekrete të shërbimeve serbe ka organizuar së paku tri prita të mëdha ku janë ra në këto prita strukturat më të vlefshme të UÇK-së dhe logjistikës së UÇK-së, si në Rogovë të Hasin, Gorozhub, Shishman të Bokës etj. (Shih per këtë deklaratat e Milovan Drecunit e burime të tjera të kohës, etj.).

Është e ditur publike se një strukturë e shqiptarëve që kanë qenë pjesë e organeve të sigurimit serbo-jugosllav, në UDB, KOS, VBA, SUP e organe të tjera të sigurimit të shtetit kishin për detyrë shkatërrimin e bërthamës së nacionalizmit dhe patriotizmit shqiptar.

Redaksia e kësaj gazete bashkëpunon vazhdimisht me këtë strukturë për t’i njollosur, shantazhuar e shkatërruar tërësisht strukturat drejtuese të UÇK-së. Dëshmitarët e Hagës, të gjykatave vendore dhe gjykatave tjera janë dëshmitarë të përpunuar në Serbi, ish-struktura të KOS-it apo ish-ushtarakë të UJ-së, struktura që lidhen me ish-nomenklaturën e MUP-it dhe SUP-it, të cilët janë të implikuar në vrasjen e ushtarëve shqiptarë në UJ, në torturimin dhe mbytjen në tortura të disa të burgosurve politikë në burgjet e asaj kohe, por edhe në burgosjen e qindra e mijëra qytetarëve që kërkonin të drejta më shumë për shqiptarët që jetonin nën ish-Jugosllavi dhe Kosovën Republikë sikurse Republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Sa njerëz i larguan dhe i diferencuan ideopolitikisht nga vendet e punës vetëm pse i përkrahën demostratat e vitit 1981 dhe rininë studentore. Me qindra e mijëra shqiptarë i detyruan të marrin azil politik për shkak se ua konfiskonin dokumentet e udhëtimit, me mijëra njerëz i detyruan masovikisht ta lëshojnë vendin nga presionet e malltretimet e përditshme. Të njëjtit punuan nën masat e dhunshme të Serbisë pas dëbimit masiv nga puna të shqiptarëve të Kosovës e trojeve tjera shqiptare nën Jugosllavi. Kjo klasë që po i denoncon dhe monton raste nga më të ndryshmet ndaj pjesëtarëve të ish-UÇK-së janë ata që e abroguan Kushtetutën e vitit 1974, duke i kthyer shqiptarët nën robëri dhe okupim të ri të Serbisë. Këto struktura, shumica prej të cilëve rezultojnë edhe sot e kësaj dite aktivë në organet e shërbimit serb, janë denoncuesit dhe organizatorët e shkatërrimit të strukturës udhëheqëse të UÇK-së. Të njëjtit të ndihmuar nga Drejtoria e 6-të e Serbisë organizuan një sërë vrasjesh kundër strukturave udhëheqëse të UÇK-së që konsideroheshin të papërshatshëm për strukturat e tyre. Njerëzit që i përmendni ju kanë qenë të dënuar me shumë vite burg për drogë, të cilët rezultojnë të jenë strukturë e besueshme e Rrahman Morinës dhe si shpërblim, shërbimi krahinor ia mundësoi të ikë nga burgu, i ngarkuar me detyra të veçanta nga shërbimet.

Kjo shtresë e njerëzve ka ndërhyrë në proceset e progresit të Kosovës dhe të strukturës së UÇK-së që arriti t’i dëbon forcat serbe nga Kosova. Kjo shtresë e njerëzve ka qenë e unifikuar në goditjen dhe shkatërrimin e strukturës së UÇK-së.

“Nëse shkruan gjithkush, shkruhet gjithçka”, thotë Ladan, kurse themeluesi i kritikës sonë Faik Konica thotë: “O Zot, jepna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë”.

Akuzë publike

Së shpejti do të organizoj një padi kolektive kundër redaksisë së “Botës Sot”, për shpifje kundër UÇK-së, për lansime të informatave të rrejshme, për njollosjen dhe shkatërrimin e disa familjeve që i keni atakuar familjarët e tyre dhe i keni ngarkuar me akuza tepër të rënda.

Redaksia e “Botës Sot” ka ngjallur vëllavrasjen në Kosovë mes grupeve të ndryshme, pastaj i ka kërkuar aktorët e vrasjeve politike. Redaksia e “Botës Sot” duhet të paditet që me shkrime të rrejshme e të qëllimta ka nxitur hetuesit e Hagës, UNMIK-ut dhe EULEX-it, por edhe ata të gjykatave vendore për arrestimin e krerëve të UÇK-së, madje disa prej tyre i kanë mbajtur në burg deri në 7 e 8 vite për t’u liruar pastaj të pafajshëm.

Ju keni bërë krim kundër një shtrese të UÇK-së, me shkrimet tuaja të pabaza, me dëshmi të fabrikuara dhe të qëllimta u bëtë shkaktarë të burgosjeve të shumta të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilëve ua shkatërruat jetën burgjeve, karrierën dhe familjen. Duhet të ngritet padi kundër redaksisë së “Botës Sot” për terror psikologjik, për lansim të fakteve të rreme me qëllim të njollosjes së figurave më emblematike të UÇK-së, redaksia e “Botës Sot” ka përpunuar dhe i ka përgatitur disa dëshmitarë të rrejshëm në proceset gjyqësore kundër UÇK-së, ka bashkëpunuar me të gjitha gjykatat, madje edhe me ato të Serbisë për të bërë të pamundurën për t’i gjykuar ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Për 20 vite i keni terrorizuar pjesëtarët e UÇK-së me të dhëna të fabrikuara, duke krijuar një antipati tek populli. Përmes gazetës tuaj keni prodhuar efekte psikologjike, ku disa pjesëtarë të UÇK-së i keni çuar në vetëvrasje. Forma e propagandës psikologjike, që është pjesë e luftës speciale të cilën po e aplikoni tash e 20 vite ka ndikuar që elitat intelektuale dhe superstruktura shoqërore të tërhiqen nga shtetndërtimi i Kosovës për faktin se lirinë e sollën UÇK e sipas tyre ka qenë dashtë ta sjellin vet ata. Këto janë mjetet dhe metodat që i ka përdorur redaksia e “Botës Sot” për të arritur qëllimet, (qëllimet kundër UÇK-së). Redaksia e “Botës Sot” ka bërë presione të hapta politike, ekonomike, sepse askush nuk më ka pranuar në punë, kanë bërë ingranazhe, njollosje e shpifje të cilat kanë reflektuar në jetën sociale, e kanë dezinformuar opinionin me gjëra krejt koti për ta dezorientuar opinionin për strukturën e UÇK-së dhe individët me ndikim në UÇK. Ju e keni shfrytëzuar anën emcionale të popullit duke dezinformuar përmes gazetës tuaj në shkallën më banale për ta orientuar popullin kundër UÇK-së që në disa raste edhe ka pasë efekte. Të gjithë këta mekanizma janë përdorur kundër UÇK-së për t’ua dobësuar fuqinë atyre. Ju keni abuzuar me vlerat e shprehjes së lirë duke e përdorur mediumin tuaj për të propaganduar rrena, shpifje e të pavërteta kundër njërzve të UÇK-së, në mesin e të cilëve më keni zgjedhur edhe mua. Përmes gazetës tuaj ju indoktrinuat një pjesë të popullatës kundër UÇK-së, duke thurur kundër tyre intriga, shpifje e dogma koti, vetëm e vetëm për t’i nxitur shtresat e caktuara kundër UÇK-së. Frytet tuaja janë vrejtur tash e 20 vite, por nuk kanë arritur as nuk do të arrijnë kurrë për t’i vjelur e korrur. I gjithë spektri krijues i kësaj gazeta ka qenë sabotazhi ndaj çdo gjëje që ndërlidhet me ish-UÇK-në, i keni përgaditur atentatet më të mëdha politike kundër një shtrese të UÇK-së që është konsideruar e padëgjueshme.  Keni shantazhuar të gjithë pjesëtarët e UÇK-së që kanë punuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ju keni bërë komplote të qëllimta të përgaditura mirë kundër vlerave të luftës që atë mos të mund ta përdorin si vlerë universale të tërë kombit. Propaganda 20-vjeçare e lansuar nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv, të ndikuara nga “Bota Sot” korrespondon me një lloj terrori psikologjik që ka dominuar në këtë gazetë ndaj UÇK dhe vlerave të luftës. Përhapja e shpifjeve, intrigave, dezinformatave, diskreditimit personal e familjar përbën vepër penale të pafalshme dhe me shumë përgjegjësi morale e institucionale.

“Bota Sot” me shkrimet e saj u përpoq e po përpiqet t’ua shpëlajë trurin një pjese të popullatës kundër UÇK-së. Fabrikimi i raporteve dhe të dhënave dhe lansimi i tyre me qëllim të diskreditimit të këtyre njerëzve me fakte e të dhëna të imagjinuara, përmes dëshmitarëve të paguar apo të kushtëzuar përbën njërën nga veprat më të paprecedan. Në kuadër të këtij projekti anti-UÇK, Serbia përgaditi dhe financoi shumë botime kundër UÇK-së, në Beograd, Paris, Londër, të financuara dhe përkthyera nga qeveria serbe dhe të shpërndara përmes rrugëve diplomatike, por të tilla janë shkruar edhe në Prishtinë nga autorë shqiptarë një cikël librash me qëllim të komprometimit dhe të njollosjes së luftës dhe vlerave çlirimtare të UÇK-së. Këto libra dhe shkrimet e “Botës Sot” përbëjnë bazën kryesore të disa akuzave të ngritura kundër UÇK-së në Hagë, por edhe nga gjyqet vendore dhe akuzat e ngritura nga Dik Marti mbi të cilat u ndërtua Gjykata Speciale që është një gjykatë e njëanshme e ngritur vetëm kundër UÇK-në, do të jetë dhe mbetet turpi i demokracisë botërore si një shembull i papërsëritshëm racist e antinjerëzor. Qeveria serbe ka financuar në luftën mediatike, propagandistike, në luftën speciale, në mediat dhe shtypin më prestigjioz botëror, vendor por edhe të vendeve fqinje për ta rrënuar autoritetin e UÇK-së dhe bartësve të saj. Mbi 500 persona shqiptarë të Kosovës dhe viseve tjera nga vitet e ‘90-ta e deri në vitin 2000 kanë marrë pjesë në një varg aksionesh e veprimtarish kundër Kosovës qytetarëve të saj, pasurisë, institucioneve dhe objekteve tjera me rëndësi, duke qenë përgjegjës edhe për vrasje, tortura, burgosje, dhunime e shkelje tjera të lgjeve që kan qenë në fuqi. Kjo shtresë e shoqërisë nuk është atakuar kurrë nga ana juaj. Redaksia e “Botës Sot” ka organizuar dhe ka udhëhequr një luftë speciale kundër UÇK-së, duke organizuar forca të posaçme që vijnë nga gjyqësia, policia, mediumet, një strukturë e deputetëve, nomenklatura e vjetër e ish-pushtetit që kanë pozita të rëndësishme në vendimmarrje në shtetin tonë e deri tek strukturat komunale, sidomos pjesa e ushqyer dhe e indoktrinuar me virusin anti-UÇK, qe 20 vite po ushtrojnë një propagandë që gjason me terrorin psikologjik, që kanë shkuar deri tek linqimi dhe çuarja në vetëvasje.

“Bota Sot” dhe mekanizmat e saj, duke mos e prejashtuar as redaksinë e kësaj gazete, organizuan luftën vëllavrasëse që është pjesë e doktrinave të Çubrilloviqit, Andriqit e akademikëve tjerë serbë, prej nga i kanë influencimet gazeta “Bota Sot” e disa mediume dhe portale tjera anti-UÇK, të cilat edhe ashtu dihet publikisht se i financon Serbia. Edhe propaganda psikologjike është pjesë e elaborateve të vjetra serbe, e cila sipas këtyre elaborateve ka për qëllim ta godasë superstrukturën shoqërore dhe vijën e njerëzve që janë të përkushtuar kombëtarsht, atë që “Bota Sot” e bën tash e 20 vite që kur ka dalë UÇK në skenë. Që nga ajo kohë nga redaksia dhe gazetarët e kësaj gazete luftëtarët e UÇK-së janë mveshur me lloj-lloj epitetesh. Mjetet që i ka përdorur gazeta dhe redaksia e “Botës Sot” janë komponente të luftës speciale që kjo gazetë e ka ushtruar ndaj UÇK-së. Këtë luftë e bënë dhe po vazhdojnë ta bëjnë eksponentët e UDB-së dhe UDB-ja ndaj strukturave të ish-të burgosurve politikë dhe njerëzve të përkushtuar rreth çështjes kombëtare.

Propaganda dhe agjitacioni i gazetës “Bota Sot” dhe disa gazetave dhe mediumeve tjera të afërta me projektet e kësaj gazete arritën ta bindin një pjesë të opinionit, por edhe strukturën e UNMIK-ut, të cilët edhe ashtu u deklaruan pro interesave të Serbisë që ndaj UÇK-së të përdorin standarde dhe politikë të dyfishtë, arritën që përmes strukturës së UNMIK-ut të bëjnë presione politike ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, arritën ta shkatërrojnë ekonominë e tyre, duke i marrë si shembuj disa pjesëtarë UÇK-së, të cilët e keqpërdorën amblemën e UÇK-së për t’u pasuruar, përdorën të gjithë mekanizmat për ta dezinformuar opinionin publik, bënë çmos për ta dezorjentuar opinionin në disfavor të strukturës së UÇK-së. Përmes këtyre mekanizmave “Bota Sot”, arriti që ta dobëson UÇK-në dhe fuqinë e UÇK-së, duke abuzuar me vetëdije, duke i përdorur me mjeshtri aktet subverzive ndaj personave të UÇK-së, dezinformimin, shpifjet e intrigat si armë të vetme për të arritur qëllimin kundër UÇK-së.

Redaksia e “Botës Sot” ka ricikluar të njëjtit artikuj që 20 vite rresht, ata e përdorën këtë gazetë për të përhapur shpifje kundër UÇK-së, për të ndërtuar intriga nga më të ndryshmet, për të dezinformuar opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, duke diskredituar pamëshirshëm komplet strukturën e UÇK-së.

Për t’i arritur këto qëllime në disa raste, redaksia e “Botës Sot”, i përvetësoi dhe e përdori rrjetin e mjeteve të komunikimit masiv.  Klani i juaj “anti UÇK”, i ndihmuar gjithmonë nga struktura e KOS-it, shkoi aq larg sa përdori helme kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, sidomos kundër strukturës drejtuese të saj. Diçka ngjashëm u përdor edhe ndaj Dr.Ibrahim Rugovës, pse kishte bërë koalicion me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, të cilin klani juaj e akuzoi me akuzat më të rënda të mundshme, të fabrikuara në kancelaritë e “Botës Sot”. Keni punuar parreshtur ta dobësoni fuqinë e UÇK-së dhe të shtresave përparimtare, të cilët dhanë mund e sakrifica për Kosovën duke i goditur me lloj-lloj shpifjesh, sipas skenarëve të përgaditur nga armiqtë dhe qarqet më të larta që punojnë kundër progresit dhe zhvillimit të Kosovës. Pjesë tjetër e skenarëve tuaj anti Kosovë është edhe përqarja politike që njerëzit tuaj po e bëjnë me përkushtim, por këtij qëllimi nuk do t’ia arrini kurrë, njerëzit dhe shtresat e caktuara të shoqërisë po vetëdijësohen përditë dhe po shërohen përditë nga helmi propagandues anti-UÇK dhe anti pjesës përparimtare të ketij vendi, të cilën iu e goditni tash e 20 vjet. Sabotimet, atentatet, vrasjet, komplotet, shantazhet e format tjera të presionit që ju i keni zhvilluar ndaj strukturës së UÇK-së, herët apo vonë do të kthehen bumerang ndaj jush. Ju e dhunuat të vërtetën para ligjit e institucioneve tjera që janë të thirrura për ta mbrojtur drejtësinë e të vërtetën. Makineria juaj propagandistike me dashje a pa dashje rezulton të jetë në koordinim e në bashkëveprim me strukturat e UDB-së e KOS-it, të njëjtit njerëz që sot trumpetojnë kundër UÇK-së ishin kundër protestave të vitit 1981 dhe organizatorëve të tyre. Edhe ndaj kësaj shtrese vepruat njëjtë sikur me strukturën e UÇK-së, duke përhapur shpifje, intriga, dezinformata me qëllim të diskreditimit të kësaj shtrese vetëm pse punonin për Republikën e Kosovës e shkatërrimin e Jugosllavisë ashtu sikur se ndodhi.

Me shkrimet e përditshme kundër një shtrese të caktuar të UÇK-së, bënë përpjekje që t’i mohojnë të gjitha të drejtat njerëzore e themelore për të jetuar.

E ardhmja u takon atyre që u paraprijnë proceseve qysh u parapriu UÇK.

Po e përfundoj me një citat nga vepra e Fishtës, “Juda Makabe”, ku Alkimi e shet lirinë e popullit të tij tek mbreti i Asirit, vetë, pse nuk ishte ai fitimtari i lirisë por ishte Juda Makabe.

 

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …