Ferat Shala: Në Kuvend kam adresuar keqmenaxhimin, abuzimet dhe devijimet në sektorë kyç

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala, ka deklaruar se gjatë mandatit të Qeverisë që po përfundon është angazhuar vazhdimisht në Kuvend për të adresuar keqmenaxhimin, abuzimet dhe devijimet serioze në një sërë resorësh të rëndësishëm shtetërorë. Në një reagim publik, Shala ka theksuar se si deputet ka ngritur çështje konkrete që lidhen me keqpërdorimin e rezervave shtetërore, sektorin e energjisë, gjendjen në Trepçë, funksionimin e ndërmarrjeve publike, procesin e dialogut si dhe problemet në arsim. “Jam përpjekur që, përmes debateve parlamentare dhe interpelancave, të vë në pah dështimet dhe abuzimet që po e dëmtojnë interesin publik dhe zhvillimin ekonomik të vendit,” ka theksuar Shala, duke shtuar se këto tema janë trajtuar me argumente dhe fakte në Kuvendin e Kosovës. Ai ka ftuar qytetarët që të shikojnë një përmbledhje të shkurtër të çështjeve që ka ngritur gjatë këtij mandati, duke nënvizuar se transparenca, llogaridhënia dhe menaxhimi i drejtë i pasurisë publike mbeten prioritetet kryesore të angazhimit të tij politik. Shala ka theksuar se angazhimi i tij do të vazhdojë edhe më tej, me synimin për ta kthyer Kuvendin në një institucion funksional të kontrollit demokratik dhe mbrojtjes së interesit të qytetarëve të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Begaj falënderon Bahamasin për njohjen e Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “X” lidhur …