Vetëm pak orë para përfundimit të afatit ligjor për seancën ku pritej të votohej mandatari i dytë për kryeministër, Glauk Konjufca, Partia Demokratike e Kosovës ka ripërsëritur se nuk do të ndryshojë qëndrim. Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, në një intervistë për Ekonomia Online, kritikoi ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar për mungesë vullneti politik në ndërtimin e institucioneve. Ai tha se seanca e sotme, e cila shënon edhe afatin e fundit ligjor, është vetëm vazhdimësi e “lojës politike” të mazhorancës. Sipas tij, për më shumë se tetë muaj, VV ka zvarritur procesin për interesa të brendshme partiake. “Nuk ka pasur vullnet për të krijuar institucione. Gjithçka tjetër është kalkulim politik brenda VV-së”, deklaroi Shala, duke paralajmëruar pasoja të rënda politike, ekonomike dhe sociale nga kjo situatë. Ai shtoi se zgjedhjet në fund të dhjetorit janë rezultat i një procesi të stërzgjatur dhe se përgjegjësia bie tërësisht mbi mazhorancën.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
