Fërgim Demiri: Në vitet 1951-1968, nga Manastiri dhe rrethinat janë shpërngulur dhunshëm mbi 38 000 shqiptarë

Fërgim Demiri: Në vitet 1951-1968, nga Manastiri dhe rrethinat janë shpërngulur dhunshëm mbi 38 000 shqiptarë

Në Vilajetin e Manastirit ka jetuar një numër tepër i madh i popullatës shqiptare gjatë gjithë periudhave historike, por ata kanë jetuar dhe në vet kryeqendrën e tij, në qytetin e Manastirit. Me rënien e Perandorisë Osmane, por dhe më parë ka patur lëvizje dhe dyndje të popullatës shqiptare nga Manastiri, por dhe nga gjithë rrethina e sajë, duke e marrë parasysh si Vilajet në tërësi. Sidomos gjatë luftërave Ballkanike, asaj të Parës dhe të Dytës, por edhe gjatë luftës së Parë botërore, askush nuk e din numrin e saktë të të dëbuarve dhe të dyndurve shqiptarë që kanë lëvizur për nga Turqia dhe Rumania, por dhe për në Itali, Bullgari, e deri në Ukrainë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pas kësaj periudhe vazhdon spastrimi etnik dhe dyndjet e mëdha të shqiptarëve nga Manastiri dhe rrethina e tij. Ata, gjatë viteve të pasluftës hasin në shtypje të mëdha duke ua uzurpuar pronat dhe pasuritë e patundshme, por edhe arin, duke ua ndaluar veshjen tradicionale, dhe më pas me planin dhe marrëveshjen e Titos dhe Menderezit nga pala turke, shqiptarët u shpërngulën për në Anadoll, duke i detyruar ata që të deklaroheshin turq.

Që nga viti 1951 e deri vitin 1968, nga Manastiri dhe rrethi i tij janë shpërngulur për në Turqi, SHBA, Itali, Kanada, Australi dhe Evropë, mbi 38 000 shqiptarë. Por nuk mbeti me kaq. Shqiptarët nga këto anë vazhduan të emigronin në vendet e lartpërmendura akoma, përmes martesave, dhe mënyrave të ndryshme.

Nga këto dyndje, pasojat janë të parapara dhe tronditëse. Disa fshatra nuk ekzistojnë më dhe si struktura urbanistike. I ka ngrënë dhëmbi i kohës. Fshatrat Snegovë, Armatush, Drevenik, Zllakuqan nuk kanë më asnjë banorë.

Tani, Manastiri ka një numër të konsiderueshëm të popullatës shqiptare, dhe atë numri më i madh jeton nëpër fshatrat përreth. Kurse në brendinë e qytetit, ka një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve, dhe ata janë ardhacak nga shumë treva të tjera, si nga Struga dhe rrethi i sajë, nga rrethi i Krushevës, Prilepit dhe Prespës. Qytetar të vjetër Shqiptar të Manastirit më s’ka. Ata jetojnë tanimë në Stamboll të Turqisë, një numër shumë i madh i tyre.

Në fillim Manastiri ka qenë një qytezë e vogël dhe kështu ka vazhduar deri në vitet 1800 – 1850. Zhvillimi i qytezës në një qytet të zhvilluar me një ekonomi të rëndësishme për Vilajetin e atëhershëm fillon pas kësaj periudhe, dhe shqiptarët këtu japin kontributin e rëndësishëm ekonomik.

Manastiri ishte një udhëkryq ku gërshetoheshin rrugët e tërë Ballkanit, apo Rumelisë si quhej atëherë. Akoma dhe asaj kohe po funksiononte rruga Antike “Via Egnatia”, e cila lidhte të gjitha Vilajetet e Rumelisë me Stambollin, kryeqendrën e Perandorisë Osmane. Sidomos lidhja me Selanikun dhe bregdetin shqiptar ka qenë një rrugë arterie kryesore që ka shërbyer për tregtinë dhe këmbimin e mallrave të ndryshme. Atëherë fillon dhe ringjallja e shqiptarëve si në aspektin frymorë, ashtu dhe at ekonomik. Shqiptarët fillojnë të participojnë në ekonominë e qytetit. Bëhen pronarë të objekteve të ndryshme, si të tregjeve, haneve (hoteleve të asaj kohe), hamameve (banjave publike), zejtarinë e marrin në dorë, merren me tregti, dhe me shumë veprimtari të tjera të kohës. Ndërtohet hani i Dibrës, ai i Kërçovës, hoteli “Liria”, shtypshkronja e Qiriazëve, ngritja e Bezistanit gjithashtu ndihmohet nga shqiptarët, etj.

Janë disa familje të njohura e të ngritura në nivelin aristokrat të kohës si ajo e Gërmenjëve, Qirjazve, familja Topulli, Zavalanët, etj. Shqiptarët në Manastir ishin gati të dytit sipas dominimit ekonomik pas hebrenjëve dhe grekëve. Shqiptarët ishin të përfshirë edhe në administratën e pushtetit osman këtu në selinë e Vilajetit të Manastirit, e njëri nga valitë e Vilajetit, ishte me prejardhje shqiptare. Por kjo e gjithë shkatërrohet gjatë luftërave Ballkanike, asaj të Parë Botërore, të Dytës dhe pas saj. Pronat e shqiptarëve bien në duart e okupatorëve dhe dhunuesve sllav dhe u merren gati pa pagesë, pasi shqiptarët iknin për në Anadoll. Pas luftës së Dytë Botërore, ata që mbetën të jetojnë në Manastirin e Jugosllavisë, ishin vetëm krah pune nëpër fabrikat që hapeshin për ardhacakët nga fshatrat sllave. Asnjë prej tyre nuk ishte në pozitë drejtuese, as nëpër fabrikat e kombinatet, e as nuk ishin të përfaqësuar në administratën shtetërore të atëhershme.

Fërgim Demiri/ ina-online.net

Kontrolloni gjithashtu

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj veprimeve të fundit hibride të instalacioneve të “Botës Serbe” brenda Qeverisë

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj veprimeve të fundit hibride të instalacioneve të “Botës …