Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, është takuar në Bruksel me Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ku në fokus ka qenë ecuria e negociatave të anëtarësimit në BE. Sipas Hoxhës, procesi i integrimit të Shqipërisë po ecën mbi bazën e reformave të qëndrueshme dhe angazhimeve konkrete, duke theksuar se vendi synon të ruajë ritmin aktual të progresit në rrugën drejt anëtarësimit. Ai ka deklaruar se në takim është diskutuar edhe zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili, sipas tij, sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe forcon procesin e integrimit evropian. Hoxha ka nënvizuar se prioritet mbeten forcimi i sundimit të ligjit, pavarësia e gjyqësorit dhe avancimi në të gjithë grupkapitujt e negociatave, si elemente thelbësore për përparimin e mëtejshëm në procesin e anëtarësimit. Nga ana e saj, Komisionerja Kos ka vlerësuar progresin e arritur nga Shqipëria, duke theksuar se zgjerimi i BE-së mbetet një proces i bazuar në meritë dhe i kushtëzuar nga zbatimi i reformave të kërkuara.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
