Ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe, më gjerë, në shtëpinë tonë të përbashkët, më bëjnë të ndihem keq për shumë arsye! Zvarritja e krijimit të institucioneve të shtetit dhe pasojat direkte dhe indirekte në funksionimin e tyre janë shumë ndikuese!
Por, ajo që brengos më së shumti në këtë situatë, është indiferenca dhe heshtja e njeriut tonë intelektual!
Po lexoj me vëmendje thirrje nga
Intelektualë e njerëz me ndikim në shoqëri drejtuar kuvendarëve, në një mënyrë shumë mekanike dhe të përgjithësuar!
Do të doja që pikërisht intelektualët të shmangnin pozicionime të tilla të përgjithësuara dhe të paqarta.
Një thirrje e përgjithësuar nuk mban peshën e duhur. Ajo nuk e detyron askënd, nuk e ndjell as ndjenjën e turpit e as atë të krenarisë. Në një situatë të ndërlikuar, nuk mund të jenë të gjithë njësoj fajtorë, e po ashtu, nuk janë të gjithë të pafajshëm.
Jo të gjithë duhet të ndihen të turpëruar, por as të gjithë kanë arsye të ndihen krenarë.
Thirrjet që vijnë nga intelektualë të caktuar duhet të kenë për themel guximin.
Guximin për të analizuar me thellësi rrethanat, për të identifikuar shkaqet e krizës dhe për të propozuar rrugëdalje përmes eliminimit të këtyre shkaqeve.
Guximi intelektual qëndron te angazhimi i hapur për një kauzë, jo te qëndrimi indiferent apo neutral.
Sepse nuk ka guxim në heshtje.
Nuk ka guxim në deklarata që nuk trazojnë askënd, që nuk shkaktojnë dhimbje apo reflektim.
Intelektuali nuk ka të drejtë të mos jetë i guximshëm. Ai nuk guxon të ngatërrojë shkakun me pasojën!
Kuvendi është një formë institucionale – puna e tij është veprimtari e rregulluar me norma e ligje. Ai nuk është as odë burrash, as faltore kishe apo xhamie!
A e shihni, të nderuar kush po i fyen vlerat më të shenjta të këtij populli?
A e shihni kush po e injoron ligjin dhe Kushtetutën?
Kush i ka uzurpuar institucionet shtetërore të vendit?
Kush e mban peng Kuvendin e Republikës së Kosovës?
Mendoj që gjithçka është e qartë!
Mendoj që boll ka arsye sa për të ngritur zërin e saj!