Brickos

Fjala e kryetarit Latifi në manifestimin qendror “Flaka e Janarit”

Në kuadër të Flakës së Janarit, kujtuam dhe nderuam  jetën dhe veprën heroike të dëshmorëve Nesimi Elshani, Halim Hoti, Agron Fetahu dhe Hilmi Krasniqi, të cilët ranë gjatë demonstratave për liri, në Brestoc, më 27 janar të vitit 1990! Fjala e kryetarit të komunës, Smajl Latifi në manifestimin qendror:

JANARI I PËRFLAKUR SHQIPTAR

Të respektuar familjarë të dëshmorëve të kombit, bashkëluftëtarë, veprimtarë të çështjes kombëtare, struktura politike dhe përfaqësues të klerit, bashkëpunëtorë e miq, të respektuar familjarë të dëshmorëve të kombit Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti e Ilmi Krasniqi, të nderuar të pranishëm, po e shënojmë edhe një përvjetor të rënieve të viganëve të kombit tonë, pishtarëve të lirisë. Janari shënon muajin e rënieve e humbjeve të mëdha të popullit shqiptar. Është edhe muaji kur në zemrat tona është ndezur më fuqishëm flaka e shpirtit liridashës. Lufta e popullit shqiptar për liri e bashkim nuk ka pushuar ndër shekuj, sepse pushtuesit zëvendësonin njëri-tjetrin. E populli ynë luftoi e qëndroi për të mbijetuar në trojet e të parëve. Natyrshëm që kur ka luftëra e përballje me armiqtë e atdheut, atëherë domosdo ka edhe heronj. Skënderbeu ishte ndër më të mëdhenjtë e epokës së qëndresës kundër pushtimit osman. Lufta dhe qëndresa e shqiptarëve të bashkuar nën flamurin e të madhit Skënderbe, u bë frymëzim për breza të shumtë. Fama e tij pushtoi Evropën dhe Azinë, ndërsa bëmat e tij u bënë flamur betejash për ne. Zemra e tij pushoi së rrahuri më 17 janar të viti 1468, por jehona e thirrjeve të tij për liri e bashkim jehoi thekshëm ndër shekuj. Ky frymëzim erdhi deri në kohën tonë. Nuk do të ketë qëndrestar shqiptar që nuk do ta ketë emblemë në zemër dhe nxitje figurën e madhe të tij. Po në këtë rrugëtim do të bien në Gjermani, më 17 janar 1982 edhe vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe bashkëluftëtari i tyre Kadri Zeka, e më 11 janar 1984 në Prishtinë, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Edhe këto rënie qenë të bujshme, ngase lëvizja ilegale e kohës kishte nisur të marrë shtrirje dhe përmasa. Kjo i shqetësonte tej mase armiqtë e lirisë tonë, prandaj ua prenë rrugën në mes. Edhe këto vrasje nuk e topitën tehun e përpjekjeve për liri. Varret e tyre u bënë vend pelegrinazhi, ku atdhetarët betoheshin se do të vazhdonin luftën për liri deri në fitore.

Të dashur pjesëmarrës!

Në këtë vazhdë të qëndresës së vazhdueshme, bijat dhe bijtë e kësaj ane u mblodhën dhe me idealin e lirisë në gji u nisën drejt përjetësisë më 27 janar të vitit 1990. Marshi nisi nga Celina, ku Agron Fetahu i organizoi vetëm më të pjekurit për të kërkuar zëshëm që Kosova të jetë Republikë. Në Nagac e priste Nesimi Elshani, luftëtar i paepur i lirisë, që i organizuar në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, ju priu në ballë të kolonës masës së njerëzve të mllefosur me padrejtësitë e pushteti serbo-jugosllav. Plagët i mori në gjoks, sepse ai gjithmonë i vuri gjoksin furtunës sa herë që atdheu e kërkoi. Ata nuk ishin shumë. Krahas dëshirës së madhe për të qenë të lirë, kishin mësimet e vyera të profesorit e atdhetarit të nderuar Ukshin Hoti, që u bë simbol i rezistencës dhe frymëzues i masave të popullit. Rruga e tyre u ndërpre me zjarr e me hekur në Brestoc. Gjaku skuqi tokën e begatë, kurse jehona e krismave ushtoi në dekada. Sa shumë gjak u derdhë atë ditë. Ranë Nesimiu, Agroni, Ilmiu e Halimi, ndërsa u plagosën dhjetra të tjerë. Por, ai gjak nuk shkoi kot. Ata ishin të lidhur qetësisht me tokën e të parëve dhe gjakun që kjo tokë të pastër ua dha, të kulluar ia kthyen. E donin të ardhmen për fëmijët e tyre e për fëmijët e fëmijëve të tyre, por pa pushtuesin mbi kokë. Thirrjet e tyre për liri e dinjitet kombëtar, bënë që organizimi i rezistencës të mos topitet, përkundrazi të kërkohen forma të tjera të organizimit. Ajka e atdhetarizmit, profesori, intelektuali e politologu Ukshin Hoti ishte ideator i kësaj lëvizjeje gjithëpopullore e që ndezi peshë zemrat djaloshare. Ai frymëzoi djelmoshat e Lëvizjes ilegale për hapat që duheshin ndërmarrë dhe mënyrën e realizimit të aspiratave shqiptare. Ata e dëgjuan thirrjen e Ukshin Hotit që, “pa humbur kohë duhet të formohen Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës”. Kjo kërkesë largpamëse u bë udhërrëfim i Lëvizjes Ilegale të kohës që nxiti themelimin e njësiteve të armatosura guerile, që më pas do të sillnin deri te formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Krijimi i UÇK-së dhe grupeve të tjera të armatosura me ide çlirimtare, burim kishin këto rënie dhe këtë gjak të derdhur. Tashmë jemi dëshmitar të kohës se, kjo luftë u kurorëzua me fitore, ndërsa ne mund të nderojmë e kujtojmë të rënët tanë në paqe e me dinjitet. Kjo na shërben për të vazhduar rrugën e tyre, në ngritjen e kombit në nivelet e merituara të përfaqësimit kombëtar e ndërkombëtar. Dhe ne u jemi përherë borxhlinj atyre që ranë për lirinë e këtij vendi. Ndërsa sot e kemi obligim moral e atdhetar që të punojmë ndershëm dhe me përkushtim për të mirën e përgjithshme. Udhërrëfim kemi jetën dhe veprën e dëshmorëve tanë, të atyre që e vulosën fatin e këtij populli me gjakun e tyre. Dhe, sa herë të takohemi në përvjetorë të tillë në mendje na bien porositë e atyre që u flijuan për të ardhmen e këtij vendi: “Të ruajmë e lartësojmë gjakun e derdhur për liri të trojeve shqiptare dhe të jetësojmë amanetin e gjithë asaj plejade të heronjve që ranë për këtë ideal”. Nderim e respekt i përjetshëm për vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën, Rexhep Malën e Nuhi Berishën, Fitim Durakun e Skënder Rexhepin, Sahit Krasniqin, e lavdi dëshmorëve që ranë në ballë të demonstratës në Luginën e Brestocit; Nesimiu, Agroni, Ilmiu e Halimi!

Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që u flijuan për këtë tokë të shtrenjtë!

Kontrolloni gjithashtu

Me ftesë të kryetarit Kastrati udhëheqja e komunës së Meyrinit (Zvicër) po qëndron në Malishevë

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, një delegacioni i komunës së …