Fjala e kryetarit të Rahovecit në seancën solemne të Kuvendit Komunal për Ditën e Çlirimit të Rahovecit

I nderuar kryesues i Kuvendit z. Afrim Dina, të nderuar anëtarë të Kuvendit të Komunës së Rahovecit, familjarë të dëshmorëve dhe mysafirë të pranishëm, pranoni urimet më të përzemërta me rastin e Ditës së çlirimit të komunës së Rahovecit. I bindur se asnjëherë nuk mund të themi aq sa të jetë e mjaftueshme për të shprehur ndjenjën e thellë të respektit e nderimit për ata që ranë në fushë të nderit për të jetësuar idealin e lirisë, mirëpo e ndjej detyrim moral e institucional që të flasim e punojmë për të ruajtur e avancuar vlerat e fituara me gjak e djersë. Rahoveci dhe gjithë anadrini dha luftëtarë trima, heronj e dëshmorë, invalidë, dha gjak e djersë. Paguam çmim të lartë për liri. Brigada 124 pati një rrugëtim luftarak të vështirë .por krenar. Dhimbje shumë për humbjet tona nëpër beteja, por edhe krenari për idealet dhe vlerat që i dhanë kuptim suksesit të luftës çlirimtare. Ne sot dhe gjithmonë nderojmë kontributin e jashtëzakonshëm për liri të kësaj treve bujare e trime, që me rezistencë e luftë e luftoi pushtimin serb. Jemi dëshmitarë të kohës dhe kemi parë e përjetuar vuajtjet e mjerimet e shumta të popullit shqiptar për dekada me radhë. Fatkeqësitë e panumërta na kanë detyruar që të drejtat tona t’i kërkojmë me armë, ndonëse ishim të vetëdijshëm se rrugë tjetër për arritjen e lirisë nuk kishte. Pabarazia me pushtuesin ishte e dukshme, mirëpo vullneti për të luftuar dhe jetuar të lirë, kalonte çdo frikë e hezitim. Vdekjet për liri nuk na kanë munguar asnjëherë. Për fatin tonë të keq zullumet e pushtuesit serb nuk i ka “parë” bota e qytetëruar, ndërsa pafuqia jonë për të krijuar aleanca të qëndrueshme përfundoi me fillimin e luftës çlirimtare. “Kur kërcasin pushkët, heshtin muzat” pati shkruar një mendimtar, dhe vërtetë krismat e armëve të luftëtarëve të lirisë e prishën heshtjen e gjatë dhe vetëm atëherë bota e qytetëruar “dëgjoi” për vuajtjet dhe kërkesat tona. Ndërhyrja e vendosur e aleatëve tanë në NATO i dhanë grushtin vendimtar barbarisë serbe, duke i detyruar të tërhiqen me turp e poshtërim nga trojet tona. Liria trokiti në vatrat tona dhe njerëzit morën frymë lirshëm pas shumë dekadash dhune të egër; tortura, burgosje, gjymtime, vrasje e zhdukje pa gjurmë të atdhetarëve tanë. Dhe liria erdhi. Liri që mban vulën e gjakut të bijave e bijve të kësaj toke. Në këtë vepër mbarë-kombëtare nuk mbeti pas as komuna jonë. Radhëve të luftëtarëve të lirisë ju bashkuan shumë djem e vajza, të frymëzuar nga paraardhës të përkushtuar që me guxim i vunë gjoksin furtunës.

Të nderuar kuvendarë,

Tashmë para nesh dalin sfida e vështirësi të panumërta, por nuk janë të patejkalueshme. Sfidat e ndërtimit të vendit tonë dhe të zhvillimit të gjithëmbarshëm shoqëror e ekonomik janë përgjegjësia jonë e çdoditshme. Angazhimet tona konsistojnë në jetësimin e asaj aspirate që na rendit në krah të popujve të civilizuar, duke u bërë pjesë e integrimeve të gjithanshme rajonale, evropiane e globale. Vendi ynë ka hyrë në këtë rrugëtim, ndërsa neve na presin edhe shumë punë e detyra, mirëpo nëse në këtë rrugëtim si fanar e mbajmë të ndezur pishtarin e lirisë që e mbajtën edhe luftëtarët tanë, atëherë nuk do të humbim rrugën asnjëherë. Bashkërendimi dhe bashkëpunimi ynë është garancia më e mirë për arritje më të mëdha, prandaj në emër të sakrificave të shumta të popullit tonë, e kemi detyrim që të punojmë së bashku për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Ditët e lavdisë, siç është Dita e çlirimit, janë momente reflektimi, prandaj sot dhe në të ardhmen kërkohet angazhim e përkushtim për të jetësuar amanetin e luftëtarëve dhe dëshmorëve tanë. Edhe një herë ju uroj – gëzuar Ditën e çlirimit, me besim se në të ardhmen do të kemi më shumë rezultate për të prezantuar para qytetarëve tanë.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Politikë dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e rregullt

Këtë të mërkurë Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt Xhavit Zariqi, ka mbajtur mbledhjën …