Flet Kryetari i grupit lab “Bijtë e Tepelenës” Kastriot Lamaj: Kënga labe ka qënë është dhe do të mbetet pjesa më e artë e identitetit tonë kombëtar

Flet Kryetari i grupit lab “Bijtë e Tepelenës” Kastriot Lamaj: Kënga labe ka qënë është dhe do të mbetet pjesa më e artë e identitetit tonë kombëtar

– “Në Tepelenë ka disa grupe labe që mbajnë gjallë dhe mbartin këngën më të bukur të kombit. Nuk ka fshat në Tepelenë që të mos ketë një minigrup dhe nuk ka shtëpi të mos ketë një anëtar  që të mos dijë të këndojë. Një nga grupet e rralla është Grupi polifonik lab “Bijtë e Tepelenës”. Ky grup ka një jetë të shkurtër të krijimit, por në repertorin e saj ka mbi 40 këngë sikur të ketë 50 vjet që është krijuar. Me moshë të re ajo ka marrë disa çmime madje dhe në Kosovë. Ky grup ka marrë pjesë në festivalin e Gjirokastrës në vitin 2015. Në festivalin prestigjioz të Bylysit në vitin 2016, ku zuri çmim të tretë. Ka marrë pjesë në festivalin etnografik që u zhvillua në fundgusht në Prishtinë ku mori çmim të parë. Në të tre Festivalet ka marrë çmime. Pra ka formuar një emër të mirë dhe pse të rinj në formim. Këtë vit ky grup mbush 10 vjeç, por ka një repertor mjaft të pasur. Albert Z. ZHOLI

Kush është qëllimi i këtij grupi dhe mesazhi që jepni?

Mesazhi është të ruajmë traditën, këngën labe si gjënë më të çmuar të trevës sonë. Ta duam dhe ta përcjellim në breza. Të mos luhatemi asnjë moment për ta ruajtur si duhet këtë perlë të këngës shqiptare që ka habitur botën. Ta ruajmë të pastër, të mos ndërhyhet nga kënga e huaj, dhe të mos e lejojmë të degradohet. Kjo sepse është kënga më shpirtërore, më e pastër, më e virgjër, më autoktone, që kudo vlerësohet, por tek ne jo. Kënga labe është direkt, live, pa CD dhe superpozim. Nuk është tallava e huazuar dhe me CD falco. Ne këndojmë në skenë dhe duket se bubullon qielli, se e tillë e fort është kënga labe. Këngëtarët e tallavasë këndojnë me CD dhe paguhen qindra herë më shumë se ne. Ndryshim i madh dhe i pabesueshëm. Tjetër është se duam ta ruajmë këngën labe nga shtrembërimet, nga tjetërsimet e emrit. Kënga jonë quhet Polifoni dhe jo Isopolifoni. Kënga jonë nuk fillon me iso, por me vargje kënge, me vargje zemre. Pra fillon me marrësin. Kjo është dhe detyra dhe qëllimi ynë ta ruajmë nga tjetërsimet dhe huazimet.

Tashmë grupi polifonik “Bijtë e Tepelenës  ka formuar fizionominë e vet dhe emrin e vet brenda dhe jashtë Shqipërisë. Sa vite mbush forumi i grupit tuaj dhe çfarë ka si qëllim të veçantë?

Tashmë grupi ynë “Bijtë e Tepelenës po mbush 10 vjet. Ndoshta nuk janë shumë, por edhe pak nuk janë. Pra një dekadë me këngë të reja që kanë sjellë vetëm risi. Grupi ynë u formua në vitin 2014, në muajin prill. Këtë grup e quajtëm kështu pasi këngëtarët nuk janë vetëm nga një fshat apo vetëm nga qyteti i Tepelenës. Këngëtarët tanë janë nga Salaria, nga Nivica, Bënça qyteti Tepelenës dhe sot ky grup është kthyer si një shkollë për këngën labe. Gjatë kësaj periudhe ne si grup kemi pasur kërkesa të jashtzakonshme për t’u afruar me grupin tonë që ta japin kontributin e tyre, apo ta perfeksionojnë më tej këngën e bukur labe. Kërkesat kanë ardhur nga të gjitha grupmoshat ku mbizotërojnë të rinjtë, të cilët nuk duan ta braktisin këtë këngë, por duan ta ruajnë si një thesar të rrallë dhe të veçuar. Por mund të them se gjatë këtyre viteve në grupin tonë kanë qarkulluar mbi 60 këngëtarë, të cilët kanë ardhur, kanë mësuar pastaj kanë ikur për arsye të ndryshme jashtë Tepelenës por duke e marrë me vete këngën labe. Shtrirja e grupit tonë në të gjithë krahinën bëri që të risim autoritetin, të rrisim besueshmërinë, kërkesat, por dhe larminë e këngëve. Secili sillte tek ne të veçantat e këngës që ai kishte në fshatin ku jetonte. Arritëm që në grup të kishim këngëtarë nga 25 fshatra të Tepelenës duke përfshirë dhe qytetin tonë. Ne u treguam të hapur për çdo lab që donte dhe dinte të këndonte të ishte pjesë e këngës labe si vajza, gra, djem, të moshuar pasi secili ka të veçantat e zërit të tij. Kjo mënyrë komunikimi ka bërë që ne të rrisim numrin e adhuruesve, të këngëtarëve, por edhe të aktiviteteve.

-Të vijmë tek të veçantat. Cila është kënga e parë polifonike me të cilën jeni prezantuar?

-Duke pasur parasysh se ngritëm një grup duke theksuar emrin Tepelena, edhe kënga e parë që kemi kënduar ka këtë këngë “Bijtë e Tepelenës”. Bijtë e Tepelenës, / Kanë krenari/ kur ka halle vendi/ vendosin kufij/ Tepelena jonë/ Tepelena ime/ I ke rritur bijtë/ Me shumë mundime….

Sa këngëtare femra keni në grupin tuaj dhe kush e përbën si zë kryesor grupin tuaj?

Kam dy femra në grup Tefta Shaha dhe Marjana Mera. Janë dy gra me zë karakteristikë, me zë të veçantë që e kanë rritur cilësinë e zërave të grupit. Gjithmonë femrat përcjellin diçka më ndryshe, më origjinale më me finesë në zërat e grupeve ku mbizotërojnë zërat e meshkujve. Hedhës dhe marrës Hodo Zifla, Metlli Memushi, kthyes, Emin Lena, hedhës (nga Nivica). Të tre janë këngëtarë specifik që për çdo ditë po pëlqehen nga të gjithë trevat ku këndohet polifonia. Ne për tre vjet kemi formuar një portretin tonë dhe ftohemi në çdo aktivitet në zonat e Labërisë dhe më tej.

-Pra një dekadë jetë, por më shumë risi. Sa këngë ka në repertorin e tij grupi juaj?

Dhe pse me moshë të re në krijim, por jo në këngëtarë dhe këngë, grupi jonë tashmë i ka kaluar të 40 këngët në repertorin e saj. Pra të gjitha janë këngë të reja të kënduara vetëm nga trupi ynë. Rrallë kemi kënduar këngë nga grupet e tjerë.

Kryesisht kush është poeti i këngëve tuaja dhe cila është tematika kryesore??

Këngët në përgjithësi i kam krijuar vetë ndaj dhe krijova këtë grup pasi doja që të gjitha poezitë e përshtatura për këngë t’i vija në dispozicion të këngës labe. Pra rreth 90% e të gjitha teksteve janë krijuar nga unë. Tematika është e larmishme, por kryesisht mbizotëron tematika patriotike, atdhetare. Këto tematika mbizotërojnë në folklorin lab dhe në Tepelenë. Janë këngë që pëlqehen shumë. Por kemi dhe tematika të ndryshme për dashurinë, për natyrën e Tepelenës, për rininë, për vajzat e Tepelenës etj… “Bijtë e Tepelenës” është një këngë që përcjell të gjithë heronjtë kryesorë të trevës sonë.

-Keni një kohë të shkurtër, por me arkiv të pasur, në çfarë aktivitetesh keni marrë pjesë brenda dhe jashtë Shqipërisë?

-Ne kemi marrë pjesë në festivalin e Gjirokastrës në vitin 2015. Në festivalin prestigjioz të Bylysit në vitin 2016, ku zumë çmim të tretë. Kemi marrë pjesë në festivalin etnografik që u zhvillua në fundgusht në Prishtinë që morëm çmim të parë. Pra në 3 vjet kemi marrë pjesë në Festivalet më prestigjioze që zhvillohen për Polifoninë në Shqipëri dhe Kosovë. Në të tre Festivalet kemi marrë çmime. Pra kemi formuar një emër të mirë dhe pse të rinj në formim.

-Kush është veshja juaj karakteristike?

– Veshja jonë është fustanella tradicionale, tirqe, qylaf, këmisha, breza karakteristikë, çorape karakteristike leshi, etj…të gjitha këto janë zgjedhur më të veçantat e krahinës.

Sa grupe polifonike ka aktualisht në Tepelenë?

Tani në Tepelenë nuk ka shumë grupe. Shumë janë shkrirë për vetë shpërndarjen në gjithë Shqipërinë. Në momentin që flasim është dhe një grup tjetër dhe grupi Bënçës me Golikun që disa pjesëtarë tani si ka në Tepelenë dhe shpesh herë ka këngëtarë të tjerë në aktivitete.

A po ruhet kënga labe në Tepelenë?

Kënga labe po ruhet me shumë vështirësi, me shumë. Ka pak këngëtarë të rinj të pasionuar. Shumica e këngëtarëve janë të vjetër, dhe të moshës së mesme. Edhe qëllimi i ngritjes së grupit tonë, ka qenë që të mos humbasë kënga labe. Kënga labe fillon nga familja. Aty është gjeneza e saj. Në dasma më parë ne e kishim që fillonte kënga labe që të hënën dhe vazhdonte deri të dielën. Këto zakone sikur po shterin.

 

Intervistoi, Albert Z. ZHOLI

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: Flet ish-oficeri i Xhenios, Ilirjan Dhima

Flet ish-oficeri i xhenjos, “Reparti ushtarak 3205” i Porto Palermos, Ilirjan Dhima

Flet ish-oficeri i xhenjos, “Reparti ushtarak 3205” i Porto Palermos, Ilirjan Dhima: Në Porto Palermo …