leoni

Forcat e Armatosura të Shqipërisë festuan 18-vjetorin e krijimit të Batalionit të Forcave Speciale

Forcat e Armatosura të Shqipërisë festuan 18-vjetorin e krijimit të Batalionit të Forcave Speciale

Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë festuar 18-vjetorin e krijimit të Batalionit të Forcave Speciale. Në ceremoninë e organizuar në mjediset e këtij batalioni në Zall-Herr, morën pjesë ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, deputetët të Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe ushtarakë të lartë. Fillimisht të pranishmit u njohën me mjetet, armatimet dhe pajisjet që kjo njësi elitë e FA-së ka në përdorim, dhe më pas efektivët e këtij batalioni, të ndihmuar edhe nga helikopterët e Forcës Ajrore, kryen një sërë veprimesh luftarake duke treguar aftësitë dhe kapacitetet e tyre. Në fjalën e saj të mbajtur me këtë rast, ministrja Kodheli ka përshëndetur efektivët e këtij batalioni dhe pjesëmarrësit në këtë aktivitet, duke e konsideruar krijimin e Batalionit të Forcave Speciale, si një çast të rëndësishëm për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Më pas ministrja Kodheli ka përmendur angazhimet kryesore të këtij batalioni, që nga patrullimi i kufirit verilindor shqiptar gjatë Luftës së Kosovës, te angazhimi në misionet e NATO-s në Afganistan, te ai në Irak, dhe deri në misionin e Bashkimit Evropian në Çad. Ministrja Kodheli solli në vëmendje edhe angazhimet e Forcave Speciale brenda vendit. “Keni mbështetur strukturat e Policisë së Shtetit për vendosjen e rendit kushtetues në shumë zona e ngjarje të turbullta të fillim viteve 2000. Por keni vepruar me vendosmëri edhe në kuadër të emergjencave civile”, ka thënë Kodheli. Në fjalën e saj ministrja Kodheli nuk la pa përmendur as dëshmorin e atdheut, kapiten Feti Vogli, i cili siç tha ajo “dha jetën për një botë më të sigurt e për një të ardhme më të mirë për të gjithë”.

Duke folur për sfidat e reja të sigurisë, rreziqet ndaj sigurisë euroatlantike, ka thënë se në kuadër të Aleancës më të madhe ushtarake në botë, po përgatitemi çdo ditë për të ruajtur vlerat më të mira të njerëzimit; lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. “Edhe ju, ushtarakë të Batalionit të Forcave Speciale, shumë shpejt do të përfaqësoni me dinjitet Shqipërinë në misionet në kuadër të NATO-s”, ka thënë Kodheli.Batalioni i Forcave Speciale është një njësi elitare e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, e ngarkuar me operacione të veçanta në kohë lufte dhe kryesisht misione kundër-terrorizmit në kohë paqeje.Gjatë 18 viteve të ekzistencës së tij, Batalioni i Forcave Speciale ka kaluar transformime të mëdha në kuadrin e formimit operacional, modernizimit dhe në kuadër të përshtatjes së taktikave dhe teknikave të reja.

 

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj kërkon zgjedhje të rregullta në Kosovë dhe kritikon qeverisjen e Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, duke folur lidhur  me situatën politike në Kosovë, ka …