Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Mesazhi i John Kerryt në Tiranë

 Të dielen që kaloi, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry vizitoi Tiranën, vizitë e cila u tha se i shërbeu thellimit të mëtejshëm të marrëdhënjeve të ngushta që ekzistojnë midis dy vendeve. U theksua gjithashtu se vizita e kryediplomatit amerikan në Shqipëri, u bë në kuadër të fillimit të festimeve me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Shqipërisë Marsin e vitit 1991 — pothuaj 50-vjetë pas prishjes së atyre marrëdhënjeve nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Megjithëse vizita e Shefit të diplomacisë amerikane në kryeqytetin shqiptar ishte një vizitë e shkurtër por e rëndësishme për nga përmbajtja dhe mesazhet, qëndrimi i tij atje u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, ashtu siç e kanë zakon shqiptarët të presin mikun, e sidomos një përfaqsues të lartë të një vendi mik, që historikisht ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm për fatin historik të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

John Kerry u takua me udhëheqsit më të lartë të qeverisë shqiptare, në krye me Kryeminisitrin Edi Rama dhe me përfaqësues të opozitës politike, të udhëhequr nga Lulzim Basha.   Kryeministri Rama u shpreh se, “Me Shtetet e Bashkuara nuk na ndanë asgjë dhe na bashkon gjithçka”, ndërsa Presidenti Bujar Nishani, i cili kishte dalur për ta pritur zyrtarin e lartë amerikan në aeroportin “Nënë Tereza”,  theksoi, “mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer”, të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë. Gjatë bisedimeve, Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi marrëdhënjet e ngushta që ekzistojnë midis dy vendeve ç’prej rivendosjes së tyre, 25 vjetë më parë. Kryediplomati amerikan nënvijoi veçanërisht bashkpunimin e ngushtë të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në përballimin e sfidave të përbashkëta me të cilat përballet sot bota, veçanërisht sfidat në fushën e diplomacisë ndërkombëtare,të sigurisë, të politikës ushtarake dhe në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.

Një aspekt tjetër me rëndësi dhe tepër pozitiv nga vizita e John Kerry-t në Tiranë, ishte edhe takimi i tij me përfaqsues të shoqërisë civile, një grup të rinjsh e të rejash të cilët kanë studiuar në Shtetet e Bashkuara. Shpresoj që këta t’i kenë paraqitur Sekretarit Amerikan të Shtetit një pasqyrë ndryshe nga paraqitjet zyrtare për situatën aktuale në Shqipëri dhe rekomandimet e tyre për përmirësimin e veprimtarisë së tyre dhe për rolin që duhet të luaj shoqëria civile në Shqipëri.   Ishte ky një takim simbolik, por tepër i rëndësishëm për të venë në dukje mbështetjen e fortë të diplomacisë amerikane për rolin që duhet të luajë shoqëria civile në një vend siç është Shqipëria.

Media të ndryshme shqiptare trumpetuan lajmin se gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Sekretari Amerikan i Shtetit kishte mbështetur reformat në Shqipëri.  Pse mos të mbështeste John Kerry reformat.  Kjo ka qenë politikë e Amerikës ç’prej fillimit, qoftë nga administratat demokrate, qoftë nga ato republikane. Është kjo një politikë që nuk ka ndryshuar nga administrata në administratë, gjatë çerek shekullit të kaluar. Mbështetja e Amerikës për reformat të vërteta dhe për zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe për shqiptarët në përgjithësi, është përsëritur aq shpesh, pothuaj me çdo rast që takoheshin përfaqsues të lartë të dy vendeve.  Kështu kanë bërë gjithnjë zyrtarë të ndryshëm amerikanë gjatë këtyre 25-viteve të kaluara, qoftë në Tiranë, qoftë gjatë vizitave të zyrtarëve të lartë shqiptarë në Washington.   John Kerry nuk mund të fliste ndryshe në Tiranë as pas një çerek shekulli marrëdhënjesh midis dy vendeve, veçse të përkrahte përpjekjet e Shqipërisë për reforma serioze, sidomos në fushën e drejtësisë, duke thënë se vendi është në rrugë të drejtë.  Nuk ka dyshim se Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin edhe më fuqishëm reformat e miratuara me ligj dhe reformat e zbatuara në fakt — nga mbarë politika dhe drejtësia shqiptare.  Por dita më e mirë në marrëdhëniet amerikano-shqiptare do të jetë atëherë kur — në takimet zyrtare të përfaqsuesëve shqiptarë dhe amerikanë — të mos flitet më për reforma, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit, për zbatimin e ligjit dhe për transparencë në sistemin ligjor dhe në zbatimin e drejtësisë në Shqipëri. Shpresohet që premtimet e dhëna nga Tirana zyrtare gjatë kësaj vizite për nismën e reformave në drejtësi, të mos jenë vetëm, “fjalë të mira e gurët në strajcë”.  Historikisht, sidomos para të huajve, politikanët shqiptarë janë shprehur me fjalë të bukura sikur të ishin ndjekës të Xhefersonit, por me vepra janë treguar zhgënjyes. Premtimi për reforma pa një ligj dhe angazhim serioz për zbatimin e ligjit të reformave themelore, në të gjitha nivelet, nuk ka kurrfarë rëndësie.

John Kerry u premtoi zyrtarëve shqiptarë dhe nepërmjet tyre edhe popullit shqiptar se Shtetet e Bashkuara mbështesin reformat në drejtësi dhe siguroi bashkbiseduesit se, “Shtetet e Bashkuara janë absolutisht të gatëshme dhe të vullnetshme për të premtuar edhe në emër të Presidentit Obama, se ne jemi me ju në këtë transformim dhe në këtë rrugë.”    Por mesazhi kryesor besoj unë i Kryediplomatit amerikan gjatë qëndrimit të tij në Tiranë ishte se, ndonëse Shqipëria ka mbështetjen e patundur të Amerikës në këtë projekt-transformim të reformave në sistemin e drejtësisë, “Në fund të fundit, janë vet shqiptarët ata të cilët duhet të miratojnë ligjet – ligjet e duhura – dhe njëherazi të ngulin këmbë dhe të jenë serioz për zbatimin e tyre”, tha John Kerry.  Kjo, shtoi ai, “Është e vetmja rrugë e cila garanton se do ta çojë Shqipërinë në të ardhmen, drejtë partneritetit të plotë me Europën dhe me botën, por edhe drejtë begatisë dhe mundësive më të mira për mbarë popullin shqiptar.”

Amerikanët janë zakonisht optimistë dhe theksojnë pozitiven, natyrisht pa harruar sfidat me të cilat përballet Shqipëria. Në këtë frymë, John Kerry me të drejtë nënvijoi arritjet e Shqipërisë gjatë këtyre 25 viteve ç’prej nënshkrimit të rivendosjes së marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane. Megjithë vështirsitë me të cilat është përballur vendi, janë të dukshme sukseset e arritura gjatë kësaj periudhe, ç’prej Marsit të vitit 1991 kur për herë të parë në 50-vjetë, në tokën shqiptare shkeli delegacioni i parë amerikan në Tiranë, pjesë e të cilit kisha nderin dhe privilegjin që të isha edhe unë. Ndryshimet që janë shënuar në atë vend në kragasim me Shqipërinë e vitit 1991 janë si dita me natë.  Si një prej sukseseve të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, është përmendur vazhdimisht antarësimi i Shqipërisë në NATO, ashtu siç e përmendi edhe John Kerry. Pa dyshim një arritje historike për kombin shqiptar në fushën ndërkombëtare, sidomos në fushën ushtarake, një arritje kjo që nuk do të kishte ndodhë pa mbështetjen e fortë të Shteteteve të Bashkuara.  Por progresi i Shqipërisë në rrugën drejtë Europës nevojitë më shumë se kaq. Krahasimi nuk duhet dhe nuk mund të bëhet me periudhën para 91-isht, siç krahasonte regjimi i Enver Hoxhës, “arritjet e mëdha” të komunizmit me kohën e Zogut.  Pyetja duhet të jetë ku është Shqipëria dhe ku duhej të ishte Shqipëria sot në fillim të shekullit 21.  Moskomunikimi i mirëfilltë dhe mungesa e respektit për njëri tjetrin, në radhët e politikanëve shqiptarë, kanë qenë dhe janë pengesat kryesore për konsolidimin dhe funksionimin e shtetit demokratik.

Duke pranuar se as shoqëria dhe demokracia amerikane si sistem qeverisës nuk janë të përfeksionuara dhe se madje edhe Amerika i ka sfidat e veta, është e rëndësishme, u tha krye-diplomati amerikan shqiptarëve, që të diskutojnë haptas me njëri tjetrin mbi problemet e vendit dhe të veprojnë së bashku për të zgjidhur çështjet dhe shqetësimet me të cilat përballet populli. Fatkeqsisht kjo nuk është hera e parë që Tirana zyrtare i ka dëgjuar këto këshilla nga miqët amerikanë.

Andaj lindë pyetja — dhe këtë pyetje duhet t’ia bëjë vetes çdo politikan i kësaj periudhe, sado krenar që të jetë për arritjet e tyre personale ose të partive të tyre — se si është e mundur që 25 vjetë pa shëmbjes së komunizmit anë e mbanë Europës, në Shqipëri gjithnjë flitet për “konsolidimin e shtetit” demokratik? Pse nuk ka arrijtur Shqipëria ato që kanë arritur vende të tjera ish-komuniste siç janë vendet baltike, Kroacia e Sllovenia e madje edhe Bullgaria e Rumania të cilat, përveç antarësimit të NATO,  janë tanimë anëtare edhe të Bashkimit Europian. Çka i mungon Shqipërisë që të mos jetë tanimë anëtare e plotë me të drejta dhe përgjegësi në të gjitha institucionet euro-atlantike? Duke marrë parasyshë të kaluarën e Shqipërisë dhe të një regjimi të ashpër komunist që sundoi me dorë të hekurt vendin, Shqipëria duhej të kishte qenë e para që të plotësonte kushtet për një antarësim të tillë. Në të vërtetë, duke parë shkatërrimin fizik dhe shpirtëror që kishte shkaktuar regjimi komunist mbi shqiptarët 25-vjetë më parë, mendohej se Shqipëria e çliruar nga komunizmi do të ishte vendi që do të shkëputej i pari nga ajo histori dhe nga mentaliteti i atij regjimi, pasojat e të cilit mund të shihet kudo edhe sot, përfshirë edhe në jetën politike. Fatkeqsisht, kjo nuk ndodhi megjithëse politikanët shqiptarë e dinë mirë se ç’duhet bërë dhe se është në duarë të tyre që të distancohen nga politika konfliktuese dhe inatete personale dhe të angazhohen seriozisht për drejtësi dhe demokraci të vërtetë në vend.

Por, më mirë vonë se kurrë, nëqoftse qëndrimi i Shefit të diplomacisë amerikane të djelën në Tiranë do të ndihmojë që të mos humb edhe ky rast historik për bërjen dhe zbatimin e reformave të nevojshme në Shqipëri, atëherë vizita dhe takimet e tija me udhëheqsit shqiptarë do të konsiderohen si të sukseshme.  Në këtë 25-vjetor të rivendosjes së marrëdhënjeve dypalëshe, sikurë donte të vinte në dukje rolin hidtorik të komunitetit shqiptaro-amerikan në këto marrëdhënje, John Kerry pohoi se kishte shumë miqë me prejadhje shqiptare në Amerikë, të cilët i kishin bërë atij gjithmonë thirrje që të vizitonte Shqipërinë, ndërsa shprehu mirënjohjen për pritjen që iu akordua në Tiranë dhe theksoi edhe njëherë se Shqipëria mund të llogarisë në miqësinë dhe në mbështetjen e plotë të popullit amerikan dhe të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në rrugën e reformave. Në këtë 25-vjetor të rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike shqiptaro-amerikane, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry — duke reflektuar mbi marrëdhënjet e forta aktuale midis dy vendeve — në Tiranë, shprehu optimizmin e tij se në të ardhmen, “Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të shtojnë dhe do të forcojnë mëtej marrëdhënjet e veçanta që kemi sot”. Marrëdhënjet shqiptaro-amerikane — me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së tyre — do të shënonin një përparim dhe forcim të paparë deri më sot, nëqoftse klasa politike në Shqipëri dhe shqiptarët në përgjithsi, më në fund heqin dorë nga konfliktet politike, nga interesat personale dhe partiake dhe t’i përkushtohen seriozisht mirëqenjes së vendit dhe interesave kombëtare. Kjo do të ishte dhurata më e mirë në këtë përvjetor! Mesazhi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry në Tiranë — drejtuar të gjitha forcave politike të vendit — ishte: Nëqoftse ia doni të mirën vendit tuaj, punoni së bashku për një të ardhme më të mirë për këtë fëmij dhe të gjithë fëmijtë anë e mbanë Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …