Gani Sheqir Kastrati (13.3.1975 – 24.8.1998)

Gani Sheqir Kastrati (13.3.1975 – 24.8.1998)

Në familjen e varfër fshatare, por atdhetare të Sheqir Kastratit të fshatit Nekoc, më 13 mars të vitit 1975 lindi Gani Kastrati.

Shkollën fillore e mbaroi në Nekoc, ndërsa në vitin shkollor 1993-1994 regjistrohet në Gjimnazin e Drenasit ( ish Gllogoc), të cilin e kryen me sukses. Gjendja e rëndë ekonomike në familje e detyron të kërkojë punë. Ganiu disa herë kishte kaluar ilegalisht kufirin Kosovë-Shqipëri. Përmes shokëve të tij besnik, ishte në dijeni për veprimin e grupeve të armatosura, që asokohe kryenin aksione kundër policisë represive serbe.    Qysh në mars të vitit 1998, pas qëndresës titanike dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe Jasharëve të tjerë, Ganiu shkon në Likoc dhe atje pranohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deri në gjysmën e dytë të majit të vitit 1998, Gani Kastrati ka marrë pjesë në aksionet luftarake kundër policisë serbe në Likoc, Abri, Baicë e Elshanit etj.

Me rastin e pozicionimit të luftëtarëve të njësiteve “Lumi dhe Pëllumbi” rreth Grykës së Llapushnikut, Ganiu me Enver Gashin dhe disa bashkëluftëtarë nga Drenica qendrore vendoset në Grykën e Llapushnikut. Aty ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar më 9 maj të po atij viti. Prej asaj dite e deri më 26 korrik të vitit 1998, Gryka e Llapushnikut ishte bërë fortesë e pakalueshme për ushtrinë dhe policinë serbe.

Me rastin e zgjerimit të pikave luftarake të UÇK – së në rajonin e Drenicës jugore, prej Komaranit e deri në Carralevë, Gani Kastrati së bashku me shumë luftëtar të Nekocit, si: Ilir Dugolli, Gafurr Dugolli, Ismet Hoxha, Hilmie Plakiqi, Azem Kastrati e shumë të tjerë, u angazhuan në konsolidimin e pikave në fshatrat: Nekoc, Baicë, Fushticë e gjetkë.

Ganiu kishte natyrë të çiltër. Ishte i afërt dhe i dashur për shokët. Në ballë mbante një kordele të kuqe. Kishte tiare tipike të luftëtarit revolucionar. Ishte përherë në mesin e luftëtarëve të dalluar të Drenicës. Ishte i pandashëm me Imer Alushanin, Gafurr Dugollin, Hilmie Plakiqin, Sylë Qeriqin e të tjerë. Kudo ku jehonin krismat e lirisë, ai ishte i gatshëm për të sulmuar me raketahedhësin e tij dhe me kallashnin gjithnjë në gjendje gatishmërie.

Më 14 qershor të vitit 1998, në kohën kur trimat e Pikës së Krojmirit, të Pjetërshticës, të Zborcit e të Carralevës, kishin barrikaduar Grykën te vendi i quajtur Ura e Sahitit, në rrugën Carralevë – Pjetërshticë, Gani Kastrati dhe Imer Alushani, nga Gryka e Llapushnikut u shkojnë në ndihmë luftëtarëve që kishin zënë Grykën e Carralevës. Dy orë pas fillimit të betejës, derisa predhat dhe mortajat armike po goditnin një rreze të gjerë veprimi te Kodra e Balajve dhe në drejtim të Zborcit, Gani Kastrati me Imer Alushanin dhe disa luftëtarë të tjerë, nëpër breshërinë e armës armike, depërtojnë deri te istikamet e luftëtarëve të barrikaduar në Grykën e Carralevës.

Ganiu kishte arritur që me mortajën e tipit 500 të godiste tankun armik, në kohën kur forcat serbe kishin bërë përpjekje për të depërtuar drejt pozicioneve të UÇK-së.

Me rastin e konsolidimit të pikave në Blinajë, Ganiu me bashkëluftëtarët e tij marrin pjesë në përforcimin e pozicioneve.

Oda e shtëpisë së tij në Nekoc qe kthyer në shtab lokal të UÇK-së. Ku ushqeheshin dhe trajtoheshin si duhet luftëtarët e lirisë. Ai shkëlqente në mesin e shokëve, sidomos me zhdërvjelltësinë e tij të lindur. Ishte shumë i shpejt dhe i përpiktë në përdorimin e të gjitha llojeve të armëve, prej revoles e deri te gulinovi. Mbi të gjitha ishte shenjëtar i shkëlqyeshëm.

Një e veçantë tjetër e angazhimit të tij ishte edhe prirja për të sogjetar dhe për ta vëzhguar terrenin ditë e natë. Gjithnjë ishte në lëvizje, nga një pikë e pozicionit në pikën tjetër, gjithnjë atje ku më së shumti kërkohej prania e tij.

Ganiu ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha luftimet që janë zhvilluar prej  Grykës së Llapushnikut, në Fushticë, Blinajë e deri në Carralevë e në Bajrak të Luzhnicës.

Ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në Fushticë, më 24 korrik të vitit 1998. Po ashtu ka luftuar edhe në Grykën e Llapushnikut, më 25 dhe 26 korrik të po atij viti.    Pas thyerjes së Grykës së Llapushnikut dhe rënies dëshmor të Imer Alushanit, Gani Kastrati sistemohet në pikën luftarake të komandant “Kumanovës” , te Bajraku i Luzhnicës, afër Qafës së Duhlës, duke qenë se edhe atje pritej fillimi i ofensivës.

Pika luftarak e “Barjakut”, ishte e vetmja që kishte mbetur e pathyeshme gjatë ofensivës së verës së vitit 1998. Ishte një beden tejet strategjik për ta mbrojtur Rrafshnaltën, ku ndodhej Shtabi i Përgjithshëm dhe ku kishte shumë luftëtarë të plagosur, që bashkëluftëtarët e tyre i kishin sjellë nga vendluftimet e Rahovecit e disa syresh edhe nga Dukagjini. Po ashtu në grykat e maleve, Krojmir, Shala, Nekoc e Kizharekë, ndodheshin të strehuar dhjetëra mijëra banorë të zhvendosur.

Komandant Kumanova – Ismet Jashari dhe komandant Çeliku – Fatmir Limaj, kishin marrë masat për të përforcuar portën kryesore të Rrafshnaltës nga ku armiku mund të depërtonte. Pikërisht për ta mbrojtur atë portë strategjike, atje qenë dërguar luftëtarët e sprovuar, shenjëtarët e sprovuar dhe më trimat, që ishin treguar në luftimet përballë armikut.

Më 23 gusht të vitit 1998, në orën 5.30 minuta, fillojnë detonimet e fuqishme mbi Rrafshnaltë. Me armë të rënda të artilerisë, me topa, praga, raketa të tipit kaçusha dhe tokë – tokë, me minahedhës të kalibrave të ndryshëm, goditeshin fshatrat, Luzhnicë, Gugë, Karaçicë, Javor, Bllacë, Pjetërshticë e Krojmir. Raketat tokë – tokë goditnin  në drejtim të Kleçkës e të Divjakës. Forca armike kishte ndërmarrë të gjitha masat për të depërtuar në Rrafshnaltë. Gjatë tërë ditës, ishin zhvilluar luftime.

Po atë ditë, Gani Kastrati me Refki Mazrekun dhe disa luftëtarë të tjerë ndërmarrin një sulm të armatosur kundër forcave serbe në Malishevë.

Luftimet kundër pikave ushtarake të Kumanovës nuk ishin ndalur as të nesërmen, më 24 gusht. Forca armike, e përqendruar sidomos në bazën ushtarake të Qafës së Duhles, kishte në shënjestër dy pika të luftimeve, njërën në drejtim të Greiçevcit e Budakovës dhe tjetrën në drejtim të Luzhnincës e të Kleçkës.

Më 24 gusht, herët në mëngjes, komandanti Nuhi Mazreku tregon se forcat serbe po granatojnë nga drejtimi i Bllacës në drejtim të Bajrakut. Nuhiu së bashku me Gani Kastratin, Refki Mazrekun i njohur me emrin e luftës si “Van Dami”, pastaj me Ilir Kryeziun, Kujtim Krasniqin, Valbonë Morinën, nisen me veturë në drejtim të Bajrakut të Luzhnicës, për t’i shkuar në ndihmë Ismet Jasharit – komandant Kumanovës.

“ Të gjithë hipën në xhip, thotë luftëtari Nuhi Mazreku dhe shton: “Meqë xhipi i tipit kabrioletë nuk na zinte të gjithëve, Ganiu ulet mbi gomën rezervë. Afër 100 metra pa arritur te pozicionet, mbi xhipin tonë zbrazet breshëria e armëve të armikut, të cilët na kishin vënë në shënjestër. Ganiu me shpejtësi kërcen nga xhipi dhe merr pozicion sulmi. Ndërkohë plagosem unë dhe Ilir Kryeziu. Meqë Ganiu kishte marrë plagë vdekjeprurëse, ai mbeti në rrugë, ndërsa ne bëmë përpjekje për ta tërhequr. Në përpjekje për t’i ofruar ndihmë Ganiut dhe për ta tërhequr nga rruga ku kishte rënë, bien duken luftuar kundër forcave armike edhe Afrim Mazreku e Afrim Buçaj”.

Edhe pse i plagosur, Refki Mazreku, me luftëtarë të tjerë, pasi konsideron se ishte krejtësisht e pamundshme tërheqja e të rënëve, bënë përpjekje për të lajmëruar ushtarët që vinin në drejtim të Bajrakut, në mënyrë që ta mënjanonin rrugën, meqë ajo ishte vënë në shënjestër të forcave të shumta armike.

Të nesërmen, më 25 gusht, herët në mëngjes, Ismet Jashari – Komandant Kumanova me Habib Zogajn, zëvendës komandant i njësisë diversante vëzhguese “Arbëri” dhe me disa luftëtarë të tjerë, bëjnë përpjekje për të marrë trupat e dëshmorëve: Gani Kastrati, Nuhi Mazreku dhe Afrim Buçaj. Në luftime e sipër në luftë kundër forcave serbe bien edhe Ismet Jashari-komandant Kumanova dhe Habib Zogaj. Duke qenë se sulmi kishte zgjatur me orë të tëra, bashkëluftëtarët nuk arrijnë që t’i marrin kufomat e dëshmorëve. Forcat armike kishin depërtuar te vendi i rënies së dëshmorëve në Bajrak të Luzhnicës dhe i marrin trupat e tyre. Ata i varrosin në Shirokë të Therandës. ( ish Suharekë).

Më vonë, luftëtarët e brigadës “Kumanova”, në bashkëveprim me luftëtarët e Anadrinit, arrijnë që kufomat e dëshmorëve t’i zhvarrosin nga varret e Shirokës dhe t’i sjellin në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Kleçkë, ku varrosën me nderime ushtarake.

Në nderim dhe përkujtim të jetës heroike të Gani Kastratit, në fshatin Nekoc është ngritur pllaka përkujtimore për dëshmorin, e aty janë skalitur edhe emrat e dy dëshmorëve të tjerë nga fshati Nekoc: Azem Kastrati dhe Nebih Murseli. Familjes së dëshmorit i kanë dhënë Mirënjohje MMQPK. Po ashtu mirënjohje i ka dhënë edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Mirënjohje i ka dhënë edhe Kuvendi Komunal i Drenasit.       Ganiu ka lënë nënën, dy vëllezër, Hamdiun dhe Vehbiun, si dhe motrat, të cilat e ruajnë me respekt e mosharrim kujtimin për vëllanë e tyre dëshmorë. (  Feniksët e lirisë-4 )

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …