Brickos

Geri Kokalari

Geri Kokalari: Miliona dollarë nga Tirana janë përpirë nga lobistët e Uashingtonit

Për të, prokurorët tani duhet të kthehen dhe të shqyrtojnë se sa janë shpenzuar për lobistët e Uashingtonit gjatë dy dekadave të fundit. “Ky nuk është një sekret i madh sepse informacioni gjendet në FARA (Aktet e Përfaqësimit të Agjentëve të Jashtëm) që lobistëve amerikanë u kërkohet të paraqesin kur përfaqësojnë interesat e huaja. Vetëm një shkelje e paraqitjes në FARA nga Paul Manafort, menaxher i fushatës së Donald Trump e futi atë në burg. Nga vlerësimi im mund të flasim për rreth disa miliona dollarë nga PD të përpirë nga lobistët e Uashingtonit” – thotë Geri Kokalari.

Më poshtë, intervista e tij botuar sot në Dita:

– Zoti Kokalari, dy ditë më parë u thirr në Prokurorinë e Tiranës kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha për të dëshmuar rreth dollarëve që janë paguar për të lobuar për këtë parti në qarqet e larta të administratës amerikane. A keni ndonjë opinion tuajin për këtë zhvillim? 

– Po, kam. E vetmja surprizë që vjen me këtë lajm është pse nuk është shqyrtuar më herët kjo çështje? Prokurorët tani duhet të kthehen dhe të shqyrtojnë se sa kanë shpenzuar Berisha, Basha dhe PD për lobistët e Uashingtonit gjatë dy dekadave të fundit. Ky nuk është një sekret i madh sepse informacioni gjendet në FARA (Aktet e Përfaqësimit të Agjentëve të Jashtëm) që lobistëve amerikanë u kërkohet të paraqesin kur përfaqësojnë interesat e huaja dhe ky informacion është çështje rekordi publik. Vetëm një shkelje e paraqitjes në FARA nga Paul Manafort, menaxher i fushatës së Donald Trump e futi atë në burg. Vetëm në rast se dikush e ka harruar, në mesin e lobistëve të punësuar në të kaluarën janë BGR, Tom Ridge, Stuart Stevens, Patton Boggs etj. Add Stonington dhe Muzin janë tani në këtë grumbull plehrash. Nga vlerësimi im mund të flasim për rreth disa miliona dollarë nga PD të përpirë nga lobistët e Uashingtonit.

– Në pamje të parë duket se këtu nuk ka ndonjë gjë të keqe, përderisa vetë Shtetet e Bashkuara e lejojnë diçka të tillë si lobimi. Dhe kjo është një punë që duhet paguar. Atëherë ku qëndron gabimi apo krimi i politikanëve të Tiranës?

Keni të drejtë. Po unë pyes për çfarë janë harxhuar gjithë këto para? Ato janë shpenzuar për të krijuar mundësitë për të bërë fotografi me udhëheqësit politikë amerikanë për të avancuar interesat politike të Berishës, jo interesat e popullit të Shqipërisë. Dhe nga vijnë këto para? Ndërkohë që po përpiqemi të gjejmë përgjigjen ndaj këtij misteri, ndoshta mund të zbulojmë se ku i gjeti paratë Shkëlzen Berisha  për të paguar betejën ligjore kundër botuesit dhe autorit të Ëar Dogs. Unë mendoj se ai mund të fillojë një tjetër veprim ligjor për të apeluar humbjen e tij poshtëruese. Gjithçka që mund të bëj është t’i uroj përsëri fat. Ai mund të ketë nevojë. Sepse një zog i vogël më tha se Shkëlzeni mund të ketë një problem edhe më të madh me rastin e tij ligjor herën tjetër.

 

– Çfarë, për shembull?

– Le të kthehemi te thelbi i çështjes për të cilën po flasim. Duke folur për lobistët dhe hetimet, pyetja që unë kurrë nuk i jam përgjigjur dhe ndoshta prokurori mund ta ketë të vështirë, është:  Ku i gjeti dhe si i bleu Fatmir Mediu të gjitha ato orë të bukura që mban në dorë dhe që unë i kam admiruar? Kam folur edhe herë të tjera për këtë politikan të pacipë, prandaj nuk po zgjatem më tej këtu. Pamjet e këtyre shejtanëve që protestojnë kundër korrupsionit janë të neveritshme dhe duhet t’i bëjnë të gjithë shqiptarët – dhe veçanërisht ata që i mbështesin këta gomerë – të ndiejnë pështjellim në stomakun e tyre. Oh, meqë ra fjala, nëse nuk gaboj, Ilir Meta dhe LSI-ja e tij kanë disa dosje të tyre në FARA që përfaqësojnë pagesa për lobistët e Uashingtonit që shkojnë në qindra mijëra dollarë. E gjithë kjo më bën të pyes veten pse Shqipëria kurrë nuk e gjeti momentin e saj të natyrës Çaushesku. Por nuk është kurrë tepër vonë!

– Mund të kenë lidhje me çështje të tjera më të hershme e ndoshta më të koklavitura hetimet e tanishme?

– Padyshim që kanë. Unë mendoj se ju e keni lexuar një artikull në BalkanInsight afro pesë vjet më parë rreth lidhjeve të Lulzim Bashës dhe Damir Fallziçit. Në atë shkrim thuhet shprehimisht se biznesmeni i dyshimtë boshnjak Damir Fazlliç, një sekser me miq të fuqishëm në Uashington DC dhe në Ballkan, kërkoi 1 milionë dollarë ‘investim’ për Partinë Demokratike të Shqipërisë në mënyrë që të siguronte një kontratë fitimprurëse në telekomunikacion, aludon ish partneri i tij në biznes nga SHBA.

Po ua sjell në kujtesë lexuesve tuaj të respektuar ashtu siç është shkruar në atë kohë:

“Ndërsa Shqipëria përgatitej  për të hapur tregun e vet të bisedave telefonike përmes internetit, Voice over Internet Protocol (VoIP), në vitin 2006, Fazlliç dhe partnerët e tij amerikanë sakaq kishin krijuar Meridian Telecommunications, dhe po përgatiteshin të përfitonin avantazh të gjerë duke qenë firma e parë që ofronte këtë shërbim në bashkëpunim me kompaninë shtetërore Albtelecom. Kompania po shpresonte të realizonte së paku 3 milionë dollarë fitime vetëm gjatë vitit 2007, tregojnë dokumentet e kompanisë, por kishte vetëm një problem. Partnerët amerikanë duhej të bënin dy ‘pagesa për investim’ prej 500 mijë dollarësh secila për Partinë Demokratike në pushtet para 15 dhjetorit 2006, për të arritur marrëveshjen. Fazlliç, një njeri i lidhur ngushtë me kryeministrin shqiptar të kohës, Sali Berisha, i tha partnerëve të tij amerikanë se këto para nevojiteshin për të bërë pagesën duke qenë se “megjithëse kryeministri aktual i ka edhe tre vite të tjera mandat, ne kemi nevojë për njerëzit e duhur në qeverisjen vendore për të fituar. Kjo ndihmon këtë kauzë para fundit të vitit zgjedhor”.

Këto që përmend këtu nuk janë sajesa, por citohen sipas procesverbalit të takimit të mbajtur nga Meridian në shtator 2006. Mirëpo a është hetuar ndonjëherë kjo aferë korruptive kaq flagrante? Kurrë. Pse?

– Zoti Kokalari, me sa më kujtohet ju keni qenë edhe vetë i angazhuar në zhvillimet e atyre viteve, pra rreth 15 vite më parë dhe me siguri keni faktet tuaja të drejtpërdrejta. Mund të na tregoni diçka për lidhjet me Berishës, Bashës dhe Fazlliçit?

– Pavarësisht se për këtë çështje është shkruar shumë, ia vlen që ato të kujtohen dhe mund t’i shërbejnë prokurorisë për hetime të mëtejshme. Sepse ngjarjet e asaj kohe janë ngushtësisht të lidhur edhe me zhvillimet e tanishme. Më kujtohet se kur Berisha punësoi BGR, Fazlliç ishte i përfshirë dhe shihej duke vrapuar rreth Tiranës me përfaqësuesit e BGR dhe Stuart Stevens.

Unë i takova të gjithë së bashku në Sheraton sepse të gjithë kishim të njëjtin objektiv në atë kohë. Në atë kohë unë po ndihmoja të mposhtej Fatos Nano. Erion Veliaj më tha se Stevens kishte kërcënuar se Erionit do t’i bllokohej viza amerikane. Veliaj po punonte gjithashtu për të minuar Nanon, dhe ne bashkëpunuam në këtë drejtim, por sigurisht ai kishte një axhendë të ndryshme nga Berisha, ai ishte në linjë me Ramën, por ishte në interesin e tyre për të krijuar probleme për Nanon. Kur Veliaj më tha këtë, e thirra Stevensin dhe i thashë atij të tërhiqej dhe nëse nuk e pëlqente ai mund të përpiqej të bllokonte vizën time.

Edhe pse Nano dhe PS humbën, Rama dhe Veliaj fituan sepse kjo e ndihmoi Ramën të fitonte kontrollin e PS dhe përfundimisht pozicionin e tij si Kryeministër. Menjëherë pas zgjedhjeve, unë e takova Bashën në Sheraton dhe e pyeta nëse ai do të punonte për fiksimin e problemit me marrëveshjet e interkoneksionit të Telekomit, gjë që unë e kam përdorur për të goditur Nanon. Basha tha se ishte duke punuar, por unë ende po pres që Basha ta rregullojë këtë problem.

Unë nuk e dija në atë kohë, por nga ky artikull që citova pak më parë nga BalkanInsight duket se ideja e Bashës për të ndrequr problemin ishte më së shumti në vijën e fiksimit për të mbushur xhepat e Berishës, Bashës dhe Fazlliçit me para. Nga dokumentet bankare zbulohet gjithashtu se kunati i kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha tërhoqi 56 mijë euro nga një kompani nën pronësinë e biznesmenit të dyshimtë boshnjak Damir Fazlliç. Fazlliç qe këshilltar i afërt i Berishës dhe anëtarëve të tjerë të lartë të Partisë Demokratike gjatë fushatës së tyre të suksesshme zgjedhore të vitit 2005, duke rekrutuar kompaninë e lobimit me ndikim në Uashington DC, BGR, për të këshilluar.

– Pra, ju mendoni se kjo ortakëri e Fazlliçit me Berishën dhe Bashën ka funksionuar?

– Pa asnjë dyshim. Ja një fakt tjetër: Pas fitores zgjedhore të Berishës, Fazlliçi me shpejtësi filloi të përdorë kontaktet e tij për të ndërtuar perandorinë e tij të biznesit në Shqipëri – në atë kohë, një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë. Ai themeloi në Tiranë tre kompani – Croën Acquisitions, Virtu Acquisition dhe SRF Developments – duke vendosur kunatin e Bashës, Erion Isufin, si menaxher të tyre.

Lidhjet e tij të dyshimta me pushtetin erdhën nën hetim intensiv kur prokurorët e Shqipërisë – të alarmuar nga përdorimi i bankave nëpër parajsa fiskale dhe blerjeve me para në dorë të tokave – filluan një hetim për pastrim parash në tetor 2008 mbi një seri marrëveshjesh tokash të ndërmjetësuara për Fazlliçin nga vajza e Berishës, avokatja Argita Malltezi.

Hetimi u kritikua rëndë dhe publikisht nga Berisha dhe mbështetësit e tij dhe prokurorët në fund hoqën dorë pasi dështuan të gjejnë dokumente kyçe në lidhje me operacionet e biznesit të Fazlliç nga zyrtarët e Qipros dhe Bosnjës.

 

– A mund të jenë objekt hetimi këto afera, pas të cilave fshihen miliona dollarë të zhdukura, megjithëse kanë kaluar shumë vite?

– Po, është e mundur. Por më shumë se mundur është e domosdoshme. Që shqiptarët ta njohin realitetin dhe të kuptojnë se kush i ka gllabëruar paratë e tyre dhe të mos mashtrohen sërish. Mirëpo frika nga një hetim i mundshëm i bën të frikësohen të gjithë ata që ngjiren tani nëpër rrugë për luftë kundër korrupsionit.

Intervistoi Xhevdet Shehu

(Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …