Gazeta “Kushtrim brezash” filloi botimin e saj
në datën 6 maj 1992
Një çerek shekulli tribunë e së vërtetës
Albert Z. ZHOLI, kryeredaktor i gazetës “Kushtrim Brezash”
“Gazeta “Kushtrim brezash”, organi i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, mbush një çerek shekulli. Numri i parë i saj doli më 6 maj të vitit 1992. Flet shumë emri i saj, të kujton të kaluarën, flet për të tashmen dhe bënë thirrje, për të menduar për të ardhmen. Gazeta “Kushtrim brezash”, lindi si nevojë e domosdosme e kohës, si një armë për të mbrojtur LANÇ. Dalja e saj lidhet pikërisht me kohën kur veteranët e Luftës dhe vetë Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare po sulmoheshin egërsisht nga ish- kolaboracionistët, ballisto- zogistët e pinjollët e tyre si dhe nga forcat ekstremiste të djathta, të cilët villnin përditë vrer e hidhnin baltë për të tjetërsuar e deformuar të vërtetat historike. Dhe këtë sulm mbi luftën e veteranët e saj ata nuk e kanë rreshtur dhe e vazhdojnë përditë. Gazeta nisi botimin në këtë situatë aspak të favorshme pas ndryshimeve demokratike dhe kur me pluralizmin partiak filluan të aktivizoheshin me revansh forca të ekstremit të djathtë që përbëheshin nga ish bashkëpunëtorët e pushtuesve të huaj, ballisto-legalistët, të cilët menjëherë filluan të denigronin veteranët e nderuar që bënë historinë e LANÇ.
Përballë këtij reaksioni qëndruan trimërisht veteranët e LANÇ, bashkë me gazetën “Kushtrim brezash”. U qendruan revanshistëve me guxim, sepse i kishin të mishëruara në shpirt dhe mendje ato ideale të shenjta për të cilat luftuan me heroizëm për çlirimin e Atdheut.
Gazeta “Kushtrim brezash” filloi të godiste fort bashkëpunëtorët e pushtuesve të huaj dhe për guximin e saj fitoi një respekt të madh mbarëpopullor, i dha kurajo të madhe Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar për mbrojtjen e idealeve liridashëse, për të cilat populli ynë sakrifikoi aq shumë në LANÇ, u vranë 28 mijë dëshmorë, pa folur për dëmtimet e shumta dhe sakrificat e mëdha që bëri për të arritur në fitoren e çlirimit të Atdheut më 29 Nëntor 1944.
Gazeta “Kushtrim brezash” që në numrin e saj të parë e deri më sot kur botohet numri 1700, do të kthehej në një tribunë të zërit të veteranëve pasardhësve, në zë të fuqishëm, një kushtrim në mbrojtje të së vërtetës historike të epopesë më të lavdishme të Popullit Shqiptar, por edhe të historisë të popullit ndër breza. Në këtë gazetë, janë trajtuar e trajtohen, ngjarje heroike, me plot sakrifica e privacione, për çështjen kombëtare e shoqërore, që të prekin shpirtërisht, të edukojnë me patriotizëm, të bëjnë optimist për të vazhduar me besim të ardhmen. Ajo gjatë këtyre vjetëve, me argumente e fakte historike të pakundërshtueshme nuk ka rreshtur së thëni të vërtetën e nuk do të rreshtë asnjëherë duke u kthyer në tribunë të së vërtetës. Përmes polemikave, debateve, artikujve analitikë e shkrimeve të ndryshme u është kundërvënë me llogjikë të ftohtë e të shëndoshë të gjithë atyre që e kanë sulmuar dhe vazhdojnë të shpifin për 28 dëshmorët e saj, duke i cilësuar si kriminelë e kriminelët e luftës po i quajnë heronj.
Gazeta “Kushtrim brezash” është një zë plot kumbim për cilindo, por sidomos për ata lexues, që e kanë jetuar Luftën e Lavdishme Nacionalçlirimtare dhe ata që kanë patur histori të dhimbëshme prej saj, për familjet e partizanëve, për bazat e luftës.
Janë veteranët dhe pasardhësit e veteranëve, që përbëjnë ushqimin kryesor të kësaj gazete. Është vetë historia. Janë pikërisht ata që me shkrimet e tyre ushqejnë çdo numër të gazetës me kujtimet e tyre, me jetën e tyre, me polemikat e debatet, me shpirtin e tyre të sakrificës dhe të idealin e tyre të shënjtë. Pa shkrimet e tyre, pa shpirtin e tyre, pa guximin dhe sakrificat e tyre, do ta kishte të pamundur vazhdimësinë e jetës kjo gazetë.
Nesër nis një vit tjetër për gazetën “Kushtrim brezash”, por ajo do të vazhdojë me përkushtim e devocion rrugën e saj, do të vazhdojë luftën e saj të paepur në mbrojtje të LANÇ, duke patur kurdoherë udhëheqjen dhe ndihmën e pakursuer të Kryesisë së Komitetit Kombëtar. Gazeta “Kushtrim brezash” do të jetë kurdoherë pranë veteranëve, pranë organizatës sonë dhe do të vazhdojë si kurdoherë të jetë zëri dhe fryma e njerëzve patriotë, që me guxim do ta thonë fjalën që u takon dhe s’ka forcë që i ndalon. Ajo do të përcjellë zërin e tyre dhe frymën e tyre të pashuar bashkë me dashurinë për Shqipërinë, për nderin dhe pavdekësinë e saj.
xxx
Nisur nga fakti që për lexuesit përbën një kuriozitet përmbajtja e numërit të parë të gazetës, të cilin redaksia jonë e ka në bibliotekën e saj, po botojmë diçka nga tituj kryesorë të shkrimeve të të numërit të parë që përbëhej nga tetë faqe. Kryeredaktor i parë ishte gazetari njohur dhe veterani i LANÇ Fiqiri Vogli, i cili bashkëpunëonte vullnetarisht me një grup aktivistësh, pra pa patur një redaksi profesioniste me kushte pune, siç punon sot redaksia jonë.
Për kuriozitet të lexuesve në numërin e parë të gazetës janë botuar këto shkrime:
Gazeta “Kushtrim brezash” shprehte se është botim i Organizatës së Veteranëve dhe Invalidëve të LANÇ dhe kishte si divizë idenë kryesore të Konferencës Historike të Pezës, 16 Shtator 1942: Pa dallim feje, krahine dhe ideje.
Për kryeartikull botonte shkrimin “Punë të mbarë” nga Piro Dodbiba, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve dhe Invalidëve të LANÇ të Popullit Shqiptar. Kryeartikullin shoku Piro Dodbiba e mbyllte me lutjen e madhe: “U lutemi historianëve, ushtarakëve, pensionistëve të ndyshëm që kanë të dhëna për luftën, t’i drejtohen gazetës, e cila, do të jetojë, natyrisht, nëpërmjet kësaj veprimtarie të gjithanshme tuajën!”
Në faqen e parë botohej shkrimi “Lufta jonë Nacionalçlirimtare ka qenë luftë e drejtë kundër pushtuesve dhe aspak luftë civile”. Ky shkrim iu kundërvihej menjëherë atyre pinjollëve të bashkëpunëtorëve të pushtusve të huaj që mundoheshin ta denigronin luftën heroike të popullit tonë, gjoja sikur ishte luftë civile. Po në këtë numër të gazetës botohet edhe shkrimi me titull “Pranë historisë!” me autor shkrimtarin e madh Dritëro Agolli, i cili me këtë rast u jepte lexuese të gazetës mesazhin: “ Në jetën tonë po hyn edhe bashkëbiseduesi tjetër, gazeta e veteranëve tanë të nderuar “Kushtrim brezash”.
Ne do të bisedojmë me këtë bashkëbisedues të ri, duke kujtuar gjyshërit dhe etërit tanë që u dogjën për mëmëdhenë, për lirinë, për përparimin dhe demokracinë e vërtetë….E kaluara jonë e ndershme dhe personazhet e saj jetojnë në brezat e sotëm. Lajmëtari i ri “Kushtrim brezash” do të bëjë që ne të jetojmë më pranë historisë. Udhë të mbarë!”
Faqe 2 i kushtohet 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve, pasqyruar me shkrimin “Nder dhe lavdi kujtimit të dëshmorëve”. Dhe në vijim shkrimi në kujtim të Heroit Qemal Stafa, shoqëruar edhe me poezinë kushtuar Qemal Stafës. Ndërsa shkrimi i Prof. Xhemil Frashëri “Vepër sublime” shpreh nderimin e madh për 5 Majin, Ditën e Dëshmorëve.
Në faqen 3 tërheq vëmendjen shkrimi për aktin antihuman i njoftimit të RTSH për çvarrosjen e 12 patriotëve shumë të nderuar dhe luftëtarë të shquar të LANÇ që preheshin në Varrezat e Dëshmorve të Kombit në një parcellë të veçantë. Ky ishte një lajm-veprim shumë indinjues, çnjerëzor dhe antikombëtar. Kur u krye ky akt barbar, Peza Heroike, ashtu siç i ka hije, e rivarrosi eshtrat e Babë Myslimit atje ku ai lindi dhe luftoi si një Hero i Popullit. Në faqet 5 – 6 botohet Projekt Statuti i Oraganizatës së Veteranëve dhe Invalidëve të LANÇ të Popullit Shqiptar. Në rubrikën të huajt për vedin tonë botohet shkrimi “Beteja për Dibrën” sipas librit të njërit nga misonet angleze në LANÇ, Rexhinald Hilbert.
Gëzuar 33- vjetorin e Gazeta jonë e dashur, “Kushtrim brezash”!