Gjykata Kushtetuese e urdhëron Vetëvendosjen: Albulena Haxhiu mund të kandidojë vetëm tre herë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se kryetari i ri i Kuvendit duhet të zgjidhet përmes votimit të hapur, duke urdhëruar që procesi i konstituimit të përfundojë brenda 30 ditësh. Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja konstatoi se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në përputhje me vendimin e saj të 26 qershorit. Si pasojë, të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik shpallen të pavlefshme. Gjykata urdhëroi kryesuesin që të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar të Kuvendit. Sipas vendimit, votimi për të njëjtin kandidat mund të përsëritet vetëm deri në tre herë. Po ashtu, Kushtetuesja kërkoi që në procedurën e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të jenë të pranishëm të gjithë deputetët e zgjedhur dhe të marrin pjesë në votim. Ky vendim vjen pasi deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një urdhër të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila u kishte dhënë afat deri më 26 qershor për konstituimin e organit ligjvënës. Më pas, Gjykata kishte vendosur masë të përkohshme deri në shqyrtimin e kërkesave të paraqitura nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës — kërkesa për të cilat u dha vendimi përfundimtar më 8 gusht.

Kontrolloni gjithashtu

Richard Grenell reagon pas protestës në Prishtinë

Emisari presidencial amerikan Richard Grenell ka reaguar pas protestës së djeshme në Prishtinë, ku u …