Një grafit me përmbajtje nxitëse dhe provokuese është vendosur mbrëmjen e djeshme në rrugën kryesore të qytetit të Kollashinit në Mal të Zi. Mbishkrimi në gjuhën serbe dhe alfabetin cirilik “ Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është interpretuar si një provokim i hapur ndaj shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, si dhe ndaj vizitorëve nga trevat shqiptare që frekuentojnë këtë zonë turistike. Ky veprim ka nxitur shqetësime dhe reagime, sidomos për shkak të ndjeshmërisë që mbart mesazhi i grafitit, i cili lidhet me periudha të dhunshme të së kaluarës në rajon. Autoritetet lokale ende nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me incidentin. Nuk është hera e parë që mesazhe të tilla shfaqen në hapësira publike. Grafite me përmbajtje të ngjashme janë regjistruar më herët edhe në disa qytete të Serbisë dhe Bosnjës. Po ashtu, gjatë një ndeshjeje miqësore ndërmjet Crvena Zvezdës dhe Fiorentinës, tifozët e klubit serb shpalosën një banderolë me të njëjtin mesazh, gjë që shkaktoi reagime të ashpra në opinionin publik.
