I dërguari special i ish-presidentit amerikan Donald Trump për Misionet e Posaçme, Richard Grenell, ka akuzuar Bashkimin Evropian për hipokrizi dhe heshtje ndaj ndjekjes politike të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga Gjykata e Hagës. Në një reagim të publikuar në platformën X, Grenell i është drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas vizitës së saj në Kosovë, ku u takua me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani. “Si mund t’i jepni këshilla gjyqësore ndonjë vendi tjetër? Keni qëndruar në heshtje ndërsa Jack Smith arrestoi një president në detyrë vetëm sepse ai ishte rrugës për t’u takuar me Donald Trump, për të arritur një marrëveshje paqeje që përfshinte edhe shpërbërjen e pozitës së Smith-it,” shkroi Grenell. Diplomati amerikan theksoi se Thaçi po mbahet padrejtësisht në Hagë prej pesë vitesh, duke e cilësuar këtë si një abuzim politik të drejtësisë ndërkombëtare. “E mbani një president të zgjedhur demokratikisht pesë vjet në burg pa një proces të drejtë — dhe pastaj flisni për drejtësi? Kjo është turp,” shtoi ai. Grenell po ashtu kritikoi mediat ndërkombëtare, duke thënë se kanë zgjedhur të injorojnë këtë rast, megjithëse ai përbën, sipas tij, një shembull të qartë të përdorimit politik të drejtësisë.