Një grup studiuesish dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë ka shprehur shqetësim publik lidhur me vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës për pranimin si prova të dokumenteve të dërguara nga autoritetet shtetërore të Serbisë në rastin “Thaçi dhe të tjerët”. Në një reagim të përbashkët, ata theksojnë se ky vendim, megjithëse ligjërisht i mundur sipas nenit 37(1) të Ligjit Nr. 05/L-053, ngre shqetësime serioze për mungesën e verifikimit të burimit dhe autenticitetit të këtyre dokumenteve. “Dokumentet në fjalë nuk janë mbështetur në dëshmi të dëshmitarëve apo prova të tjera të pavarura, ndërkohë që burimi i tyre – institucionet shtetërore të Serbisë – është problematik për shkak të së kaluarës së dokumentuar në krime kundër shqiptarëve të Kosovës,” thuhet në reagim. “Legjitimiteti i këtij procesi nuk duhet të mbështetet vetëm në përmbushjen formale të rregullave, por edhe në respektimin e standardeve të paanshmërisë që kërkohen nga qytetarët e Kosovës,” theksohet më tej në reagim. “Shoqëria civile ka një rol të pazëvendësueshëm në proceset e drejtësisë tranzicionale dhe Kosova duhet ta respektojë këtë rol duke garantuar që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe merret parasysh,” përfundon reagimi.
