leoni

Halil Zymer Sejfijaj (10.7.1933 – 11.8.1998)

Halil Zymer Sejfijaj (10.7.1933 – 11.8.1998)

Dëshmori Halil Sejfijaj u lind më 10 korrik 1933 në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit, në një familje të varfër por të ndershme. Halili ishte fëmija më i vogël i prindërve Zymer e Cyme Sejfijaj, të cilën i lindën e i rritën gjashtë fëmijë, tre djem e tri vajza. Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq. Në vitet e shtatëdhjeta për një kohë kishte shkuar në Zvicër për të punuar, por më pas ishte kthyer sërish në vendlindjen e tij, ku kryesisht është marrë më bujqësi.

Ka marrë pjesë në protestat dhe demonstratat gjithëpopullore, të organizuara kundër okupatorëve serbë gjatë viteve të ’90-ta si në Deçan, Pejë, etj.

Pas shpërthimit të luftës frontale në Kosovë, veçanërisht pas betejës së 24 marsit 1998, të zhvilluar në Gllogjan, ku u mundën forcat serbe, sikurse i gjithë fshati që iu përgjigj masivisht kushtrimit të luftës për liri, edhe Halil Sejfijaj u mobilizua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u sistemuar si ushtar pranë Shtabit të UÇK-së në Gllogjan (rajoni i përgjegjësisë së Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”), duke i kryer me nder e përgjegjësi detyrat e dhëna.

Halil Sejfijaj ka rënë dëshmor, më 11 gusht 1998, në Gllogjan, në moshën 65-vjeçare, në njërën ndër betejat më të rrepta që i zhvilloi Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe, ku përveç artilerisë së rëndë e forcave të shumta të këmbësorisë, u përdorën edhe helmet kimike e biologjike. Po këtë ditë vetëm në luftimet e zhvilluara në Gllogjan, kanë rënë dëshmorë në ballë të luftës edhe luftëtarët e dalluar gllogjanas Enver e Orhan Halilaj, Arton Hasanaj e Naim Nimanaj.

Familja e gjerë Sejfijaj e Gllogjanit, ka dhënë kontribut të çmueshëm në luftë për liri, ku pos luftëtarëve të dalluar, lirisë së atdheut ia fali edhe tre dëshmorë të kombit. Përveç Halilit, në luftën e fundit i ka dhënë edhe dy dëshmorë të kombit: Sokol Sejfijajn, i rënë dëshmor më 9 gusht 1998 në vijën e parë të frontit në Carrabreg të Poshtëm dhe Xhevat Sejfijaj, i rënë dëshmor më 11 shtator 1998 në trekëndëshin kufitar Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi.

Trupi i dëshmorit Halil Sejfijaj, është varrosur më 15 gusht 1998, nga bashkëluftëtarët e tij në Gllogjan, ndërkaq, pas çlirimit të vendit, është rivarrosur në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit po në Gllogjan.

Dëshmori Halil Sejfijaj ka qenë i martuar dhe ka lënë pas vetes gruan Eminen (bijë e Gërvallajve të Dubovikut) dhe pesë fëmijë, tre djem e dy vajza: Cymën, Mustafën, Vixhajeten, Mujën dhe Ramën. Emrin e dëshmorit e mban nipi i tij.

Familja e dëshmorit Halil Sejfijaj është nderuar me mirënjohje nga Komuna e Deçanit, Komanda e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së – Prishtinë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, etj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Enver Shahin Berisha (10.5.1970 - 18.5.1999)

Enver Shahin Berisha (10.5.1970 – 18.5.1999)

Enver Berisha u lind në fshatin Siçevë, komuna e Prishtinës, nga prindërit: babai Shahini dhe …