Hapet Qendra e Karrierës në Shkollën e Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini” në Ferizaj

Shkolla e Mesme Profesionale për Teknologji dhe Agrobiznes “Zenel Hajdini” prej të mërkurës është bërë edhe me Qendër të Karrierës falë një donacioni nga Agjencia Zvicerane përmes projektit EYE. Me këtë rast, janë bërë investime kabinetike dhe janë trajnuar mësimdhënësit në mënyrë që nxënësit ta kenë sa më të lehtë orientimin e tyre profesional. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, zëvendësministrat Mustafa Grainca dhe Azem Guri, drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, Rektori i UShAF, Agron Bajraktari si dhe drejtues të tjerë të arsimit dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Ferizaj e më gjerë. Zëvendësministri në Ministrinë e Arsimit, Azem Guri si dhe drejtori për Arsim në komunën e Ferizaj Afrim Llabjani kanë potencuar se përkushtimi për fuqizim të arsimit profesional do të jetë edhe më i pranishëm për shkak të nevojave që ka tregu i punës për kuadro sa më të përgatitura. Ndërkaq hapjes së Qendrës së Karrierës i janë gëzuar edhe përfaqësuesit e Zyrës zvicerane, Durim Hoxha si dhe udhëheqësi i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj profesor Dr. Agron Bajraktari. U cilësua se tranzicioni nëpër të cilin po kalon arsimi profesional është mjaft dinamik andaj janë të nevojshme ndryshimet pozitive. Kurse drejtori i Shkollës së Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini” Abdullah Imeri, pohoi se orientimi ne karrierë duhet të filloj edhe më herët se sa ardhja e nxënësve nëpër shkollat e mesme, për të pasur kuadro sa më të përgatitura e njerëz që i duan zanatet .Për këtë ai ka falënderuar të gjitha ata donatorë që përmes marrëveshjeve të ndryshme janë bërë shumë të dobishëm për shkollat profesionale. Shkolla për Agrobiznes dhe Teknologji “Zenel Hajdini” viteve të fundit ka hapur disa drejtime mjaft kreative dhe ka përmirësuar kushtet e shkollës për të qenë sa më joshëse për nxënësit. Aty aktualisht janë 9 kabinete të kompletuara në shërbim të nxënësve që duan të ndjekin mësimin teorik dhe praktik për të qenë në hap me metodat më bashkëkohore të arsimit profesional.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …