Veprimtari dhe biznesmeni shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari ka deklaruar se Kosovës i kanë ardhur nëntë njohje de facto përmes pjesëmarrjes së saj në Bordin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, ku janë ulur si të barabartë edhe shtete që ende nuk e njohin formalisht pavarësinë e Republikës së Kosovës. “Nëntë njohje de facto për Kosovën. Shtetet që ende nuk e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës — Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Indonezia, Kazakistani, Paraguai, Uzbekistani, Mongolia dhe Maroku — tani ulen si të barabartë me Republikën e Kosovës në prestigjiozin Bord të Paqes të Presidentit Trump”, ka shkruar Bajraktari në rrjetin social X. Sipas tij, fakti që këto shtete janë bërë pjesë e të njëjtit forum me Kosovën, nën udhëheqjen e presidentit amerikan, përbën një pranim de facto të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Duke iu bashkuar këtij forumi elitar të kryesuar nga presidenti amerikan Donald Trump, ata e kanë pranuar de facto shtetësinë e Kosovës. Tani është koha që kjo të bëhet zyrtare”, ka theksuar Bajraktari. Ai u ka bërë thirrje drejtpërdrejt udhëheqësve të këtyre nëntë shteteve që ta njohin Kosovën menjëherë, duke e cilësuar këtë si një hap të natyrshëm pas pjesëmarrjes së përbashkët në Bordin e Paqes. Sipas tij, angazhimi i drejtpërdrejtë i presidentit amerikan Donald Trump në këtë proces do të mund të ishte vendimtar për shndërrimin e këtyre njohjeve de facto në njohje formale, duke forcuar më tej pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
