Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se pret të shpallet i pafajshëm më 16 shtator, kur gjykata speciale ne Hagë pritet të japin aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një intervistë për TV Dukagjini, Thaçi tha se nuk ka çfarë t’u shtojë argumenteve të paraqitura nga ekipet e mbrojtjes dhe fjalës së tij përfundimtare në proces. I pyetur nëse është penduar për iniciativën për themelimin e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, Thaçi tha se nuk është penduar, por kritikoi mënyrën se si, sipas tij, është përdorur vullneti i institucioneve të Kosovës. “Jo. Por nuk do të besoja se vullneti i të zgjedhurve të popullit të Kosovës do të keqpërdorej kaq brutalisht”, deklaroi Thaçi. Ai gjithashtu kundërshtoi narrativën mbi të cilën është ndërtuar procesi, duke përmendur Raportin e Dick Martyt dhe duke pretenduar se ai është ndërtuar në bashkëpunim mes zyrtarëve serbë dhe rusë në Këshillin e Evropës. Thaçi kritikoi edhe Prokurorinë, duke pretenduar se ajo po u jep peshë dëshmive që ai i cilësoi si të fabrikuara gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit, ndërsa po anashkalon dëshmitë dhe argumentet e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë. “Zyrtarët ndërkombëtarë ishin sytë dhe veshët e Perëndimit në Kosovë”, tha ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
