Përballë një vendimi të rëndësishëm dhe zhgënjyes të gjykatës speciale në Hagë, i cili rrëzoi në tërësi mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vërehet një heshtje e thellë institucionale nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti. Prej orëve të para të ditës kur u bë publik vendimi i Gjykatës, asnjë qëndrim zyrtar, asnjë reagim moral, asnjë fjalë mbështetjeje për qytetarët e Kosovës që ndodhen prej më shumë se katër vitesh në paraburgim, pa një vendim përfundimtar, pa një gjykim të drejtë e të përshpejtuar. Kjo heshtje nuk është neutrale, por është qëndrim në vetvete. Është një mosangazhim i qëllimshëm politik dhe institucional ndaj atyre që e sollën lirinë, ndërsa sot përballen me një drejtësi të zvarritur, shpesh të paragjykuar dhe të ndikuar nga narrativa të huaja për vendin tonë. Për çfarë tjetër duhet të ndodhin që Presidentja e vendit dhe Kryeministri të thonë një fjalë për ish-udhëheqësit e luftës çlirimtare? A nuk janë këta qytetarë të Republikës së Kosovës? A nuk janë ata që e sollën vetë republikën?
Nëse për çdo deklaratë të zyrtarëve ndërkombëtarë jepet përgjigje, për çdo zhvillim periferik reagohet me konferenca, përse për këtë rast – që prek dinjitetin historik dhe të sotëm të shtetit – mbizotëron heshtja, hipokrizia dhe kalkulimi politik?
Koha do t’i gjykojë të gjithë – edhe ata që vepruan, edhe ata që heshtën.
Sot, më shumë se kurrë, nevojitet zë institucional për drejtësinë, për të vërtetën dhe për të mbrojtur dinjitetin e luftës çlirimtare të Kosovës. Heshtja e sotme është turpi institucional i nesërm. / RKL/