Në periudhën më të vështirë të historisë sonë kombëtare, patëm bij e bija që i dolën zot atdheut të pushtuar nga regjimi ushtarak e policor serb. Ndër ta u dallua edhe Hyseni i njomë i cili shfaqi guxim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm në shërbim të lirisë së vendit tonë. Luftëtari i ardhshëm i cili kishte pasur një dashuri të veçantë për dijen dhe librat, ndjeu thirrjen e kohës për të shpëtuar kombin nga armiku gjakatar serb. Kështu, ai vendosi të zëvendësonte librat me armët. Hysenin e karakterizonte një vullnet i pashembullt për të ndryshuar fatin e tij dhe të kombit të tij. Dëshmori i ri, i cili zëvendësoi armët me librat për të përshpejtuar rrugën drejt lirisë, do të mbetet një shembull në historinë tonë kombëtare.
Hysen Komoni lindi më 15 mars të vitit 1980 në lagjen Dardania III të Pejës. Në familjen e tij të madhe prindërit e tij, Ukë dhe Nekibe Komoni, kishin dhjetë fëmijë, tetë vajza dhe dy djem: Lenditën, Afërditën, Belkizën, Sevdijen, Ryvën, Hysenin, Hajrinë, Kismeten, Ajmonen dhe Brahimin. Hyseni kreu shkollën fillore në Loxhë të Pejës, në shkollën “2 Korriku”.
Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafsh të Dukagjinit, Hysenin e gjeti të gatshëm shpirtërisht për t’iu bashkuar radhëve të luftëtarëve të lirisë. Në fillim të muajit maj të vitit 1998, Hyseni u inkuadrua në radhët e UÇK-së, fillimisht si ushtar. Në rrugën e tij të lavdishme, Hyseni u dallua për angazhimin e tij në rekrutimin e rinjve në zonën e tij, duke shërbyer si një luftëtarë i besueshëm. Më vonë komandanti Shaban Shala e përzgjodhi për angazhimin e tij në rekrutimin e rinjve në Loxhë. Meqenëse kishte nevoja të mëdha për armatim ai me disa bashkëluftëtarë udhëtoi në Shqipëri, për tu furnizuar me armatim. Vajtje ardhjet për sigurim të armatimit Hyseni me shokë i kryenin me sukses, ata siguruan armë dhe municion edhe për Shtabin e Loxhës. Hysen Komoni, ishte gjithmonë ku e kërkonte nevoja ushtarake. Ai u bë pjesë e vijës së parë të frontit gjatë ofensivës së 6 korrikut 1998 në Loxhë, ku mbrojti me guxim pozicionet kundër forcave serbe.
Data e 22 korrikut e vitit 1998 e gjeti Hysenin në një mision të rëndësishëm, duke përcjellë rekrutë të rinj në relacionin Loxhë-Gllogjan-Shqipëri, ku hasin në prita me forcat e armikut serb në Rrugën “Dardania III” të Pejës, konkretisht në vendin e quajtur Brezhnik. Çlirimtarët iu kundërpërgjigjen zjarrit të armikut me ç’ rast i shkaktuan humbje të konsiderueshme, ndërkaq në radhët e çlirimtarëve Hysen Komoni u përjetësua në logun e trimërisë e Demë Shala nga Graboci, mori plagë të rënda dhe pas një kohe pushon së rrahuri zemra edhe e këtij çlirimtari, përkundër që i dha ndihmën e parë Esat Bërlajolli.
Varrimi i Hysen Komonit u bë me nderime ushtarake më 22 korrik, ndërsa ri rvarrimi u zhvillua më 19 shtator 1999 në fshatin Çyshk të Pejës nga bashkëluftëtarët të udhëhequr nga Rrustem Gashi.
Lufta e vazhdueshme dhe e vendosur e Hysenit bëri që ai të kthehet në një figurë simbolike të trimërisë dhe guximit. Në lagjen Dardania III të Pejës i është ngritur përmendorja, nga familja dhe të afërmit. Hysen Komoni, me guximin dhe përkushtimin e tij ndaj lirisë së Kosovës, mbetet një shembull frymëzues për brezat e ardhshëm. Trashëgimia e tij do të kujtohet gjithmonë si një pjesë e lavdishme e historisë së Kosovës dhe si një shembull i përkushtimit çlirimit të vendit.
Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Zona Operative e Dukagjinit dhe nga shoqatat e dala nga lufta. (Kismete Malaj)
