Xhafer Hamëz Vehapi (3.6.1975 – 3.9.1998)

Xhafer Hamëz Vehapi (3.6.1975 – 3.9.1998)

Pothuajse asnjë rrebesh që kaloi mbi fshatin Zatriq, deri tash, nuk mbeti pa lënë gjurmë kobi e tmerri të llahtarshëm, si në Zatriq ashtu edhe në fshatrat përreth e në tërë Rrafshin e Anadrinit. Zatriqi, vendlindja e dëshmorëve të kombit: Mazllum e Esad Kastrati dhe e Xhafer Vehapit, është fshati i Dan Zatriqit të njohur në këngët tona të epikës historike, është fshat që shtrihet në majat më të larta të Anadrinit apo të masivit që e ndan Anadrinin prej Llapushe, e së andejmi është pikë më e rëndësishme strategjike prej nga shihen si në pëllëmbë të dorës jo vetëm Anadrini e Llapusha, por edhe gjysma e Rrafshit të Dukagjinit dhe i tërë Pashtriku, prandaj “Maja e Zezë”, pika më e lartë e Rrafshit të Dukagjinit dhe e Anadrinit pranë të cilës shtrihet fshati Zatriq, ishte e lakmueshme për çdo pushtues.
Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtjen heroike të kësaj maje dhe të fshatit Zatriq, u përjetësuan: Visar Hoti e Safet Latifi të Drinasit, e Esat Kastrati, Xhafer Vehapi e Mazllum Kastrati, të tre nga Zatriqi. Megjithatë Zatriqi, me një kompani ushtarake, e drejtuar nga Idriz Vehapi, asnjëherë nuk u mposht, asnjëherë nuk i braktisi pozicionet, asnjëherë nuk bëri tërheqje, por të gjithë për një, luftëtarët e lirisë qenë barrikaduar në “Qafën e Dëshmorëve” dhe aty u përjetësua në altarin e lirisë edhe Xhafer Hamëz Vehapi.
Dëshmori i kombit Xhafer Vehapi, i xha Hamzës dhe i nënës Qelebie, bijë e Berishëve, është i lindur më 3 qershor të vitit 1975 në fshatin Zatriq. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa gjimnazin u përpoq ta përfundojë në Rahovec, në shkollën që sot mban emrin “Xhelal Hajda-Toni” të cilin Mazllumi e Esat Kastrati, së bashku me Xhafer Vehapin, sot të tre dëshmorë të kombit, e kishte shok, bashkëluftar dhe komandant, por Xhaferi për shkak të skamjes në të cilën pati rënë familja e xha Hamzës, nuk arriti ta përfundojë shkollën e mesme.
Kushtet për t’i vazhduar studimet nuk i kishte, prandaj Xhaferi ëndërroi rrugën e mërgimit ku i kishin mërguar shumë zatriqas, pasi pa tokë e në maje të malit jeta ishte e vështirë. Por, aksioni i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 26 prill të vitit 1998, i filluar prej fshatit Drenoc, nën Zatriq e i përfunduar në aksin rrugor Prizren-Gjakovë, te “Ura e Piranës”, bëri që shumë të rinj të Anadrinit, ashtu si Xhafer Vehapi, në moshën shumë të re, t’i braktisin planet e mërgimit, bankat e shkollave të mesme dhe amfiteatrot e fakulteteve dhe kështu të shtegtojnë për t’u armatosur sepse liria u ishte më e domosdoshme se dija dhe paratë e kurbetit. Kështu veproi edhe Xhafer Vehapi, luftëtar i lirisë, sot dëshmor i kombit. Kësaj i ndihmoi edhe kazermimi i formacionit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Drenoc, përgatitja e stërvitoreve në Zatriq dhe Drenoc, bartja e armatimit dhe shumë operacione të tjera që shënojnë hapat e parë të shtegtimit të Mazllum Kastratit nëpër shtegun kah liria. Në kompaninë me bazë në fshatin Zatriq, Xhaferin e shohim së bashku me Esatin e Mazllumin, sot dëshmorë të kombit, dhe me Agim, Mehmet, Veli e Avni Spahiun, Eshrafedin, Shefqet, Asllan, Haki, Selajdin, Hasan e Bahtjar Kastratin, Shefqet e Sami Shabanin, Mensur Zyberajn, Bedrush Gashin, Feim Gashin, Vajdin, Irfan e Isuf Berishën e me shumë luftëtarë të tjerë, sot dëshmorë, invalidë të luftës e veteranë të Ushtrisë Ççlirimtare të Kosovës.
Krismat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenicën e Komandantit Legjendar Adem Jashari e në Gllogjanin e Luan Haradinjt, Xhaferin e gjetën në fshat, prandaj edhe i ra hise e rëndë: të maturohet në Bjeshkët e Zatriqit, në lugjet e Akavaneve dhe në “Qafën e Dëshmorëve”.
Në Betejën e 12 majit 1998 që u zhvilluan ndërmjet Bardhatinit dhe Franajakës, afër fshatit Drinas, Xhafer Vehapi zbriti së bashku me shokët dhe braktisi “Majën e Zezë” dhe për herë të parë luftëtarët e Zatriqit ballafaqohen me krismat e çetnikëve serbë në Gardhishtë te “Ura e Fshajt” kur përjetësohen dëshmorët e parë të Anadrinit, prej Gexhe deri te “Lugu i Bardhatinit”: Myhedin Morina i Gllarevës, Milaim Krasniqi i Rudinës dhe Elmi Morina i Franajkës. Por këtu hordhi çetnike u thyen në lugjet ndërmjet Bardhatinit dhe Franajakës.
I këtillë ishte Xhafer Vehapi edhe në betejat e tjera të araelit luftarak të Anadrinit, prej 14 majit të vitit 1998 e deri më 3 shtator të vitit 1998. Në këtë ditë, forca të mëdha policore, ushtarake e paramilitare serbe çetnike, ia mësynë fshatit Zatriq duke e rrahur nga të gjitha anët: nga Gurbardhi i Llapushës, nga Panorci, nga Kromniku, nga Burimi i Epërm, nga Nushpali, nga Drenoci, nga Rudina, nga Frashnjeti, nga Guri i Kuq dhe Besniku dhe kështu të pëfundojnë tërë atë që çetnikëve serbë u pati mbetur pa përfunduar ndaj gjyshërve të zatriqasve në fund të Ramazanit të vitit 1919.
Xhafer Vehapi, më 3 shtator 1998, zuri pozicionet së bashku me shokët kah “Lugu i Batares”, “Maja e Akavaneve”, “Maja e Zezë”, “Vorri i Bali Agës” e “Rrasdoli”. Grupi i Xhaferit dhe i Mazllum Kastratit, së bashku me Esat Kastratin, sot të tre dëshmorë të kombit, vlerësoi potencialet granatuese që priteshin mbi fshatin Zatriq me gjuajtje së largu duke mbajtur në shënjesër “Rrasat e Rahovecit”, “Majën e Shkodranit”, “Lugun e Gjerqinës” dhe udhët fushore në kurrizin e “Malit të Madh” e “Malit të Vogël”, prej nga pritej këmbësoria serbe çetnike, ngase në këto pjesë me decenie kishin qenë kampet stërvitore të Ushtrisë Jugosllave.
Dita e 3 shtatorit të vitit 1998, agoi me granatime mbi çdo pëllëmbë të “Maqinave” për të arritur “Majën e Zezë”, ndërsa kombësoria dështake e thyer nga trimat e Zatriqit, nuk arriti ta kalojë “Lugun e Batareve”, por granatimet plagosën rëndë grupin bashkëluftëtarëve të Xhafer Vehapit, formacion ky gueril në të cilin ishin vetëm edhe dy Kastratë: Mazllumi i Alushit dhe Esati i mësuesit Rrahim. Bashkëluftëtarët, në krye me komandantin e tyre, Idriz Vehapin, u dhanë pas kërkimit që të zbulohen trupat e pajetë të të tre dëshmorëve, mirëpo tek pas një përpjekjeje të gjatë e të mundimshme, trupat e tyre gjetën dhe u përcollën me nderime në “Kopshtin e Dëshmorëve” të fshatit Zatriq, kurse sot lapidari i madh në “Qafën e Dëshmorëve” flet për luftën e zatriqasve, ndërsa këngët për dëshmorët e fshatit-kështjellë të Anadrinit, sot jehojnë nëpër festivale e tubime solemne.
Nëna Qelebie, sot në odën e Xhafer Kastratit ruan disa pjesë të uniformës së Xhaferit, një varg fotografish dhe mirënjohjesh nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës, nga Qeveria e Përkohshme e Republikës së Kosovës, nga Zona Operative e Pashtrikut dhe nga Brigada 124 “Gani Paçarizi”.
Mbrojtja e këtillë heroike e fshatit Zatriq dhe rënia e dëshmorëve në krye me Xhafer Vehapin është edhe një fakt se në histori asgjë nuk zhvillohet rastësisht dhe e “Dardha pikë nën dardhë” e se me të vërtetë “Nami është i pashë Maliqit, por shpata e Dan Zatriqit”, atëherë kur luftëtarët e Anadrinit qenë nisur “Prej Prokuple deri n’Nish”, prandaj edhe fshati Zatriq mbeti halë në sy për çetnikët serbë të viteve 1913, 1919, 1945, 1998 dhe në fund edhe më 1999, e për të githa këto, përveç këngëve flasin edhe lapidarët, si ai i ngritur më 1992 kushtuar të rënëve më 1913 e deri më 1945 të cilin e rrënuan çetnikët serbë, ashtu edhe lapidari i ri i ngritur në “Qafën e Dëshmorëve”.
Me shkrimet e veta, dëshmorin e kombit Xhafer Vehapi e nderuan: Agim Metbala, Milazim Bajra, Bedri Dula dhe shumë krijues të tjerë. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …