Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke pretenduar se gjatë mandatit të saj nuk është realizuar asnjë nga kërkesat e paraqitura nga veteranët. Deklarata e Gucatit u bë pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes OVLUÇK-së dhe Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës. Ai tha se organizata nuk ka pasur bashkëpunim institucional me Qeverinë në detyrë, duke pretenduar se nuk ka pasur takime apo diskutime për çështjet e veteranëve. Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga Gucati lidhet me trajtimin shëndetësor. Ai deklaroi se, sipas të dhënave që posedon organizata, 67 veteranë janë të prekur nga kanceri, ndërsa 24 prej tyre po marrin trajtim në Turqi. Sipas tij, veteranë të tjerë po trajtohen në vende të ndryshme të Evropës dhe në Kosovë. Gucati tha se institucionet shtetërore kanë obligim ligjor për të ofruar kujdes dhe mbështetje për veteranët, invalidët e luftës dhe kategoritë e tjera të dala nga lufta. Në anën tjetër, kryetari i OHTK-së, Hysen Sogojeva, tha se memorandumi i nënshkruar synon që, brenda mundësive të odës, të krijohen forma konkrete mbështetjeje për OVLUÇK-në dhe aktivitetet e saj. Ndërkohë, nënkryetari i OVLUÇK-së, Gazmend Syla, njoftoi se kryesia e organizatës do të mblidhet javën e ardhshme për të diskutuar zhvillimet në Gjykatën Speciale dhe hapat që veteranët mund të ndërmarrin në prag të vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
