Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë formalizuar bashkëpunimin përmes një memorandumi që synon krijimin e mbështetjes konkrete për veteranët, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe anëtarët e organizatës. Marrëveshja përfshin mundësi për akomodimin e delegacioneve, organizimin e trajnimeve profesionale, konferencave dhe aktiviteteve të përbashkëta. Në ceremoninë e nënshkrimit u diskutuan edhe vështirësitë me të cilat përballen kategoritë e dala nga lufta. Kryetari i OHTK-së, Hysen Sogojeva, tha se sektori i hotelerisë dhe turizmit mund të kontribuojë përmes bizneseve anëtare dhe projekteve të organizatës, duke ofruar akomodim në rajone të ndryshme të Kosovës dhe mundësi për trajnime profesionale. Sipas Sogojevës, pjesë e këtyre mundësive synohet të jenë edhe veteranët, familjet e dëshmorëve dhe fëmijët e tyre. Nga ana tjetër, kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, e vlerësoi marrëveshjen si të rëndësishme, por shfrytëzoi rastin për të kritikuar Qeverinë për trajtimin e kategorive të luftës. “Me këtë qeveri nuk kemi raporte, as bisedime, as takime. Për gjashtë vjet, asnjë kërkesë nuk është realizuar nga kjo qeveri”, deklaroi Gucati.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
