Hysni Ngucati: Rreth 6 mijë protestues pritet të mblidhen në Strasburg në protestën e OVL-UÇK-së më 16 nëntor

Rreth gjashtë mijë protestues nga të gjitha trevat shqiptare pritet të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila do të mbahet më 16 nëntor në Strasburg, përballë Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Protesta organizohet kundër asaj që OVL-UÇK e konsideron padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të gjykuar në Hagë. Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se përgatitjet janë drejt përfundimit dhe se koordinimi me mërgatën shqiptare në Evropë është bërë tashmë. Sipas tij, shumë qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë siguruar bileta të lira fluturimi për të udhëtuar drejt Bazelit e Shtutgardit, ndërsa mbi një mijë pjesëmarrës pritet të jenë vetëm nga Kosova. Gucati konfirmon se për shkak të kërkesës së madhe, disa kompani ajrore kanë rritur çmimet e biletave, ndërsa hotelet në Strasburg janë thuajse të gjitha të rezervuara nga qytetarët shqiptarë, të cilët janë detyruar të kërkojnë akomodim edhe në periferi dhe qytete përreth. Ai theksoi se organizatat e dala nga lufta nuk kanë marrë asnjë mbështetje financiare nga qeveria, duke shtuar se protestat e mëparshme në Holandë, Tiranë dhe Prishtinë janë realizuar falë donatorëve. Me thirrjen për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, protesta e Strasburgut mbahet në kohën kur po bëhen pesë vjet nga arrestimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Gjyqi ndaj tyre, i cili nisi në vitin 2023, është drejt përfundimit, ndërsa të gjithë i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …