Kush ishte Fadil Vata
Fadil Vata, u lind më 10 janar 1962 në fshatin Sallagrazhdë, të Suharekës, ishte gëzimi i parë i nënës Tahire dhe babë Nebiut. Shkollën e ulët fillore e mbaroi në Sallagrazhdë, kurse 4 vitet e tjera në Mushtisht. Të mesmen e kreu në Qendrën e Arsimit të Mesëm “Jeta e Re” në Suharekë në vitin 1980. Fadili ka pasur fatin e mirë që ka lindur në një shtëpi që ka pasur raft me libra. Para tij në shkollim ishin djemtë e xhaxhallarëve, Riza Vata dhe Gjavit Vata.
Angazhimi në lëvizjen ilegale atdhetare
Fadil Vata nuk u anëtarësua në ndonjë organizatë politike ilegale atdhetare e cila i ofroi atij anëtarësim me parapërgatitjen ideologjike, politike e kombëtare. Fadil Vata ishte bashkëthemelues i një organizate politike ilegale atdhetare në moshë shumë të re.
Në shkollë të mesme në vitin 1978 bërthama e parë e grupit të organizuar ilegal përbëhej nga 5 persona: Ibrahim Shala, Halil Krasniqi, Fadil Vataj, Shemsije Elshani dhe Sadik Halitjaha jashtë shkollës së mesme. Më pastaj grupi u zgjerua në rrethin e dytë, ku janë bashkangjitur kolegët; Shpresa Baraliu, Murat Bytyqi, Naser Selimi, Dashurie Sylaj, Avdi Qelaj, Drita Lumi, dhe të tjerë, që Sadik Halitjaha i kishte organizuar në Mushtisht dhe në fabrikën e prodhimit të gomës “Ballkan”.
Si grup i organizuar përmes Shpresa Baraliut kontaktuam me Besim Baraliun, përmes tij u lidhëm me grupin e studentëve të organizuar, që neve si shkollarë të mesëm na lidhte me kryeqytetin, me studentë në Prishtinë, ku ishin, Ramadan Veliu, Imer Grainca, Emrush Xhemajli, Bajrush Xhemajli e të tjerë që ne nuk i njihnim. Po ashtu grupi jonë u zgjerua në Prizren me shokët si Xhevat Hasani, Hasan Hasani, Hysni Hoxha e të tjerë shokë që ishin në lidhje me këta.
Më vonë përmes Fadil Vatës ne u njohëm me Hysen Gegën, dhe shokët e tij të organizatës “Grupi Komunist i Kosovës” me në krye Riza Salihun që nxirrnin traktet dhe broshurat me titullin “Zëri i Kosovës”. Pastaj përmes Hysen Gegës u njohëm me Ibrahim Kelmendin që kryesonte “Frontin e kuq” e që kishte për organ të vetin fletushkën “Bashkimi”.
Kjo ishte një njohje e shpejtë me organizatat ilegale atdhetare, më e shpejtë se sa e kishim menduar se do të gjenim bashkëmendimtarët tanë. Grupi zhvillohej dhe rritej me shpejtësi, njerëzit e përzgjedhur sipas kritereve të organizatës nuk kundërshtonin bashkëngjitjen dhe angazhimin.
Përcaktimi i hershëm për drejtues
Sipas analizës së drejtuesve të grupit që vepronim në nivel Kosove, gjatë muajit shtator të vitit 1979, si kryesi e Organizatës së Bashkuar me veprim të shtrirë në; Prishtinë, Ferizaj, Suharekë, Mitrovicë, Prizren, Shtime e Lipjan, vlerësuam se, i tërë ky aktivitet është e pa mundur që në radhët tona të mos jetë infiltruara ndokush me qëllime të kqija, apo të mos jemi dekonspiruar nga ndonjë veprim i pa matur, prandaj duhet të marrim masa paraprake. Nëse ndokush nga drejtuesit e organizatës bie në burg, apo arratiset, duhet të caktojmë zëvendësit për secilin, që do të vazhdoj punën më tej, duke riorganizuar radhët. Unë në marrëveshje me shokët e Suharekës, për këtë detyrë caktuam Fadil Vatën, më pastaj në një fshat të Ferizajit u mbajt një mbledhje e përbashkët, ku u njoftuan mes tyre zëvendësit apo nënkryetarët.
Kjo është ajo pika e ngritjes kur Fadil Vata zgjidhet dhe përcaktohet për drejtues në kuadër të kryesisë së organizatës ilegale (për neve atëherë) në nivel të Kosovës. Koha e ka dëshmuar që ne shokët e Fadilit kemi pasur të drejtë në përzgjedhjen tonë, dhe sot e asaj dite ndjehemi krenarë për këtë fakt. Në arrestimet e vitit 1979 Fadil Vata do të kalojë nëpër hetuesi por pa u burgosur, kjo do të ishte përballja e tij e parë me UDB-në jugosllave.
Burgosja dhe gjykimi në gjykatën ushtarake
Me 5 tetor 1980 Fadil Vata shkon ushtarë në APJ në qytetin e Pozharevcit, ngjarjet e Pranverës së Madhe të vitit 1981 e gjejnë në ushtri. Me datën 03.05.1981 ai arrestohet së bashku me shokun e tij të organizatës Murat Bytqin nga Suhareka. Në gjykatën ushtarake ai shfaq për herë nivelin e lartë të pjekurisë politike, thellësinë ideologjike dhe çartësinë e vijës kombëtare, duke arsyetuar në rrafshin teorikë e politik të drejtën e shqiptarëve për liri dhe barazi, përmes realizimit të Republikës së Kosovës në kuadër të RSFJ-së. Me mendjemprehtësinë e tij dhe thellësinë e argumentimit intelektual i lë gojëhapur akuzuesit dhe gjyqtarët ushtarak. Nga Gjykata ushtarake u dënua me 6 vite burg, kurse Murat Bytyqi me 5 vite.
Vuatja e dënimit në burgun e Pozharevcit
Pas gjykimit ai dërgohet në vuajtje të dënimit në Shtëpinë Ndëshkuese Korrektuese -SHNK, (emërtim i but për burgjet e përmasave të mëdha për vuajtjen e dënimeve të gjata), të Pozharevcit, ku njeh edhe shumë shokë të tjerë të lëvizjes ilegale atdhetare në mesin e tyre edhe Afrim Zhitinë.
Nga burgu i Pozharevcit për shkak të përkeqësimi të gjendjes shëndetësore dërgohet në spitalin e Burgut Qendror në Beograd. Faktin se keqtrajtimi ishte shkaktar i sëmundjes së tij, Fadili e thekson edhe në një intervistë të dhënë për revistën “Borba” (e cila botohet pas daljes nga burgu me 5.06.1987), duke u shprehur “Po është e vërtetë, sepse pa asnjë arsye nga pavijoni ku isha më sollën padrejtësisht në vetmi. Nga kushte e këqija edhe jam sëmurë. Kurrë më parë nuk kam qenë i sëmur”.
Në burgun e Pozharevcit përzgjidhet jo rastësisht si i pari ndër shokë për të dhënë intervistë në gazetën “Borba” në fillim të vitit 1987. Ishin vetitë e spikatura të drejtuesit, virtytet e personalitetit si; vendosmëria, solidariteti me shokët, inteligjenca, ngritja teorike dhe intelektuale, që kishin imponuar respektin e shokëve. Edhe një herë dëshmohet thënia e vjetër se lider lindesh nuk bëhesh. Këto cilësi na i dëshmon tërthorazi edhe gazetari i “Borbës” në komentin përmbyllës të intervistës së Fadilit, kur i pyet drejtorinë e burgut pse mbahet Fadil Vata pa drejtësisht i izoluar shkruan ”Ai (F.V.) pohon se ndaj tij pa arsye kanë qenë të ashpër dhe të vrazhdë, kurse nga drejtoria e KPD dëgjuam se, ai patjetër duhej të ishte i izoluar sepse ka kryer ndikim të keq në të burgosurit e tjerë”.
Gjatë qëndrimit në Pozharevc e burgje të tjera, ai lexoi dhe studio pjesën dërmuese të veprave të klasikëve të marksizmit, literaturë politike, filozofike, ushtarake, dhe historinë e lëvizjeve revolucionare të vendeve të ndryshme në botë. Burgu ishte universitet për të burgosurit politik, e veçanërisht për Fadilin.
Veprimtaria pas lirimit nga burgu
Fadil Vata u lirua nga burgu me 30 prill të vitit 1987. Pas lirimit nga burgu ai pa humbur kohë do të organizohet me shokët e dalë nga burgu dhe ata që vepronin jashtë. Fadil Vata gjatë veprimtarisë patriotike e revolucionare do të lidhet shumë ngushtë me shokët e veprimtarisë, por posaçërisht me Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun. Veprimtaria e palodhur teorike dhe praktike shpejtë do ta vendosë Fadilin në krye të organizimit ilegal revolucionar e patriotik, ai do të jetë sekretar politik i OMLK-së, kurse Afrim Zhitia sekretar organizativ, sipas modelit ideologjik të kohës OMLK ishte organizatë pararojë e LPRK-së.
Pas burgut në mungesë të fakultetit të shkencave politike, regjistroi Fakultetin Filozofik dega Filozofi – Sociologji në Universitetin e Prishtinës. Në fakt ai nuk studioi për provimet e fakultetit, por studioi për nevojat e organizatës që e drejtonte. Ai deri në dhjetë orë qëndronte në Bibliotekën Universitare ku studionte dhe hulumtonte literaturë të përzgjedhur, në hapësirat e caktuara për studime pasuniversitare. Krahas pjesës studimore Fadili nuk i ndahej as punës organizative ilegale dhe në të njëjtën kohë përcillte me vëmendje zhvillimet e aktualitetit politik e shoqërorë në Kosovë, Jugosllavi dhe nivel botërorë.
Fillimi i tranzicionit politik nga monizmi në pluralizëm
Viti 1989 filloi me protesta masive të shqiptarëve po afrohej epoka e ndryshimit të madh, sistemi socialist vetëqeverisës po luhatej së bashku me sistemet tjera socialiste të Evropës Lindore nën ndikimin e BRSS. Fadili kishte qartësinë ideologjike dhe vizionin politik se çka ishte duke ndodhur, realiteti po përshpejtonte dhe kërkonte vendime dhe orientime të reja dhe të shpejta. Ai e kupton se organizata atdhetare nuk mund të shkojnë në bisht të ngjarjeve, por duhet të jenë në ballë të tyre. Ai jep udhëzime se cilat janë parullat që duhet të kërkohen në tubimet protestuese dhe cilat duhet të brohoriten para delegacioneve ndërkombëtare.
Tranzicioni politik nga monizmi në pluralizëm ishte sfidë e madhe për organizatën e OMLK-së dhe LPRK-së, sepse po përziheshin pozicionet, po shtoheshin organizatat politike dhe po ndërronte forma e organizmit politik. Kërkesa kryesore e LPRK-së dhe e shqiptarëve “Kosova Republikë”, tash ishte bërë legale, populli e brohoriste hapur. Më parë kjo kërkesë kishte qenë karta kryesore e LPRK-së nga ilegaliteti. Çka do të ofronte tash LPRK-ja, si do të vazhdonte aktivitetin në kushtet e pluralizmit legal, kjo ishte çështja.
Kur filloi tranzicioni nga monizmi në pluralizëm në mbarë Evropën Lindore, Fadili për të gjallë të tij pa tendencat e zhvillimit. Si teoricien i filozofisë politike dhe ideologjisë zyrtare të organizatës, ai i dha tezat e veprimit të nxjerra nga një analizë dialektike, me përfundimin se, rrethanat e reja po ofronin mundësi të reja të veprimit. Prandaj duhet të ngrihej forma e organizimit bashkë me ngritjen e nivelit të veprimit, drejtë organizimit më të lartë që natyrshëm do të çonte nga lufta politike te lufta çlirimtare.
Sikur Fadil Vata dhe Afrim Zhitia të ishin gjallë dhe të vepronin në Kosovë në vitin 1990 e këtej edhe Lëvizja Politike Kombëtare e Kosovës do të merrte tjetër drejtim, shumë më mobilizuese dhe më shtet formuese, si pasojë do të reflektohej edhe në organizimin e luftës çlirimtare, epokën e pas çlirimit deri të pavarësia dhe tipi i shtetit të Kosovës së pavarur.
Vizioni për të ardhmen e Kosovës
Fadil Vata si udhëheqës i Lëvizjes merr pjesë në Konferencën e Parë të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), të mbajtur në Divjakë, që zhvilloi punimet me 21-22 prill 1989, nga pozita e Sekretarit Politik, do të lexojë Raportin e Punës të me titull “Situata politike në Kosovë e më gjerë”. Në organizatat revolucionare ideologjike, mënyra e veprimit është e bazuar mbi parimet ideologjike. Para marrjes së vendimeve çdo herë kërkohet qartësia dhe drejtësia në përputhje me ideologjinë e proklamuar. Fadili i kishte këto aftësi dhe kualitete së bashku, prandaj konstatimet e tij ishin të rëndësishme.
Gjatë leximit të “Raportit” ai paralajmëron se “Serbomëdhenjtë do të shkaktojnë konflikte në gjithë Federatën për të krijuar gjendje anarkike dhe për të vendosur pushtetin fashist ushtarak, ku do të rritet dhuna, persekutimi, diskriminimi e terrori mbi të gjithë popujt e Jugosllavisë, po veçanërisht mbi popullin tonë.” /Fadil Vata. “Situata politike në Kosovë e më gjerë”. Epoka e Re. F. 10. 27-28-29 prill 2015. Prishtinë./ Këtu shihet fuqia e parashikimit të ideologut, strategut dhe vizionarit politik, dhe ne të gjallët jemi dëshmitarë se pikërisht me dhunë ushtarake dhe me luftërat e Serbisë kundër popujve tjerë u shkatërrua Jugosllavia, kurse Serbia kreu gjenocid mbi boshnjakët dhe mbi popullin shqiptar të Kosovës.
Duke vazhduar më tej ai konstaton “Dhuna dhe terrori që u përdorën gjatë marsit kundër popullit tonë, bënë që të humbin edhe iluzionet e fundit të një pjesë e popullit se çështja jonë nacionale mund të zgjidhet në rrugë institucionale. Kështu u krijuan rrethanat objektive që rezistenca jonë kombëtare të ngritët në një shkallë më të lartë dhe të pasurohet edhe me forma të reja të luftës”. /Fadil Vata. “Situata politike në Kosovë e më gjerë”. Epoka e Re. F. 10. 27-28-29 prill 2015. Prishtinë./ Kjo çka shkruan Fadil Vata është shumë vite para Konferencës së Dejtonit dhe para lindjes dhe konsumimit të Lëvizjes Demokratike Paqësore të Kosovës. Forca e parashikimit është e jashtë zakonshme, për këtë fuqi parashikuese organizatave politike në çdo kohë ju duhen ideologët dhe vizionarët patriot.
Më tej në ‘Raport’ duke i ndarë detyra OMLK-së, ndër shumë objektiva e përcakton edhe këtë “…. ndërsa me ndryshimin e këtyre rrethanave e adekuat me to, OMLK duhet të aplikojë edhe format më të reja të rezistencës, për ta rritur në shkallë më të lartë luftën tonë.” /Fadil Vata. “Situata politike në Kosovë e më gjerë”. Epoka e Re. F. 10. 27-28-29 prill 2015. Prishtinë./ Ngritja në shkallë më të lartë e luftës dhe rezistencës politike që e kërkonte Fadili u bë disa vite më vonë, ishte organizimi i UÇK-së dhe Lufta Çlirimtare e saj që qoi deri në çlirimin e vendit.
Fadili si filozof, teoricien i politikës dhe ideolog kombëtar, nuk e kishte vështirë të konkludonte, se premisat kryesore të idealit të tij pjesërisht ishin bërë realitet. Ai në skaje të horizontit kosovar i pa rrezet e agimit të lirisë. Aftësia parashikuese shumë kohë përpara se të zhvillohen proceset dhe ngjarjet është vetia që i karakterizon vizionarët dhe ideologët e lëvizjeve revolucionare. I atij niveli ishte Fadil Vata, dhe kjo është grada më e lartë shkencore e kombëtare, që do ta kishte dëshiruar edhe vet ai.
Qëndrimi në Zvicër për shkaqe shëndetësore
Fadil Vata për shkak të keqësimit serioz të shëndetit u detyrua të largohej nga Kosova në tetor të vitit 1989. Ai u shtrua për trajtim në Spitalin e Bazelit në Zvicër. Rënien heroike të dy shokëve dhe bashkëveprimtarëve në Kodër të Diellit në Prishtinë me 2 nëntor 1989 të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, nga shtrati i spitalit do t’i përjetojë shumë rëndë. Fadili deri në frymën e fundit lexonte dhe kërkonte informata të vazhdueshme për gjendjen në Kosovë edhe pse e dinte se i kishte çastet e numëruara të jetës. Shokët që e vizitonin në spital habiteshin me forcën, dhe mprehtësinë e mendjes, dhe me preokupimin për zhvillimet politike. Ku gjente forcë ky njeri të neglizhonte sëmundjen dhe vdekjen që i afrohej çdo ditë e më afër?!
Shpjegimi qëndron te fakti se ai kishte pikëpamje dialektike materialiste, si filozofi e nivelit më të lartë të botëkuptimit mbi lindjen, jetën dhe vdekjen. Botëkuptimi filozofik, niveli shkencor dhe njohuritë mjekësore që kishte ai për sëmundjen e pashërueshme të kancerit, të përmbledhura kanë formësuar qëndrimin stoik mbi jetën si proces dhe për vdekjen si akt, qoftë edhe e hershme për moshën e rinisë, por domosdoshmërisht si fund i pashmangshëm biologjik. Kjo pikëpamje i ka dhënë fuqinë që të injorojë vdekjen në muajt dhe ditët e fundit, këto pikëpamje i dhanë fuqi maksimale mendjes dhe shpirtit të tij, që deri në shuarje të jetë i përqendruar për çështjet madhore të politikës kombëtare.
Për të gjallë të Fadil Vatës LPRK-ja i kishte filluar përgaditjet për protestën e madhe, që është mbajtur para selisë së OKB-së në Gjenevë të Zvicrrës nga data 19 maj deri me 02 qershor 1990. Kërkesat që ju kanë drejtuar nga kjo protestë OKB-së, ishin parashkruar me angazhimin mbinjerëzor nga mendja gjeniale e ideologut të LPRK-së Fadil Vata. Ky qëndrim dhe angazhim filozofik dhe shkencor si rezultat i studimeve të vazhdueshme e bëjnë Fadil Vatën mendimtar të thellë të filozofisë dhe të veçantë nga shokët tjerë me dije të theksuara politiko teorike.
Vdekja dhe ceremonia e varrimit në vendlindje
Vdekja që e gjeti në shtratin e spitalit në Bazel me 25 prill 1990, aspak nuk ia zvogëlon madhështinë e veprës së tij politike, shkencore, ideologjike dhe sakrificën për idealin e lirisë kombëtare deri në frymën e fundit. Ceremonia e varrimit të Fadil Vatës ishte e jashtëzakonshme për nga numri i pjesëmarrësve, vlerësohej se ishin mbi 130.000 vetë, burra e gra, pleq e të rijnë, njerëz të të gjitha profileve, nga të gjitha trojet shqiptare të ish Jugosllavisë. Ceremonia e varrimit u mbajte me 9 maj 1990. Kjo ceremoni ishte e jashtëzakonshme edhe për faktin se ishte ceremonia e parë e varrimit me përmbajtje kombëtare pa ritual fetar. Kjo ishte në përputhje me botëkuptimin e Fadilit, ishte qëndrimi i tij jetësor që kishte përcaktuar këtë lloj varrimi, e që e realizuan shokët e idealit.
Pas vdekjes ai la një bibliotekë të madhe me një fond prej 3000 librash, që fatmirësisht është mbledhur dhe sistemuar në kullën muze të Fadil Vatës. Ata libra presin që të evidentohen, shfletohen, që nënvizimet dhe shënimet anësore të Fadilit të analizohen nga këndvështrimi i kohës dhe të nxirren përfundime mbi preokupimet e Fadilit, thellësinë e mendimit, saktësinë e këndvështrimit origjinal, si bazë e reflektimit të shkrimeve, debateve politike, filozofike dhe të historisë kombëtare, të determinuara edhe nga përmbajtja e librave të kësaj biblioteke që është trashëgimi intelektuale e tij.
Patriotizmi nuk përfundon asnjëherë
Sot në këtë manifestim të mbajtur 35 vite pas vdekjes së Fadil Vatës, 26 vite pas çlirimit të Kosovës dhe 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, natyrshëm na përshkon një ndjenë malli, krenarie dhe bindje e thellë, se flijimi i çdo jete për lirinë dhe të gjitha sakrificat e të gjallëve për çlirimin e vendit dhe Republikën e Kosovës ja kanë vlejtur. Ky ishte objektiv politik i çdo veprimtari patriot, çdo luftëtari të lirisë. Sot Kosova është shtet. Parimisht pajtohemi, nuk është finalja, nuk është ajo për çka jemi betuar. Çka më tej? Shkurtë dhe çartë, konstatojmë se është realizuar me sukses një fazë shumë e rëndësishme e idealit tonë. Rruga është e hapur përpara, e trasuar dhe me orientim të qartë. Objektivi i unitetit dhe bashkimit kombëtar edhe sot është çështje gjithë kombëtare si më parë, por sot pa dyshim është shndërruar në çështje ndërshtetërore, e domosdoshme dhe e pa tejkalueshme që kërkon forma dhe veprime të ndryshme të realizimit.
Për të fituar lirinë u bëmë të gjithë bashkë, pse sot nuk jemi bashkë për të mbrojtur lirinë dhe atdheun?! Patriotizmi nuk njeh pauza të pushimit, çdo epokë e historisë kombëtare, e zhvillimit kombëtarë, ka nevojë për patriotizmin e kohës së vet. Patriotizmi stinor nuk është logjikë e zhvillimit të kombeve dhe shteteve të pavarura në marrëdhëniet ndërkombëtare të botës së trazuar. Është dëshmuar se patriotizmi është njëri nga komponentët kryesor të sigurisë, është kusht i funksionimit të shtetit edhe në kohën e kozmopolitizmit dhe globalizmit.
Të nderuar të pranishëm, Republika e Kosovës e ka nderuar kontributin dhe sakrificën jetësore të Fadil Vatës, për lirinë e popullit shqiptar të Kosovë dhe të gjitha trojeve shqiptare në ish Jugosllavi. Fadil Vatës, me të drejtë ju ka ndarë Certifikata e Veteranit të UÇK-së, si strateg i parashikimit të domosdoshmërisë së luftës çlirimtare. Me datën 28 nëntor 2012 Fadil Vata dekretohet me urdhrin HERO I KOSOVËS nga presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga. Nuk ka dyshim se titulli “Hero i Kosovës” e nderon shumë Fadil Vatën, por të gjithë ata që e njohin veprimtarinë jetësore në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, e dinë se kjo nuk është e mjaftueshme, sepse Fadil Vata ishte veprimtarë i kombit shqiptarë, prandaj si të tillë do ta vlerësonte më shumë edhe ndarja e urdhrit “Hero i Kombit”. Koha e ka dëshmuar se Kosova dhe populli shqiptarë, asnjëherë nuk i ka harruar e as nuk do ti harrojë heronjtë e vet.
Lavdi jetës dhe veprës së Fadil Vatës dhe të gjithë martirëve, heronjëve dhe dëshmorëve të kombit shqiptar.
Lexuar me shkurtime në akademinë përkujtimore, të mbajtur me rastin e 35 vjetorit të vdekjes.
Prishtinë, 12 maj 2025