Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala ka tërhequr vërejtjen se katër institucione të pavarura janë jofunksionale dhe kjo mund të ketë pasoja serioze për vendin. Ai ka shtuar më tutje se kjo ka bërë që 17 agjenci dhe institucione të pavarura të jenë të pakompletuara. “Mosfunksionimi i Kuvendit nuk ka pasoja vetëm përbrenda Kuvendit. Ka pasoja të gjera në shumë fusha. Krahas aspekteve të tjera, të cilat vetëm i kemi përmend, që aktualisht nuk ka një qeveri të rregullt, nuk ka një qeveri, e cila mbikëqyret nga ana e Kuvendit, nuk ka një qeveri, e cila i raporton Kuvendit, nuk ka një Kuvend, i cili miraton ligje. Ka edhe një sërë pasojash të tjera specifike edhe në institucione të ndryshme të pavarura, në organet e ndryshme kolegjiale, të cilat rrezikojnë mosfunksionimin, madje disa edhe nuk janë duke funksionuar për shkak të mungesës së kuorumit, për shkak të pamundësisë së Kuvendit për të zgjedhur anëtarët e rinj” ka thënë mes tjerash për Ekonomia Online, hulumtuesi, Gëzim Shala.
